Lajm3 Nov 2021

Mazhoranca rrëzon kalendarin e PD për vetingun e politikës

Ndërsa opozita tentoi të bashkojë zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut me nismën e saj për vetingun e politikanëve, socialistët duken të vendosur për t’i mbajtur ndryshimet kushtetuese të ndara.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Foto: LSA

Mbledhja e Përbashkët e Këshillit Legjislativ nuk arriti dot të miratojë një kalendar pune për shqyrtimin e nismës së PD-së për vetingun politik. PD tentoi të bashkojë me anë të kalendarit nismën  e saj me nismën e PS-së për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut, por kjo u kundërshtua nga socialistët.

Këshilli Legjislativ i Kuvendit mori në shqyrtim të mërkurën nismën e deputetëve të Partisë Demokratike për vetingun e politikës, por nuk gjeti dakordësi për bashkimin e kalendarit të punës me nismën e PS-së për zgjatjen e afateve të organeve të vetingut.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj, prezantoi nismën ligjore, e cila synon ndryshimin e Kushtetutës në disa nene, ku përfshihet dhe kërkesa për realizimin e vetingut të politikave dhe zyrtarëve të lartë publikë. Por kalendari i punës i sjellë nga opozita u kundërshtua nga anëtarët socialistë, pasi ishte i njëjtë me kalendarin e punës të miratuar në mbledhjen e kaluar për zgjatjen e afateve të organeve të vetingut. Edhe propozimi i Rushajt që të ndryshohej vetëm ora, po ditët të ishin të njëjta, nuk u pranua nga mazhoranca.

Debati u rikthye aty ku ishte lënë mbledhjen e shkuar nëse ishte e arsyeshme të bashkohej diskutimi i dy nismave për ndryshime kushtetuese.  Deputetja socialiste, Ermonela Felaj tha se “nismat nuk mund të bashkoheshin për nga natyra e tyre përmbajtësore” duke e cilësuar zgjatjen e organeve të vetingut si nismë teknike.

Ndërsa për opozitën, ecja paralelisht me dy nismat krijon konfuzion. “Nuk mund të ketë asnjë nismë teknike për ndryshimin e Kushtetutës,” tha deputeti Gazmend Bardhi, i cili kërkoi që Këshilli të mos kthehej në “një mbledhje partizane”.

Propozimi PS-së që kalendari të miratohej në mbledhjen e ardhshme u kundërshtua nga opozita, e cila akuzoi kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, për qëndrim të njëanshëm dhe se “po hedh në erë dialogun politik”.

Deputetët demokratë braktisën mbledhjen, ndërkohë që Nikolla hodhi në votim propozimin e PS-së për shtyrjen e diskutimeve për kalendarin në mbledhjen e ditës së premte, duke e bërë të pamundur bashkimin e nismave, pasi puna për nismën e PS-së nis të premten.

Ndërsa opozita po tenton të kushtëzojë votën për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut me nismën për vetingun e politikës, mazhoranca socialiste duket se ka vendosur që t’i trajtojë ato të ndara.

Para mbledhjes së Këshillit Legjislativ, dy krerët e grupeve më të mëdha parlamentare, Taulant Balla dhe Alfred Rushaj,  u takuan me  ambasadoren amerikane Yuri Kim. I pyetur nga BIRN se për çfarë u ra dakord në këtë takim, Taulant Balla tha se “nismat kushtetuese nuk do të bashkohen“.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *