Lajm5 Feb 2020

Masat që kanë marrë vende të ndryshme për parandalimin e koronavirusit

Wenzhou, më shumë se 800 km nga epiqendra e koronavirusit në Wuhan, është qyteti i fundit kinez që vendoset në karantinë. Disa vende po refuzojnë hyrjen e vizitorëve të huaj të cilët kanë qenë së fundmi në Kinë. Vendet fqinje po mbyllin kufijtë e tyre me Kinën ose po kufizojnë udhëtimet nga dhe drejt këtij vendi.

Autor: Rosamond Hutt Weforum.org
Printo

Koronavirusi. Foto: Pixabay,

Koronavirusi, virusi i ri i cili u shfaq në qytetin kinez të Wuhanit në dhjetor, është përhapur në shumë vende të botës.

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) e ka shpallur epideminë një emergjencë globale shëndetësore, mes shqetësimeve në rritje për “transmetimin e vazhdueshëm nga një njeri te një tjetër”.

Opinionet e ekspertëve ndryshojnë në lidhje me sa ngjitës është virusi i ri i koronavirusit (2019-nCoV), por OBSH vlerëson se çdo i sëmurë do të vazhdojë të infektojë, mesatarisht, midis 1.4 dhe 2.5 persona.

Qeveria kineze ka konfirmuar më shumë se 20,000 raste dhe më shumë se 420 vdekje nga virusi (deri më 4 shkurt).

Filipinet është vendi i parë jashtë Kinës që raporton një vdekje nga virusi, ndërsa edhe në Hong Kong ka ndërruar jetë një 39-vjeçar.

Ndërsa në të gjithë botën vazhdojnë të raportohen raste të reja, po bëjmë një prezantim të shkurtër të masave që kanë ndërmarrë disa vende në përpjekje për të kontrolluar përhapjen e tij.

Qytete të tëra në karantinë

Ekipe mjekësore duke pritur persona të prekur nga koronavirusi. Foto: Facebook/Xi’s Moments

Ndërsa filloi sezoni i udhëtimeve i Vitit të Ri Lunar, qytete të mëdha në të gjithë Kinën anuluan festimet e tyre. Wuhani, një qytet me më shumë se 11 milionë banorë, u izolua, me autobusë, trena dhe fluturime jashtë qytetit të anuluar totalisht.

Qeveria kineze më vonë e zgjeroi kufizimin e saj nga Wuhani edhe në qytete të tjera në provincën Hubei, duke krijuar një zonë të madhe karantine me rreth 50 milionë njerëz.

Provinca Zhejiang, më shumë se 800 km larg Wuhanit, është gjithashtu në karantinë. Edhe pse larg nga epiqendra e virusit, provinca ka numrin më të madh të rasteve të konfirmuara jashtë Hubeit.

Mbyllje kufijsh

Vendet fqinje po kufizojnë udhëtimet drejt dhe nga Kina, ose po i mbyllin kufijtë e tyre me Kinën.

Rusia, e cila raportoi rastet e saj të para të koronavirusit ditët e fundit, ka mbyllur kufirin e saj me Kinën, partnerin e saj më të madh tregtar. Ajo gjithashtu ka kufizuar fluturimet dhe ka ndaluar dhënien e vizave elektronike për shtetasit kinezë.

Përveç mbylljes së kufijve të saj, Mongolia ka pezulluar mësimin në universitet deri më 2 mars për të parandaluar infektimin.

Makau, rajoni me popullsinë më të dendur në botë dhe qendra më e madhe e lojërave të fatit, i cili kufizohet me Hong Kongun, ka mbyllur kazinotë e tij për dy javë.

Carrie Lam e Hong Kongut njoftoi masa të reja për të kufizuar lëvizjen e njerëzve nga Kina, por ndaloi mbylljen e plotë të qytetit. Punonjësit mjekësorë dolën në grevë për të kërkuar mbyllje të plotë.

Shtetet e Bashkuara kanë shpallur gjendjen e emergjencës në lidhje me koronavirusin, megjithëse thonë se rreziku për amerikanët është i ulët.

Kufizime në udhëtim

Ekipe mjekësore duke u kujdesur për persona të prekur nga koronavirusi. Foto: Facebook/Xi’s Moments

OBSH nuk rekomandon kufizime në tregti dhe udhëtime për të frenuar përhapjen e virusit. Por vende në mbarë botën, përfshirë SHBA-ja, Australia, Filipinet, Japonia dhe Izraeli, kanë vendosur kufizime të rrepta për udhëtarët që kanë qenë kohët e fundit në Kinë dhe gjithashtu kanë paralajmëruar qytetarët e tyre kundër udhëtimeve drejt Kinës.

Japonia ka vendosur në karantinë një anije me rreth 3,700 persona në të, pasi në bord u gjet një rast koronavirusi.

SHBA po i mohon përkohësisht hyrjen të gjithë shtetasve të huaj që kanë vizituar Kinën në 14 ditët e kaluara. Qytetarët amerikanë, banorët e përhershëm që kthehen nga provinca e Hubeit do të vendosen në karantinë për 14 ditë, që është periudha më e gjatë e inkubacionit për virusin.

Australia po merr masa të ngjashme të rrepta, duke ndaluar përkohësisht këdo që udhëton ose kalon nëpër territorin e Kinës nga data 1 shkurt – me përjashtim të qytetarëve australianë, banorëve të përhershëm ose familjarëve të tyre, si dhe ekuipazhet ajrore që kanë ndërmarrë masa për t’u mbrojtur nga infeksioni.

Qytetarëve australianë dhe banorëve që kthehen nga Kina u është kërkuar të rrinë të izoluar për 14 ditë. Qeveria gjithashtu e përditësoi paralajmërimin e saj për udhëtimet, duke rekomanduar të mos ketë asnjë udhëtim nga Australia në Kinë.

Filipinet kanë njoftuar një ndalim të përkohshëm të hyrjes për shumicën e udhëtarëve që kanë qenë kohët e fundit në Kinë.

Aeroportet kryesore kanë prezantuar një sërë masash parandaluese duke filluar nga kontrollimi i pasagjerëve për simptoma deri te dezinfektimi i avionëve dhe terminaleve. Por një numër i madh linjash ajrore po i pezullojnë ose po i ulin në mënyrë drastike fluturimet drejt Kinës.

Pothuajse 10,000 fluturime janë anuluar që nga shpërthimi i koronavirusit dhe 31 janari, sipas Cirium.

Evakuim dhe karantinë

Australia, Franca, India, Indonezia, Japonia, Rusia, Tajlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja janë midis vendeve që po evakuojnë shtetasit e tyre që kanë mbetur në Hubei që nga shpërthimi i virusit dhe po i vendosin ata në karantinë.

Qeveria australiane po i çon qytetarët në  Ishullin e Krishtlindjeve, më shumë se 3,000 km larg Australisë, dhe i vendos ata në karantinë në një qendër paraburgimi për emigrantët për 14 ditë.

Indonezia po i strehon personat e evakuuar në një ndërtesë ushtarake në ishullin verior Natuna Besar, i cili ka një spital.

Mbretëria e Bashkuar, e cila ka tërhequr personelin jo thelbësor nga ambasadat dhe konsullatat në Kinë, po i monitoron të evakuuarit e saj për 14 ditë në blloqe apartamentesh që normalisht përdoren për të akomoduar infermiere.