Lajm18 May 2017

Marrëveshja politike Rama-Basha, bie gjysma e qeverisë

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ranë dakord për të hyrë në zgjedhje me shkarkimin e gjashtë ministrave, zëvendëskryeministrit Peleshi si dhe disa drejtorëve të shtetit ndërsa data e zgjedhjeve u caktua më 25 qershor dhe partitë detyrohen të garojnë pa koalicione parazgjedhore.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Basha dhe Rama duke folur për median gjatë takimit të partive në Kuvend. Foto: LSA

Partia Demokratike pranoi të hyjë në zgjedhjet parlamentare që pritet të zhvillohen më 25 qershor në shkëmbim të shkarkimit të gjashtë ministrave të kabinetit aktual dhe të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, zyrtarë që do të duhet të zëvendësohen nga ‘ministra teknikë’, të propozuar nga opozita. Marrëveshja e publikuar nga Partia Socialiste bën të ditur se opozita ka pranuar të votojë organet e vetingut ndërsa shkarkohen nga detyrat drejtorët aktualë të OSHEE-së, ALUIZNI-it, burgjeve, hipotekave dhe drejtori i përgjithshëm i Agjensisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, poste që vlerësohet se janë keqpërdorur në të shkuarën nga forcat politike për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.

Palët angazhohen gjithashtu që të ndryshojnë kodin penal për të krijuar vepra penale për krime zgjedhore si shit-blerje e votave si dhe, pas krijimit të parlamentit të ardhshëm, të kryejnë reformë tërësore zgjedhore dhe të vendosin votimin elektronik për zgjedhjet e ardhëshme.

Një pikë tjetër e marrëveshjes është që zgjedhjet e parakohëshme për Bashkinë Kavajë të zhvillohen në të njëjtën datë me zgjedhjet parlamentare.

Opozita do të marrë një zëvendëskryeministër teknik, të propozuar prej saj, duke sjellë për rrjedhojë shkarkimin e zëvendëskryeministrit aktual Niko Peleshi. Fatmir Xhafaj, i cili u emërua ministër më 13 mars, do të duhet të largohet për shkak të marrëveshjes, bashkë me Ministren e Arsimit Lindita Nikolla, Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila gjithashtu qëndroi ministre vetëm dy muaj, si dhe ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Olta Xhaçka. Në ikje do të jetë edhe Arben Ahmetaj, Ministër i Financave i cili e mori këtë post në shkurt 2016. Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili, i cili e mori postin në fund të janarit 2017, do të zëvendësohet me një ‘ministër’ teknik të propozuar nga opozita.

Ministrat e shkarkuar si pjesë e pazarit PS-PD duket se janë kërkuar nga opozita për shkak të pozicioneve që kanë dhe ndikimit që mund të kenë në fushatën dhe rezultatin zgjedhor. Sektori i arsimit publik është teorikishit jopolitik, por në të vërtetë, mësuesit dhe drejtorët e shkollave janë përdorur rregullisht nga qeveritë e shkuara për të ofruar vende pune në shkëmbim të votave apo për të keqpërdorur nxënësit nëpër fushata zgjedhore. Ministria e Shëndetësisëështë përdorur gjithashtu si një mjet zgjedhor, veçanërisht për shkak të buxhetit të stërmadh të blerjes së ilaçeve dhe rimbursimit të ilaçeve, skema në të cilat kanëshpërthyer rregullisht skandale. Ministria e Mirëqenies Sociale, e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen e skemës së ndihmës ekonomike, nga e cila përfitojnë rreth 80 mijë familje, si dhe të skemës së ndihmës së paaftësisë për punë, ka qenë në të shkuarën subjekt kritikash për përdorimin e këtyre dy skemave si kartëmonedha shpërblyese për familjet e varfra në shkëmbim të votave. Ministri i Drejtësisë dhe administrata e burgjeve është një burim i konsiderueshëm i punësimit nëpër qyteza të ndryshme të vendit ku janë vendosur institucionet e vuajtjes së dënimit, institucione që në disa raste janë burime të rëndësishme punësimi për zonat përreth.

Drejtori i OSHEE-së Ardian Çela, komisionoi vitin e kaluar një “projekt” për popullimin e sistemit të adresave, i cili dyshohet se mund të qe një përdorim i fondeve të korporatës për qëllimet elektorale të Partisë Socialiste. Në marrëveshjen e arritur mes PD dhe PS, u vendos që Partia Demokratike të “ketë akses” në informacionin  e mbledhur nga projekti i adresave, një pikë e marrëveshjes që dukshëm nuk shpreh ndonjë respekt për karakterin privat të këtyre të dhënave.

Në ikje do të jetë edhe drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame. Shpërndarja e certifikatave të pronësisë nëpër mitingje elektorale gjatë zgjedhjeve për pushtetin vendor 2015 u konsiderua nga vëzhguesit e OSBE/ODIHR si një shkelje e rëndë e parimit të ndarjes së shtetit nga partia në pushtet.

Denar Biba, kryetari aktual i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i propozuar nga Partia Socialiste, do të humbasë postin dhe kryetari i ardhshëm do të jetë propozim i Partisë Demokratike. Paralelisht, PD duhet të hartojë dhe dorëzojë listat e kandidatëve të saj brenda 26 majit.