Një degë e re grupesh të ekstremit të djathtë në Greqi po shfrytëzojnë zemërimi popullor për një marrëveshje historike të arritur me fqinjin e saj verior.
Kryeqyteti grek ka vite tashmë që vuan nga protesta të shpeshta e të dhunshme. Por më 20 janar, zemërimi i publikut mori një kthesë të errët.
Me 70,000 njerëz që u mblodhën në shesin kryesor Syntagma të Athinës, grupe burrash me bluza të zeza me kapuça dhe të pajisur me shkopinj filluan të sulmonin reporterët dhe fotografët, duke i rrahur ata dhe duke u marrë pajisjet.
Protestat kishin shpërthyer për shkak të një marrëveshje të nënshkruar vitin e kaluar – dhe e miratuar këtë vit – për të ndryshuar emrin e fqinjës veriore të Greqisë, tani Maqedonia e Veriut, në këmbim që Athina të hiqte veton për anëtarësimin e kësaj të fundit në BE dhe NATO.
Shumë grekë e kundërshtojnë ashpër përdorimin e emrit “Maqedoni” nga fqinji i tyre, duke parë pas kësaj një përpjekje për të shpronësuar identitetin e mbretit luftarak maqedonas Aleksandri i Madh dhe për një pretendim territorial mbi krahinën veriore greke që mban të njëjtin emër. Kjo çështje ka qenë për dekada me radhë një thirrje grumbullimi për nacionalistët grekë.
Gazetari investigativ Dimitris Psaras, autor i Biblës së Zezë të Agimit të Artë, për partinë Agimi i Artë që hyri në parlament në vitin 2012, tha se skenat e 20 janarit ishin të njohura.
“Ne e kemi parë edhe më parë këtë gjë, gjatë protestave mbi çështjen e emrit të Maqedonisë në dhjetor 1992, në Athinë dhe në Selanik,” tha ai.
Ishte atëherë kur Agimi i Artë bëri daljen e tij të parë publike, duke përdorur dhunë dhe sulme ndaj studentëve të majtë.
Greqia dhe Maqedonia e Veriut mund të kenë varrosur zyrtarisht pothuajse tre dekada mosmarrëveshje, por përfundimi është në të vërtetë sfidë për të djathtën ekstreme greke dhe një grup të ri ekstremistësh jashtë Agimit të Artë, i cili ka parë popullaritetin e tij të bjerë pas një sërë ndjekësh penale që nga viti 2015.
Disa grupe të reja duket se po konkurrojnë për të mbushur boshllëkun. Disa shmangin simbolizmin neo-nazist të përdorur nga Agimi i Artë. Por, ashtu si Agimi i Artë në vitin 1992, të gjithë e përdorin mosmarrëveshjen e emrit të Maqedonisë si një pikënisje.
Të porsaardhurit
Përveç simboleve të njohura të Agimit të Artë, protesta e 20 janarit u shënua nga prania e grupeve të burrave të veshur me rroba dhe helmeta të zeza, pantallona lufte dhe xhaketa me flamurin grek dhe inicialet HRD, Departamenti i Rezistencës Helene.
Disa mbanin maska gazi dhe qëlluan me shkopinj druri dhe shishe bomba. Ata dukeshin të disiplinuar dhe të përgatitur, duke marrë pjesë në një përpjekje për të sulmuar parlamentin grek.
Nuk ka prova për ta lidhur HRD-në me Agimin e Artë.
“Agimi i Artë tani është përfaqësuesi kryesor i ultra nacionalizmit dhe nazizmit të ekstremit të djathtë në Greqi,” tha Ypopto Mousi, producent i Omnia TV, një platformë mediatike që monitoron grupet e ekstremit të djathtë në Greqi dhe që transmetoi një raport mbi HRD, duke bërë që grupi të fshijë një sërë fotosh që kishte postuar në Facebook.
“Megjithatë, të porsaardhurit po përpiqen të distancohen nga retorika naziste, pasi ata e dinë se nuk është aq tërheqëse për nacionalistët patriotikë.”
HRD preferon simbolet tradicionale patriotike dhe fetare dhe thëniet e lashta greke.
Një grup tjetër që ka dalë gjatë protestave të fundit quhet Apella, pas kuvendit të qytetarëve të Spartës së lashtë. Gjatë mësymjeve në shtëpitë e disa prej anëtarëve të Apellas janë gjetur bombola gazi, thika dhe fletushka të Agimit të Artë.
Ekziston edhe “Combat 18 Hellas” dhe “Unigned Meander Nationalists”. Një sërë anëtarësh të këtyre grupeve janë akuzuar për posedim eksplozivësh, vandalizëm të vendeve hebreje dhe sulme e zjarrvënie kundër anarkistëve dhe të majtëve. Të dy grupet kanë simpati të qartë neo-naziste.
Ndërgjegjja kolektive
Ndjenja anti-parlamentare që ndajnë grupe të tilla të djathta ekstreme artikulohet në thirrjet e protestave “Krahu i djathtë, krahu i majtë, të gjithë njësoj janë. Le ta djegim këtë bordello që është parlamenti”, tha gazetari grek i VICE Kostas Koukoumakas, i cili mbulon të djathtën ekstreme.
Protestat e vitit 2018 dhe 2019 mbi çështjen e emrit kanë krijuar një ndjenjë qëllimi të përbashkët, një narrativë të përbashkët dhe ndjenja solidariteti që shfrytëzohen nga grupet e ekstremit të djathtë ndërsa kërkojnë rekrutë të rinj, tha ai.
“Gjëja e rëndësishme është se pjesëmarrja në këto protesta krijon një model veprimi dhe reagimi dhe atë që ne e quajmë ndërgjegje kolektive,” tha Koukoumakas.
Grupe të tjera më të zakonshme, të krahut të djathtë – që nuk akuzohen për kriminalitet – e kanë njërin sy nga parlamenti në zgjedhjet që do të mbahen këtë vit.
Themeluesit e “Komitetit për elementin grek të Maqedonisë”, organizatori kryesor pas protestave, njoftuan muajin e kaluar se do të krijonin një parti të re që do të quhet EPOS, një akronim për Ndërgjegjen Politike Helene.
Një parti e quajtur “Zgjidhja Helene” është krijuar gjithashtu, e themeluar në vitin 2016 nga një ish-anëtar i partisë konservatore Partia Demokracia e Re, Kyriakos Velopoulos, por që fitoi më shumë rëndësi gjatë protestave të 2018-2019.
Velopulos doli në titujt kryesor të lajmeve në vitin 2018 kur u shfaq në krye të një turme që sulmoi në Selanik kryetarin e bashkisë Yiannis Boutaris, një kritik i sinqertë i politikës së krahut të djathtë.
Demokracia e Re përballet me presion nga brenda për të mbështetur më shumë të djathtën nacionaliste, por, tha Koukoumakas, “përvoja deri më tani tregon se kur një parti thjesht pretendon të jetë ultrakonservatore, ajo ka tendencë t’i largojë votuesit drejt ekstremit të djathtë më autentik”.
Dhe këto grupe po përfitojnë nga zemërimi i nxitur nga marrëveshja e arritur me Maqedoninë.
“Elementi kryesor i këtyre partive është lufta e tyre maqedonase,” tha Psaras, gazetari investigativ. “Ata nuk kanë një program. Ata në fakt po presin të marrin votat nga votuesit e zhgënjyer të Agimit të Artë ose të Demokracisë së Re.”
Ypopto Mousi i Omnia TV pajtohet me këtë: “Ka shumë vend për të porsaardhurit që pretendojnë pjesën e tyre nga ato që mbeten nga Agimi i Artë.”