Hashim Thaçi fillimisht e mbështeti idenë e krijimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, por tani që po përballet me një aktakuzë të mundshme për krime lufte, ai po akuzohet se po përpiqet ta pengojë dhe minojë këtë gjykatë.
Marrëdhënia e trazuar e presidentit Hashim Thaçi me Dhomat e Specializuara të Kosovës ka kaluar nëpër shumë faza gjatë pesë viteve të fundit.
Akuzat nga prokuroria në Hagë javën e kaluar se Thaçi ka kërkuar të minojë “Gjykatën Speciale” janë vetëm kapitulli i fundit në një historie që e ka parë atë të kalojë nga një mbështetës në një kritik të saj.
Gjykata u krijua për të gjykuar krimet e kohës së luftës dhe të pasluftës të dyshuara se janë kryer nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000. Ajo u krijua nën një presion të madh nga SHBA-ja dhe BE-ja, dhe që në fillim ka qenë shumë jopopullore midis shqiptarëve të Kosovës të cilët e shohin atë si një sulm ndaj drejtësisë së luftës së UÇK-së ndaj sundimit shtypës serb.
Politikanë të Kosovës si Thaçi argumentuan megjithatë se ajo do të ishte një mënyrë për të përmbushur detyrimet e shtetit të ri ndaj mbështetësve të tij perëndimorë, ndërsa vërtetonte se UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë për çlirim.
Në gusht 2015, më pak se tre javë pasi deputetët e Kosovës miratuan krijimin e Dhomave të Specializuara, Thaçi në cilësinë e tij si ministër i jashtëm i vendit përdori një histori biblike për t'u thënë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se rezistenca e shqiptarëve të Kosovës në luftën e viteve 1998-1999 “ishte një shembull i vërtetë i një Davidi që luftoi kundër Goliathit”.
“Nuk ka asnjë kosovar, përfshirë edhe mua, që do të rrinte duarkryq dhe do të lejonte që Gjykata Speciale të barazojë krimet gjenocidale të Sllobodan Millosheviçit, në emër të shtetit serb, me veprimet ndoshta të dëshpëruara të një individi nga një komunitet i shtypur të kryera gjatë ose pas luftës”, paralajmëroi ai atë ditë.
Ideja për krijimin e një gjykate “hibride”, pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por e vendosur në Holandë në një përpjekje për të siguruar pavarësinë e saj dhe për të mbajtur të sigurt dëshmitarët e saj, erdhi nga një raport shpërthyes nga raportuesi i Këshillit të Europës Dick Marty në vitin 2010, në lidhje me krimet e pretenduara të kryera nga anëtarët e UÇK-së.
Sidomos për Thaçin, i cili ishte udhëheqësi politik i UÇK-së gjatë kohës së luftës, raporti i Dick Marty e akuzoi atë për përfshirje në veprimtari kriminale, gjë të cilën ai e mohoi.
Midis vitit 2012 dhe 2014, një task forcë e Bashkimit Europian më pas shqyrtoi pretendimet e Dick Marty dhe arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për ndjekje penale për vepra si vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.
Kuvendi i Kosovës votoi në vitin 2015 për krijimin e Dhomave të Specializuara, por më pas, një natë të acartë në dhjetor 2017, kur shumica e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar ishin të preokupuar me planet e tyre festive, një total prej 43 deputetësh paraqitën një kërkesë urgjente në parlament për të hequr dorë nga krijimi i gjykatës.
Thaçi në fillim e quajti nismën “totalisht demokratike”, por më vonë paralajmëroi se gjykata “nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet”. Nisma nuk rezultoi e suksesshme.
“Një fushatë e fshehtë për të penguar punën e gjykatës”
Në qershor të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë njoftoi se kishte ngritur një aktakuzë me dhjetë pika në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke akuzuar Thaçin, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë për një sërë krimesh lufte përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë.
Njoftimi erdhi ndërsa Thaçi ishte rrugës për në Uashington për një takim që synonte të rifillonte negociatat midis Serbisë dhe ish-provincës së saj. Takimi në Shtëpinë e Bardhë u anulua ndërsa Thaçi u kthye në shtëpi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se kishte ndërmarrë hapin e pazakontë të shpalljes së një aktakuze të pakonfirmuar për shkak të përpjekjeve të përsëritura nga Thaçi dhe Veseli për të penguar dhe minuar punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Zoti Thaçi dhe zoti Veseli besohet se kanë kryer një fushatë të fshehtë për të rrëzuar ligjin që krijoi Gjykatën dhe për të penguar kështu punën e Gjykatës në një përpjekje për të siguruar që ata të mos përballen me drejtësinë”, pretendoi ajo.
Shkëlzen Gashi, një aktivist i të drejtave të njeriut në Kosovë, tha se ai besonte se Thaçi ka vepruar gjatë gjithë kohës për interesat e tij personale.
