Dhjetra të rinj marshuan në Durrës dhe Lezhë, ndërsa denoncuan abuzimet seksuale në shkolla dhe vendet e punës dhe mungesën e reagimit nga autoritetet.
Dhjetra të rinj marshuan në Durrës dhe Lezhë pasditen e së enjtes me mesazhe kundër abuzimit seksual të vajzave e grave dhe heshtjes së shoqërisë. Pjesëmarrësit në organizimin në formë proteste vendosën theksin edhe tek puna jo efektive sipas tyre e Policisë së Shtetit dhe gjykatave të vendit.
Marshimi protestë erdhi pas rastit të një vajze 15 vjeçare që u abuzua seksualisht prej të paktën 2 vitesh nga roja 65 vjeçar i shkollës ku ajo mësonte. Të arrestuar janë edhe 3 të rinj që dyshohet se kanë abuzuar me vajzën duke u nxitur nga i moshuari, teksa ngjarja u bë publike vetëm pas denoncimit të vajzës në polici.
Të rinjtë rrëfyen edhe eksperiencat e tyre të ngacmimeve seksuale. “Në shkollën time të mesme ka pasur me qindra raste, në shkollën e lartë nga ana e pedagogëve apo rojeve”, tregon Gladiola Çopa.
“Në punën time ka të tilla raste dhe fatkeqësisht askush nuk e ngre zërin sepse bëhesh shembull. Do e quajnë familjen imorale dhe bravo atij që abuzoi sepse ajo ka dashur vetë dhe kështu përfitojnë”, përfundon rrëfimin për BIRN 25 vjeçarja.
Të rinjtë e nisën marshimin në orën 16:00 paralelisht me një marshim më të madh që u zhvillua në Tiranë, duke u nisur nga qendra e qytetit të Durrësit dhe me pankarta në duar, me mesazhe si: “Nuk luhet përdhunimesh” apo thirrjet “Mos qëndro indiferent, reago”!.
Livia Kreko një aktiviste për të drejtat e grave i tha BIRN se shumë prej atyre që dhunoheshin nuk raportonin në polici për mungesë të besimit. “Gjithashtu një fenomen tjetër që vihet re është dhe mungesa e raportimit në polici, pra një përqindje shumë e vogël e të anketuarve raportojnë në polici”, rrëfen aktivistja për të drejtat e vajzave dhe grave në Durrës.
Djemtë që ju bashkuan marshimit të veshur me bluze të zeza në shenjë simbolike ndaj situatës së trishtë të abuzimit të vajzave dhe grave, kishin lyer fytyrën me bojë të kuqe për të denoncuar edhe dhunën që ushtrohet vazhdimisht ndaj grave.
Në Lezhë pjesëmarrja ishte më e ulët. Disa dhjetra aktivistë u mblodhën pranë monumentit të Besëlidhje me parrulla kundër dhunës. “Nëse ne nuk reagojmë ngjarje të tilla mund të jenë të vazhdueshme. Është e pafalshme neglizhenca e institucioneve shtetërore, për të parandaluar dhe kapur në kohë një ngjarje kaq të shëmtuar”, tha Aferdita Gjoni Aktivite për mbrojtjen e grave.
Ndërsa psikologia Pranvera Pëplekaj tha se shërbimi psikologjik duhet të jetë në çdo shkollë dhe se ligji për abuzuesit duhet të jetë më i ashpër. “Shërbimi psikologjik duhet të jetë prezent në çdo shkollë, pasi ndihmon në parandalimin e ngjarjeve të tilla”, tha Paplekaj. Edhe protesta në Lezhë ishte në të njëjtën orë me marshimin në Tiranë.