Koronavirusi COVID-19 tani është përhapur në çdo kontinent, përveç Antarktidës, duke sfiduar sistemet shëndetësore dhe qeveritë kudo. Edhe pse pjesa dërrmuese e pothuajse 90,000 rasteve në të gjithë botën janë në Kinë, nga ku edhe e ka origjinën virusi, tashmë janë prekur 64 vende të ndryshme.
Për shumicën, virusi paraqet një problem shëndetësor të butë, por për anëtarët e cenueshëm të shoqërisë pasojat mund të jenë më serioze. Përmbajtja e tij mbetet përparësi për të gjitha vendet, por nuk ka një qasje për të trajtuar përhapjen e sëmundjes.
Qytete të tëra janë izoluar në disa vende, ndërsa në vende të tjera, shkollat, muzetë dhe qendrat fetare janë mbyllur dhe eventet sportive dhe muzikore janë anuluar. Ja një vështrim se si vende të ndryshme në të gjithë globin po e trajtojnë përhapjen e virusit.
Franca
Qeveria franceze ka këshilluar qytetarët e saj që të braktisin përshëndetjen e zakonshme – puthjen e njëri-tjetrit në faqe – në një përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19.
Mbledhjet publike të më shumë se 5,000 njerëzve janë gjithashtu të ndaluara, gjë që ka sjellë anulimin e eventeve si gjysmë maratona e Parisit. Pas vendimit, muzeu i Louvrit në Paris mbylli dyert e tij për publikun për të zbutur kërcënimin e infeksionit të paraqitur nga vizitorët që vijnë nga pjesë të ndryshme të botës.
Irani
Si vendi më i goditur i Lindjes së Mesme, në Iran janë raportuar rreth 3,000 raste me COVID-19, përfshirë më shumë se 20 ligjvënës të tij. Parlamenti i vendit është pezulluar pa një afat të caktuar dhe deputetëve u është kërkuar të anulojnë të gjitha takimet publike.
Numri i vdekjeve në Iran është i treti më i lartë, pas Kinës dhe Italisë, dhe aty mungojnë rezervat shëndetësore, Eksportet e maskave janë të ndaluara për tre muaj, ndërsa fabrikat e Iranit prodhojnë furnizime të reja për njerëzit vendas.
Gjermania
Ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn, e ka shpallur koronavirusin një “pandemi të mbarëbotërore”, diçka që Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka konkluduar ende. Qeveria ka ndaluar eksportimin e pajisjeve mjekësore, pasi Spahn tha se virusi atje nuk kishte arritur akoma në kulmin e tij.
Shtetet e Bashkuara
Kalifornia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas vdekjes së parë në shtet, e cila e çoi numrin e vdekjeve në SHBA në 11. Kjo lëvizje erdhi pasi edhe Uashingtoni dhe Florida deklaruan një gjendje të jashtëzakonshme, ku 10 nga vdekjet ndodhën në shtetin e Uashingtonit. Qeveria po parandalon hyrjen në vend të kujtdo që ka vizituar Kinën në 14 ditët e fundit dhe ka zgjeruar kryerjen e analizave në mbarë vendin.
Zvicra
Masat paraprake janë ndërmarrë edhe në Zvicër, ku tubimet e më shumë se 1,000 njerëzve janë ndaluar, duke detyruar anulimin e eventeve të përvitshme si Karnavalet e Bazelit dhe Motor Show International. Ministri i brendshëm Alain Berset ka këshilluar gjithashtu mos përdorimin e përshëndetjes së zakonshme me tre puthje të vendit.
Austria
Autoritetet në Austri vendosën një ndalim për trenat që përshkojnë itineraret kryesore ndërkombëtare për në dhe nga Italia. Masa erdhi pas zbulimit të dy rasteve të dyshuara me koronavirus në një tren që shkonte nga Italia drejt Gjermanisë jugore, të cilët më pas rezultuan negativ. Ndalimi i përkohshëm tani është hequr, duke lejuar që shërbimet e planifikuara hekurudhore midis Austrisë dhe Italisë të rinisin.
