Lajm14 Jan 2019

Masa e arrestit ndaj 4 ushtarakëve të Pashalimanit zbulon mungesën e sigurisë në bazë

Të akuzuarit për “shkelje të rregullave të shërbimit të rojes” me pasojë vjedhjen e depos së armatimeve në Pashaliman u lanë në arrest me burg nga Gjykata e Vlorës. Ata i thanë gjykatës se baza e Pashalimanit s’kishte masa sigurie dhe kishte mungesë efektivësh.

Autor: Jerola Ziaj BIRN Vlorë
Printo

Dy nga ushtarakët e arrestuar pas grabitjes në Pashaliman duke dalë nga salla e gjyqit. Foto:Jerola Ziaj

Të arrestuarit pas grabitjes së një sërë armatimesh në bazën ushtarake të Pashalimanit në Vlorë, u ankuan në gjykatë gjatë caktimit të masës së arrestit për ndalim të paligjshëm, ndërsa pretenduan se baza e famshme nuk kishte asnjë masë sigurie, përfshi mungesë ndriçimi e kamerash. Ata po ashtu thanë se ishin detyruar të kryenin orë të gjatë shërbimi, për shkak të mungesës së efektivëve.

Gjykata e Vlorës dha të hënën masë arresti me burg për 4 ushtarakët e arrestuar, të cilët akuzohen  për “shkelje të rregullave të shërbimit të rojes” me pasojë vjedhjen e depos së armatimeve në bazën e flotës në Pashaliman.

Gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Lesko Ramosaço, oficer roje, Edlir Nelaj, oficer roje,  Ardit Ramaj, student  dhe Ervist Memsulaj, infermier. Nga 4 të ndaluarit Nelaj akuzohet edhe për “falsifikim aktesh” pasi ka marrë shërbimin e rojes në mëngjes dhe ka firmosur marrjen në dorëzim pavarësisht se roja i darkës ishte larguar nga vendi i punës prej katër orësh.

Depoja e armatimit e bazës së Pashalimanit, e famshme në të shkuarën për katër nëndetëset sovjetike, u konstatua e grabitur më 10 janar. Bazuar në kërkesën për masë sigurie që prokuroria paraqiti në gjykatë, në depo ishin vjedhur 2 pushkë automatike “Model 56”, një karabinë, 40 granata dhe rreth 5500 fishekë të llojeve të ndryshme përfshi municione blindshpuese.

Tre anijet e kësaj baze marrin pjesë në operacionet e NATO-s në detin Egje kundër trafikut të refugjatëve përmes detit, por të arrestuarit pretenduan në gjykatë se në bazë mungonin kushtet minimale të sigurisë.

Prokuroria e cila kërkoi vlerësim të ligjshëm të arrestit dhe po ashtu caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për katër ushtarakët, pretendon se ata kanë shkelur rregullat e shërbimit të rojes parashikuar në Kodin Penal Ushtarak.

Hetimet kanë zbuluar se vjedhja ka ndodhur mes orës 3 deri në 7 të mëngjesit të 10 janarit. Sipas prokurorisë një nga të akuzuarit ishte larguar nga vendi i shërbimit dhe depoja ka qenë pa ruajtje për rreth katër orë.

Shërbimi i rojes është rivendosur në orën 7 të mëngjesit kur Nelaj që ka marrë turnin ka firmosur dokumentet pa praninë e  rojes që duhet të bënte dorëzimin e  rregullt të gjendjes së depos së armatimit.

Vjedhja është konstatuar disa orë më vonë, pasi u zbulua një dritare të dëmtuar në depon e armëve e cila besohet se është përdorur për të nxjerrë jashtë materialet e vjedhura. Po ashtu një armë dhe disa municione u gjetën jashtë depos dhe dyshohet se ishin hedhur nga autorët e vjedhjes në largim e sipër.

Përpara trupës gjykuese të akuzuarit dhe avokatët kanë deklaruar se ata nuk kanë lidhje me vjedhjen, ndërsa dy prej tyre pretenduan se nuk duhej të ishin në shërbim roje, pasi ai nuk u lejohej,  pasi njëri ishte student në shkollën ushtarake dhe tjetri ishte infermier. Ata thanë se megjithatë ishin të detyruar të bënin këtë detyrë, pasi nuk kishte efektivë.

Për studentin Ardit Ramaj, avokati Arsen Zotaj,  ka deklaruar se ai është ende në shkollë ndaj nuk mund të marrë asnjë pozicion përgjegjës. “I kanë ngarkuar detyrë në kundërshtim me urdhrin e ministrisë. Nuk ka detyrë të kontrollojë vazhdimisht kryerjen e shërbimit. Në këto veprime dhe mosveprimet nuk provohet të ketë ardhur vjedhja si pasojë e tij. Jemi vend anëtar i NATO-s, depoja nuk ka rrethim”, tha avokati.

Ndërsa për Lesko Ramosaço mbrojtja  e përfaqësuar nga Kudret Salaj, ka kërkuar procedim në gjendje të lirë dhe kërkoi masë sigurie detyrim paraqitje. Vetë Ramosaço tha në sallën e gjyqit se ka bërë akt kontrollet, por nuk ka pasur ndriçim në pjesën që është kryer vjedhja dhe nuk ka kamera në atë zonë. “Depoja e armatimeve nuk ka as kushtet minimale të sigurisë”, ka thënë Ramosaço.

Edmond Dëma avokat i Edlir Nelajt dhe Ervist Memsula ka thënë se klientët e tij janë ndaluar padrejtësisht. Sipas tij Nelaj përgjegjës oficer roje e ka marrë shërbimin në orën 8, ndërsa vjedhja ka ndodhur para marrjes së shërbimit.

“Rojet duhet të bënin shërbim 8 orarësh të gjithë. Të pandehurit kanë qëndruar mbi 12 orë, jashtë në të ftohtë.  Duhet të ishte këtu i pandehur komandanti i bazës. Edlir Nelaj, ishte në ditën e tretë të shërbimit. Është vetëm 23 vjeç”, tha avokati.

Ndërsa për Memsulaj, avokati ka thënë se duhet të ndiqej vetëm për kundravajtje penale dhe jo te ishte i arrestuar, pasi ai është infermier i bazës ushtarake dhe e kanë vënë të kryejë këtë shërbim sepse nuk ka efektivë.

“Unë jam infermier i qendrës shëndetësore Pashaliman nuk kam punë të bëj shërbim. Por meqë këta thonë do vesh atje se skemi njerëz (shkoj)… nuk më takon të bëj shërbim”, ka dëshmuar Memsulaj.