Lajm10 Aug 2018

Masakër në Selenicë, vriten tetë anëtar të një familje mes tyre edhe dy fëmijë

Një 24-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia pasi dyshohet se vrau 8 kushërinj të tij në Selenicë të Vlorës mes të cileve edhe dy fëmijë një vajzë 16 vjeç dhe një djalë 8 vjeç, për motive ende të paqarta. Policia njoftoi se autori ishte i rrezikshëm, ndërsa kërkoi ndihmën e qytetarëve për ndalimin e tij.

Autor: Jerola Ziaj BIRN Selenicë,Vlorë
Printo

Ridvan Zykaj, autorë i dyshuar i masakrës në Resulaj të Selenicës. Foto e shpërndarë nga Policia e Vlorës.

Tetë persona përfshi një djalë tetë vjeç dhe një vajzë 16 vjeç u gjetën të vrarë në fshatin Resulaj në Selenicë të Vlorës rreth orës 18.00. Policia në një njoftim paraprak për mediat bëri me dije se kishte shpallur në kërkim Ridvan Zykaj, 24 vjeç, si i dyshuar për masakrën mbi familjen e kushurijve të tij. Policia njoftoi se  Zykaj  “për motive ende të paqarta ka vrarë me armë zjarri 8 persona nga dy familje të fisit Zykaj”.

Në njoftim policia po ashtu bën me dije se autori ishte larguar, ndërsa forca të shumta policie përfshi repartin special RENEA ishin vënë në ndjekje të tij.  Ndërkohë policia bëri publik një numër telefoni duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për të zbuluar ku ndodhej autori.

“Policia e Vlorës kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin sa më shpejt të vendndodhjes së autorit të krimit dhe fton ata që të telefonojnë në numurin  069 41 10 242 si dhe në numrin pa pagesë 129, duke ju garantuar anonimatin”, njoftoi policia.

Po ashtu ajo u kërkoi qytetarëve që të tregoheshin të kujdeshëm duke thënë se autori ishte i rrezikshëm dhe “në rast konstatimi t’i shmagen përballjes me të, por të telefonojnë policinë”.

Policia njoftoi po ashtu emrat e viktimave Azem Zykaj 45 vjeç , Afërdita Zykaj 42 vjeç, Demir Zykaj 75 vjeç, Perie Zykaj 72 vjeç, Besim Zykaj 43 vjeç, Vasilika Zykaj 42 vjeç, Sara Zykaj 16 vjeç dhe Ledion Zyka 8 vjeç.

BIRN mësoi se të vrarët ishin anëtarë të një familje dhe të afërm të autorit. Ndërkohë banorë të fshatit me të cilët BIRN foli thanë se nuk kishin dijeni për një konflikt mes tij dhe viktimave. Ata thanë se i riu nuk kishte pasur probleme më herët, ndërsa viktimat ishin të afërm të tij.