Në ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj fëmijëve, përfaqësues të shoqërisë civile shprehën tronditjen për krimin e rëndë në Fier dhe bënë thirrje për denoncimin e çdo forme të dhunës.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, një marshim kundër dhunës ndaj fëmijëve të premten mbarti peshën e rëndë të vrasjes së fëmijës 8-vjeçar në fshatin Grecalli të Fierit më 16 nëntor.
Qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile marshuan me pankarta në duar nga sheshi Skënderbej në atë “Nënë Tereza”, në kuadër të ditës ndërkombëtare kundër dhunës ndaj fëmijëve. E pranishme ishte edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Linda Pino nga CRCA Albania, e pranishme në protestë së bashku me djalin e saj të mitur, theksoi se dhuna ndaj të miturve po reflektohet në shoqërinë shqiptare në mënyra nga më të ndryshmet.
“Si nënë zgjodha sot të merrja dhe djalin me vete, sepse nëse ne nuk reagojmë si prindër së bashku me fëmijët tanë, atëherë do të jetë shumë vonë për të bërë të mundur ndryshimin e realitetit të dhunës dhe bullizmit ndaj fëmijëve,” tha Pino për BIRN.
“Kodi Penal ende nuk e mbron plotësisht fëmijën nga dhuna. Ne si organizata të shoqërisë civile kemi punuar fort për krijimin e një regjistri civil për dhunuesit e fëmijëve,” theksoi ajo.
Duke iu referuar krimit të rëndë në Fier, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se duhet të reflektojnë të gjithë.
“Duhet të jemi bashkë për të adresuar këtë problem shumë të rëndë të shoqërisë,” tha Nikolla.
“Dhuna e çdo fëmijë përjetohet si dhunë ndaj fëmijës tim dhe secilit prej nesh, prandaj është prioritet i punës sime për ta adresuar në të gjithë autoritetet dhe shoqërinë civile çështjen e dhunës në përgjithësi, duke pasur parasysh edhe dhunën me bazë gjinore”, shtoi ajo.
Drejtori i Linjës Kombëtare “ALO 116” për Ndihmën ndaj Fëmijëve në Shqipëri, Mirgit Vataj bëri thirrje gjithashtu për reflektim të thellë.
“Fjalët janë të tepërta dhe marshimi është tepër domethënës pas një ngjarje që na ka tronditur të gjithëve,” tha Vataj.
“Sot, në ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj fëmijëve, është koha që të drejtojmë gishtin edhe pak nga vetja, pasi shumicën e kohës ne drejtojmë gishtin nga institucionet,” shtoi ai, duke apeluar për raportimin e rasteve të dhunës.
Të pranishmit në marshim e vunë gjithashtu theksin te domosdoshmëria për luftën e krimeve seksuale ndaj të miturve në Shqipëri. Iniciativa e shoqërisë civile “Drejt një Regjistri Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Krimet Seksuale në Shqipëri” synon krijimin e një regjistri për të kufizuar maksimalisht aksesin që pedofilët, dhunuesit dhe grabiqarët seksualë duan dhe kërkojnë të kenë tek fëmijët.
Aktivistët e shoqërisë civile theksuan gjithashtu nevojën për ashpërsimin e masave ndaj autorëve të krimeve ndaj fëmijëve dhe monitorimin e vazhdueshëm të personave me precedentë penalë.
“Personat që kanë kryer një krim dhe dalin nga burgjet duhet të monitorohen nga policia. Ku është policimi në komunitet? Kjo është një pyetje e madhe sot,” tha Linda Pino nga CRCA Albania.