Lajm10 Oct 2018

Masakra në bulevard, burg përjetë italianit Salvatore Letizia, 47 vjet për vëllezërit Doçi

Tre të dënuarit ishin palë kundërshtare në një përplasje me armë në maj të vitit 2015, prej të cilës u vranë 3 persona. Letizia u gjet fajtor për vrasjen e Gerti Goxhajt dhe Mentor Lufit (Doçi), ndërsa dy vëllezërit për vrasjen e Besnik Sulkut.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Punonjës policie në hyrje të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Foto Ilustruese

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka dënuar me burgim të përjetshëm italianin Salvatore Letizia i cili u akuzua për “vrasje me dashje” të Gerti Goxhajt, “vrasje për gjakmarrje” të Besnik Sulkut dhe armëmbajtje pa leje. Për ngjarjen e ndodhur më datë  27 maj të vitit 2015 në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë, pranë Fakultetit të Shkencave gjatë të cilës u vranë, Besnik Sulku, Gerti Goxhaj dhe Mentor Lufi(Doçi) u dënuan edhe dy të afërmit e këtij të fundit, Markeljen dhe Klejvi Doçi, përkatësisht me 27 vjet burgim i pari dhe 20 vjet i dyti.

Në seancën e mëparshme, avokatët e dy vëllezërve Markeljen dhe Klejvi Doçi kërkuan shpalljen e tyre të pafajshëm për akuzat e vrasjes, me pretendimin se deklarimet ishin marrë në mënyrë të paligjshme dhe duhej të vlerësoheshin nga gjykata si të papërdorshëm. Avokati i Markeljen Doçit, theksoi se klienti i tij kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes dhe jo me paramendim e në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes, ashtu si kishte kërkuar prokuroria.

Avokati i caktuar kryesisht për mbrojtjen e italianit Salvatore Letizia, ka lexuar seancën e të mërkurrës konkluzionet përfundimtare duke pretenduar se klienti i tij, nuk ka qenë i parapërgatitur për vrasjen, por se viktima Besnik Sulku i kishte dhënë një armë dhe i kishte kërkuar që t’i mbronte krahët.

Në seancën e të mërkurrës nuk kanë qenë të pranishëm fizikisht të pandehurit Salvatore Letiza, Markeljen Doçi dhe vëllai i këtij të fundit Klejvi, të cilët kanë kërkuar të përfaqësohen nga mbrojtësit e tyre ligjor.

Sipas prokurorisë, ngjarja me tre viktima ka ndodhur pas tentativës së Besnik Sulkut për tu hakmarrë për të afërmin e tij të vrarë në Hollandë një muaj para se të sulmonte me armë vëllezërit Doçi.

Nga hetimet është konkluduar se Mentor Lufi(Doçi), Gerti Goxhaj dhe Markeljen e Klevi Doçi, pasditen e 27 majit 2015, gjendeshin në një lokal pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Pasi kanë dalë nga lokali ata kanë hipur në dy autovetura, ku Mentor Lufi(Doçi) ka qenë në vendin e pasagjerit në mjetin që drejtohej nga Gerti Goxhaj, ndërsa vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi në një automjet tjetër pas të parit. Kur kanë hipur në automjete,  aty janë afruar dy persona të armatosur e të maskuar, të cilët kanë qëlluar drejt Mentor Lufit (Doçi) dhe Gerti Goxhajt të cilët ndërruan jetë në pak çaste.

Në këtë moment, Markeljan Doçi ka afruar me shpejtësi makinën drejt atentatorëve, duke përplasur fillimisht njërin prej tyre. Doçi po ashtu akuzohet se ka qëlluar më pas me armë në drejtim të dy agresorëve duke vrarë Besnik Sulkun.

Ndërsa Salvatore Letizia ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes dhe është gjetur në një hotel. Sipas prokurorisë, atij i është gjetur me vete një armë dhe një fotografi e Mentor Lufi(Doçit). Konflikti, sipas organit të akuzës ka nisur në fund të vitit 2014, kur Mentor Lufi (Doçi) është plagosur me armë në zonën e ish-Stadiumit “Dinamo”, në Tiranë.