Italia
Italia ka mbyllur të gjitha shkollat dhe universitetet e saj për 10 ditë, pasi qeveria ndaloi gjithashtu konferencat publike dhe eventet kulturore për të frenuar përhapjen e virusit, i cili tashmë ka vrarë më shumë se 100 njerëz.
Disa qytete në rajonin e Lombardisë janë izoluar. Restorantet dhe bizneset janë të mbyllura, duke kërcënuar ta çojnë vendin në recesion.
Kina
Në epiqendrën e shpërthimit të virusit, Kina ka miratuar masa agresive për të frenuar përhapjen e tij, duke përfshirë izolimin e qyteteve, kufizimet në udhëtime, zgjatjen e pushimeve shkollore dhe mbylljen e teatrove, eventeve sportive dhe ambienteve të tjera publike. Shkalla e infeksionit vazhdon të rritet, por shkalla e rritjes është ngadalësuar.
Hong Kongu
Kufiri i Hong Kongut me Kinën kontinentale është mbyllur, duke mos i lejuar vizitorët të hyjnë në territor. Pa numrin e turistëve globalë që zakonisht grumbullohen në Hong Kong, ekonomia është goditur shumë. Shkollat janë mbyllur deri në prill dhe shumë fluturime brenda dhe jashtë vendit janë kufizuar ose anuluar. Buxheti i zbuluar së fundmi në Hong Kong përfshiu një pagesë qeveritare prej më shumë se 1,200 dollarë për secilin banor për të ndihmuar në lehtësimin e pasojave ekonomike.
Japonia
Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe ka bërë thirrje që të gjitha shkollat fillore, të mesme dhe të larta të mbyllen deri në fund të marsit. Kërcënimi i krijuar nga virusi mund të rrezikojë Lojërat Olimpike Tokio 2020, që do të mbahen gjatë verës, edhe pse nuk është njoftuar asnjë vendim për anulimin e këtij eventi.
Koreja e Jugut
Koreja e Jugut ka shumicën e rasteve me koronavirus të një vendi jashtë Kinës. Kërkesa të rrepta të izolimit janë në fuqi në të gjithë vendin, me gjobë ose dënim me burg për këdo që gjendet duke shkelur rregullat.
Pasi personeli ushtarak rezultoi pozitiv për sëmundjen, stërvitjet e planifikuara vjetore të përbashkëta ushtarake me forcat amerikane janë lënë në pritje.
Singapori
Singapori reagoi shpejt duke kufizuar lëvizjet e kujtdo që kishte udhëtuar së fundmi në Kinë ose në pjesë të Koresë së Jugut. Nëpër spitale janë vendosur rregulla të rrepta dhe njerëzit janë izoluar gjithashtu nëpër shtëpitë e tyre.
Në shkurt u prezantua një sistem ku me anë të mesazheve dhe internetit, njerëzve që ndodhen në karantinë në shtëpi, qeveria u kërkon të raportojnë vendndodhjen e tyre.
Arabia Saudite
Në Arabinë Saudite nuk është zbuluar asnjë rast me koronavirus, por ka pasur disa në vendet fqinje si Kuvajti dhe Bahreini. Autoritetet kanë ndaluar hyrjen në mbretëri për pelegrinët e huaj nga 25 vende, duke parandaluar vizitat në dy vendet më të shenjta të Islamit – Meka dhe Medina.
Emiratet e Bashkuara Arabe
Linjat e trageteve midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Iranit janë pezulluar dhe të gjitha anijet tregtare duhet të sigurojnë deklarata për gjendjen shëndetësore të anëtarëve të ekuipazhit 72 orë para mbërritjes në portet e vendit.
Marrë me autorizim nga Weforum.org Coronavirus – this is how the world is responding