Policia e Durrësit njoftoi arrestimin e tre personave të dyshuar se klononin kartat e kreditit të turistëve duke u marrë 84 mijë euro.
Policia e Durrësit njoftoi mëngjesin e së mërkurës arrestimin e tre personave që dyshohet se kishin klonuar karta bankare të disa turistëve dhe kishin marrë prej tyre deri në 84 mijë euro.
“3 të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin mashtronin shtetasit e huaj që kryenin rezervime për qëllime turizmi në vendin tonë, duke arritur t’i klononin atyre kartat bankare”, thuhet në njoftimin e policisë.
Operacioni policor i koduar “BOOKING”, kishte sipas policisë fokus goditjen e mashtrimit kompjuterik vuri në pranga 43 vjeçaren me iniciale B. G., 24 vjeçaren me iniciale S. G. dhe 31 vjeçarin me iniciale M. B., të gjithë banues në Durrës.
“Pas një hetimi disamujor u siguruan prova bindëse për veprimtarinë kriminale të 3 shtetasve, për të cilët Prokuroria urdhëroi ndalimin e tyre”, njoftoi Policia e Durrësit në një deklaratë për mediat.
Operacioni sipas policisë u koordinua midis Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Durrësit dhe Sektorit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit.
Policia i referoi materialet procedurale në ngarkim të të arrestuarve pranë Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.