Lajm11 Oct 2018

Masakër pas konfliktit për rrugën, vriten tre punonjës të Bashkisë së Matit

Tre punonjës të Bashkisë së Matit u vranë dhe një u plagos rëndë të enjten pasdite, pas një konflikti në fshatin Shëlli, ku ata ishin duke punuar për hapjen e një rruge. Policia njoftoi se një orë pas ngjarjes arrestoi Kujtim Koxha banor i fshatit Shëlli që dyshohet si autor i ngjarjes.

Autor: Hysen Likdisha BIRN Bulqizë
Printo

 

Pamje nga rruga ku po punonin viktimat. Foto Bashkia Mat

Pesë punëtorë të Bashkisë së Matit të cilët po punonin për hapjen e një rruge në fshatin Shëlli të ish-komunës Macukull, u qëlluan me armë ndërsa po hanin drekën në një lokal të fshatit. Një prej tyre mbeti i vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë humbën jetën pak orë më vonë ndërsa transportoheshin për në Spitalin e Traumës në Tiranë. Një i katërt u plagos dhe po kurohet në Burrel jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Matit njoftoi se ngjarja ishte regjistruar rreth orës 14.00 pasditen e të enjtes, ndërsa shpjegoi se rrethanat e ngjarjes mbeteshin ende të paqarta.

“Dyshohet se autori është konfliktuar më parë me punonjësit e Bashkisë dhe më pas është larguar e ka marrë armën automatik dhe ka qëlluar në drejtim të tyre, në një lokal”, thuhet në një njoftim për shtyp të policisë lokale.

Pak më vonë policia njoftoi se kishte arrestuar të dyshuarin për vrasje, të cilin e identifikoi si Kujtim Koxha. Policia tha se ai u kap një orë larg vendit të ngjarjes në Burgajet.

Një punonjës i Bashkisë së Matit i tha BIRN se ata ishin shumë të tronditur. Edison Doçi, i cili punon pranë zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në këtë bashki tha se ata nuk dinin asgjë rreth motiveve, ndërsa shtoi se pesë punonjësit, kryesisht drejtues mjetesh të rënda, po punonin për hapjen e rrugës. Dëshmitarë okularë thanë se punonjësit ishin qëlluar gjatë kohës që po hanin drekë.

Mentor Hoxha humbi jetën menjëherë nga të shtënat, ndërsa Erzen Aliaj gjatë kohës që po transportohej për në Tiranë. Hamit Buçi vdiq po ashtu për shkak të plagëve disa orë pas të shtënave. Personi i katërt që u qëllua ndodhet në spitalin e Burrelit dhe është vlerësuar jashtë rrezikut për jetën.

Banorë të ndryshëm i thanë policisë se konflikti kishte filluar pasi i dyshuari u kishte kërkuar punonjësve të bashkisë të hapnin rrugën edhe në lagjen e tij. Ndërkohë që këta të fundit kanë refuzuar duke u shpjeguar se ishin punëtorë dhe se vendimet merreshin nga bashkia. Pasi janë shkëmbyer fjalë i dyshuari është larguar për t’u kthyer i armatosur dhe ka qëlluar disa herë ndaj pesë punonjësve, duke lënë një të vrarë në vend dhe tre të plagosur.

Policia thotë se pas ngjarjes ai ka braktisur armën dhe është larguar drejt fshatit Burgajet, ku u gjet dhe u arrestua. Policia tha se gjeti në vendngjarje armën dhe prova të tjera të krimit.