“Atij i interesojnë vetëm interesat e tij personale dhe nuk kujdeset për imazhin e Kosovës”, tha Gashi për BIRN.
“Nëse do të merrte në konsideratë interesat e Kosovës, ai do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen nga skena politike që nga koha kur u botua raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në vitin 2010”, shtoi ai.
“Do të bënte gjënë e duhur duke dhënë dorëheqjen”
Kthesa tjetër në përrallën e marrëdhënies së Thaçit me gjykatën erdhi në gusht, kur ai mbajti një fjalim televiziv për t'i bërë thirrje deputetëve të Kosovës për të zgjatur mandatin e Dhomave të Specializuara.
Të nesërmen ai paraqiti një propozim në Asamblenë e Kosovës duke kërkuar ndryshime kushtetuese që duket se kishin për qëllim të ndryshonin mandatin e Dhomave të Specializuara dhe të kufizonin fushën e tyre të veprimit.
“Politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi dhe as drejtësia nuk duhet të ndërhyjë në politikë. Kjo ka qenë bindja ime në çdo hap të krijimit të gjykatave ndërkombëtare dhe paneleve të specializuara gjatë 20 viteve të fundit”, tha ai në fjalimin e tij.
Përkrahësit perëndimorë të Kosovës u tërhoqën. Ambasada amerikane, ajo franceze, gjermane, italiane dhe britanike në Prishtinë – të njohura si grupi i Kuintit – lëshuan një deklaratë në shtator duke kundërshtuar çdo përpjekje “për të minuar ose diskredituar misionin” e Dhomave të Specializuara ose Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Më 19 tetor, prokurori Jack Smith më pas iu përgjigj nismës së Thaçit, duke e përshkruar përpjekjen për të “rikonfirmuar ose riformuluar” mandatin si pjesë të një “strategjie më të madhe për të dëmtuar gjykatën”.
Ai vuri në dukje se Thaçi nuk është një palë e pa interesuar, duke argumentuar “faktin që ndryshimet propozohen nga një president i cili është subjekt i një padie të paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në lidhje me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
Ehat Miftaraj, drejtori i Institutit Ligjor të Kosovës, një organizatë në Prishtinë, tha se në një shtet të bazuar te sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, institucionet dhe liderët politikë “nuk flasin ose nuk ndërmarrin ndonjë veprim i cili në sytë e publikut mund të perceptohen si pengesë ose ndërhyrje në drejtësi”.
Miftaraj argumentoi se edhe pse, kur bëhet fjalë për etikën, Thaçi nuk ishte i detyruar të jepte dorëheqjen si president i Kosovës kur padia e pakonfirmuar u njoftua në qershor, “ai do të bënte gjënë e duhur duke dhënë dorëheqjen” në mënyrë që të ruante integritetin e zyrës presidenciale.
“Edhe pse aktakuza kundër tij nuk është konfirmuar ende, çdo deklaratë ose veprim i tij në lidhje me gjykatën konsiderohet i papërshtatshëm”, tha ai.
Pati zëra të pabazuar në fund të verës që Dhomat e Specializuara mund të shfuqizohen dhe krimet e kohës së luftës të amnistohen si pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Ky spekulim u shtua kur Shtëpia e Bardhë e Donald Trump u përfshi në atë që disa vëzhgues e panë si një përpjekje të Uashingtonit për të bërë një marrëveshje të shpejtë dhe për të shënuar një fitore në politikën e jashtme për presidentin e SHBA-së, që do ta ndihmonte atë në fushatën e tij për t'u rizgjedhur si president i vendit.
Por marrëveshjet që u nënshkruan përfundimisht në Shtëpinë e Bardhë – me SHBA-në, jo me njëra-tjetrën – përqendroheshin në çështjet ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë dhe në interesat e SHBA-së, si Izraeli dhe teknologjia 5G, dhe nuk ishte ndonjë lloj afrimi politik midis dy armiqve.
Ndërkohë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit ka rifilluar në Bruksel, dhe nuk ka ende ndonjë marrëveshje përfundimtare të dukshme në horizont.
Florian Bieber, koordinator për Ballkanin në Grupin Këshillimor të Europës dhe profesor për Historinë dhe Politikën e Europës Juglindore në Universitetin e Grazit në Austri, i tha BIRN se ai mendon se fati përfundimtar i Thaçit në Hagë do të ketë një ndikim të kufizuar në bisedimet e normalizimit sepse ato tashmë janë larguar nga presidenti që nga vera.
“Për më tepër, bisedimet nuk duket se po marrin ndonjë drejtim. Kështu që shpresa që dukej se kishte Thaçi për ta përdorur dialogun për të shpëtuar nga ndonjë padi, dështoi”, tha Bieber.