Krerët e dy partive në qeveri, PS dhe LSI, u shprehën të gatshëm sot të diskutojnë kërkesat e opozitës protestuese ndërsa opozita publikoi një listë të re me kërkesa, ku përfshihen dekriminalizimi, lufta kundër krimit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe zbatimi i reformës në drejtësi.
Maxhoranca qeverisëse ofroi për herë të parë gatishmërinë e vet për të diskutuar kërkesat e opozitës, e cila po zhvillon një protestë të vazhdueshme në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë që nga 18 shkurti.
Në një njoftim për shtyp pas një takimi mes kryeministrit Edi Rama si kryetar i Partisë Socialiste dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim të zhvilluar në Tiranë mëngjesin e 3 marsit, maxhoranca bëri të ditur se “koalicioni qeverisës është i gatshëm të dialogojë me opozitën për domosdoshmërinë e çuarjes përpara të këtyre reformave me interes kombëtar e publik, duke mirëpritur edhe çdo propozim konkret dhe realist të opozitës për procesin zgjedhor”.
Pak më vonë Partia Demokratike në opozitë iu përgjigj pozitivisht ftesës duke deklaruar se është e gatshme të dialogojë, por pa hequr dorë nga parakushti për krijimin e një qeverie “me mbështetje të gjerë politike”.
Partia Demokratike ka protestuar në Tiranë që nga 18 shkurti si dhe ka bojkotuar punimet e Kuvendit të Shqipërisë, ku prania e saj është e domosdoshme për të çuar përpara procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë.
Faktori ndërkombëtar ka refuzuar deri tani të shërbejë si ndërmjetës, por i ka kërkuar opozitës të rikthehet në parlament për të vijuar punën për zbatimin e reformës në drejtësi. Opozita thotë se nuk synon të bllokojë vetingun por kërkon krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por shumë diplomatë nuk janë të bindur dhe disa kanë shprehur publikisht se protesta mund të jetë një alibi për bllokimin e reformës në drejtësi gjatë javëve në vijim, duke djegur në këtë mënyrë edhe afatet kushtetuese të përcaktuara për zbatimin e reformës.