Lajm20 Nov 2020

Mashtroi me llogari bamirësie për tërmetin në emër të Edi Ramës, dënohet 30-vjeçari

Gjykata e Lezhës gjeti fajtor një 30-vjeçar që pati përdorur emrin e kryeministrit Edi Rama për të marrë 2 mijë euro nga dhurues të ndryshëm me premtimin se do përdoreshin për të prekurit nga tërmeti.

Autor: Elvis Hila BIRN Lezhë
Printo

Pallati i shkaterruar nga termeti ne Thumane te Krujes, ku humben jeten pjesa me e madhe e viktimave. Foto: Vladimir Karaj

Gjykata e Lezhës shpalli fajtor, Arian Melin një 30-vjeçar, i cili shrytëzoi situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, për të përfituar 2 mijë euro duke mashtruar sikur po bënte bamirësi dhe përdorur emrin e kryeministrit. Megjithatë gjykata vendosi t’i pezullojë dënimin me burg, 30-vjeçarit duke cituar si shkak shëndetin e tij mendorë.

Meli u dënua me 7 vite burg për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, por duke qenë se kërkoi gjykim të shkurtuar dënimi u ul 4 vite, të cilat u pezulluan për një periudhë prove tre vjeçare me kërkesë të prokurorisë, që citoi si arsye problemet mendore dhe një sëmundje të zemrës së 30-vjeçarit. Gjykata vendosi kthimi i shumave të parave të dëmtuarve.

30-vjeçari u arrestua në nëntor të vitit 2019, pasi duke përdorur rrjetin social facebook publikoi dy numra llogaria dhe në emer të kryeministrit Edi Rama ju kërkonte qytetarëve që të kontribonin me vlera monetare për banorët e prekur nga tërmeti.

Meli kishte hapur një faqe me emrin “Rilindje” në të cilën postonte duke përdorur emrin e kryeministrur. Në këtë faqe, 30-vjeçari kishte postuar një status, ku u bënte thirrje qytetarëve për solidarizim duke kontribuar në vlera monetare në dy numra llogarie, të cilat ishin në emrin e tij.

Nga hetimet e prokurorisë rezulton se brenda një kohë të shkurtër 10 qytetarë të cilët ishin kryesisht shqiptar nga Kosova ranë pre e mashtrimit, ndërsa në llogarinë e Melit u bllokuan rreth 2 mijë euro.

Meli pranoi akuzën, ndërsa avokati i tij i tha gjykatës se ai kishte vepruar për shkak të problemeve shëndetësore dhe gjendjes së tij mendore.

Arian Meli qëndroi afro tre muaj në burg me masë sigurie, por më pas gjykata zbuti qëndrimin për shkak të problemeve shëndetësore të tij dhe e caktuan atë me masën detyrim paraqitje.

Shqipëria humbi 51 persona nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa 913 të tjerë u plagosën. 200 mijë persona mbetën të pastrehë, ndërsa qeveria publikoi një bilanc dëmesh prej rreth 1 miliard eurosh. Menjëherë pas tragjedisë miliona dollarë u mblodhën nga organizata të ndryshme banirësie dhe vetë qeveria, por situta u shfrytëzua edhe për përfitime personale.