Para një votimi në parlamentin grek që do të zhvillohet ditën e premte, i cili pritet të ratifikojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, kjo e fundit po përgatitet të fillojë të përdorë emrin e saj të ri të dakorduar – Republika e Maqedonisë së Veriut.
Parlamenti grek pritet të jetë i pari nga shtetet anëtare të NATO-s që do të ratifikojë protokollin e pranimit të Maqedonisë në NATO në një seancë plenare që pritet të përfundojë me një votim pozitiv.
Protokolli i pranimit për atë që së shpejti tashmë do të quhet Maqedonia e Veriut pritet të mbështetet nga i njëjti numër deputetësh që miratuan marrëveshjen historike të emrit me Maqedoninë në janar.
Më 25 janar, 153 nga 300 deputetët në parlamentin grek miratuan marrëveshjen e arriture nga qeveria e Alexis Tsipras, por që partitë opozitare e kishin dënuar.
Të enjten, partia kryesore opozitare e qendrës së djathtë Demokracia e Re tha se nuk do ta mbështesë pranimin e Maqedonisë në NATO, ashtu siç nuk kishte mbështetur gjithashtu marrëveshjen e emrit.
“Ne do të votojmë kundër protokollit për pranimin e Shkupit në NATO. Ne nuk do të heqim dorë nga e drejta jonë për të vënë veton për pranimin e Shkupit në BE,” tha kreu i Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis.
Ai akuzoi partinë kryesore të martë SYRIZA që ka “huazuar” deputetë nga partitë e tjera më të vogla dhe i ka bërë ata ta mbështesin votimin duke u premtuar poste qeveritare.
Sipas kushteve të marrëveshjes historike të emrit të arritur verën e kaluar, Maqedonia do të fillojë zyrtarisht përdorimin e emrit të ri të pranuar, Republika e Maqedonisë së Veriut, pasi Greqia të miratojë pranimin e saj në NATO.
Qeveria në Shkup po përgatitet për këtë ndryshim.
Zëdhënësi i qeverisë Mile Bosnjakovski të martën tha për BIRN se pasi Greqia të miratojë protokollin e pranimit, do të jetë “çështje ditësh” para se të dy qeveritë të informojnë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së se mosmarrëveshjet e tyre tashmë janë kapërcyer dhe se marrëveshja e tyre ka hyrë në fuqi .
Qeveria maqedonase tha këtë javë se do të fillojë të ndryshojë pllakat e emrave në institucionet shtetërore, në kufi dhe në pikat kufitare, si dhe nëpër ambasadat, jo më shumë se shtatë ditë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.
Ministrat e shtetit të NATO-s të enjten nënshkruan në Bruksel protokollin e pranimit të Maqedonisë, i cili do të mundësojë që ajo të bëhet anëtarja e 30-të i klubit nën emrin e saj të ri, Republika e Maqedonisë së Veriut.
Në këmbim për ndryshimin e emrit, të cilin Greqia e ka kundërshtuar për vite me radhë – duke këmbëngulur se ai nënkuptonte një pretendim territorial ndaj krahinës së saj veriore, e quajtur gjithashtu Maqedoni – Athina ra dakord të heqë bllokadën e saj të gjatë për pranimin euroatlantik të Maqedonisë.
Parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s tani duhet të ratifikojnë individualisht protokollin përpara se Maqedonia të bëhet anëtare e plotë me të drejtë vote e aleancës perëndimore, e formuar në vitin 1949.