Lajm8 Mar 2018

Martesa e vajzave në moshë të re vijon të mbetet e lartë në Shqipëri (Infografik)

Ndërsa një pjesë e grave protestuan dhe një pjesë tjetër festuan 8 marsin, ditën ndërkombëtare të luftës për të drejtat e grave, statistikat e martesës sipas moshës tregojnë një Shqipëri tjetër, ku mijëra gra martohen sapo mbushin moshën minimale ligjore dhe ku diferenca tipike moshore në martesë është mbi 5 vjet.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Protestë në Tiranë për 8 Mars. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Gjatë vitit 2017, 3827 vajza u martuan pa mbushur moshën 19 vjeç. Kjo është e barabartë me 17 për qind të të gjitha martesave të shënuara vitin e kaluar. Shqipëria e ka të ndaluar martesën nën moshën 18 vjeç sipas nenit 7 të Kodit të Familjes. Por grupi i vajzave që martohen “nën 19 vjeç” zë një pjesë të konsiderueshme në totalin e martesave. Pjesa e vajzave të martuara në këtë moshë është pakësuar disi gjatë viteve të fundit, duke rënë nga 25 apo 30% në 17%.

Në krahasim me kaq shumë vajza që martohen në moshë të hershme, INSTAT raporton se vetëm 120, ose 0.5% e dhëndurëve kishin këtë moshë.

Martesat në moshë të hershme janë vetëm një nga treguesit e pabarazisë gjinore që shfaqet te të dhënat demografike të vendit. Mosha mesatare e martesës dhe diferenca tipike meshkuj-femra është një tregues tjetër. Në vitin 2017, vajzat e martuara kishin moshë mesatare 26.5 vjeç ndërsa djemtë kishin moshën 31.5 vjeç, ku në mënyrë tipike, dhëndurët ishin 5 vjeç më të rritur se nuset.

Mosha mesatare e martesës është rritur me shpejtësi gjatë tre dekadave të fundit. Në vitin 1991, vajzat martoheshin mesatarisht 22.8 vjeç ndërsa djemtë 27. Diferenca moshore u rrit gjatë këtyre dekadave nga 4.2 deri në 6 vjet ndërsa ka pësuar një rënie të lehtë përgjatë pesë viteve të fundit.

Martesat e grave në moshë të mitur konsiderohen si pengesa të konsiderueshme për zhvillimin e tyre shoqëror ndërkohë që hendeku gjinor në martesë me meshkuj dukshëm më të moshuar se sa femrat përforcon tiparet tradicionale të një shoqërie ku gratë janë nën kontrollin e burrave.

Numri i grave të martuara nën 19 vjeç duhet të shihet ngushtë e lidhur me numrin e lindjeve nga nëna në këtë moshë. Në vitin 2017 pati 1700 lindje nga nëna nën moshën 19 vjeç. Afërsisht 45% e të gjitha grave të martuara nën 19 vjeç patën fëmijë brenda vitit të parë të martesës.