Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër vendosi masë sigurie me 30 ditë burgim për punonjësin e policisë të akuzuar pas një denoncimi në media se kishte abuzuar me një të mitur. Ai mohoi akuzat.
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër vendosi të lërë në qeli për 30 ditë oficerin e policisë Berhan Bajrakurtaj, në pritje të rezultateve të hetimit nga prokuroria, ndërsa autoritetet pretendojnë se ende nuk e dinë kush është denoncuesja e policit.
Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura të enjten. Kryesuese e saj ishte gjyqtarja Irida Kacerja, prokuror Vat Staka dhe avokat mbrojtës Xhelal Kraja. Mësohet se në sallën e gjyqit vetë Bajrakurtaj ka mohuar akuzën për ngacmim seksuale ndaj një të miture. “Nuk kam ngacmuar asnjë të mitur. Kam qenë në shtëpinë time kur është regjistruar video dhe nuk e di se si është bërë publike”, ka thënë ai.
Berhan Bajrakurti, me detyrë oficer i policimit në komunitet në Gruemirë të Malësisë së Madhe, u denoncua në portalin Neësbomb.al nga një grua anonime. Denoncimi përfshinte një video, në të cilën oficeri shfaqej i zhveshur, që sipas gruas i ishte dërguar vajzës së saj 15-vjeçare. Gruaja akuzoi punonjësin e policisë për abuzim, përndjekje dhe kërcënim për të mos lejuar denoncimin.
Gruaja u ankua se nuk i ishte marrë denoncim as në komisariatin e Koplikut dhe as Drejtorinë e Policisë në Shkodër. Por Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pas një vizite në këtë komisariat tha se nuk kishte pasur përpjekje për të denoncuar rastin dhe se policia aty nuk e dinte se kush ishte denoncuesja. Lleshaj tha se policia po hetonte rastin.
Çështja do të gjykohet nga trupa që merret me rastet e të miturve, ndërkohë pritet që brenda 30 ditëve prokuroria të ketë plotësuar hetimin. Bajrakurtaj vetë tha para gjykatës se ai nuk dinte të përdorte telefonin dhe se dikush mund të kishte abuzuar, pasi ai kishte lënë telefonin për disa ditë në servis.
Familjarët e policit po ashtu pretendojnë se gjithçka është e sajuar nga media dhe nuk ka prova, megjithatë, vëllai i të arrestuarit u tha gazetarëve para gjykatës se nëse ai ka abuzuar me një të mitur “Ai nuk është vëllai ynë” dhe shtoi se ndjeheshin të turpëruar.
Të dielën dhjetra qytetarë marshuan në rrugët e Tiranës në protestë kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave.