Policia ndërhyri të shtunën duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë qindra mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët rrethuan selinë e Partisë Demokratike dhe përdorën mjete të forta për të shpërthyer dyert, ndërsa deputetë të kësaj partie dhe kreu i demokratëve, Lulzim Basha ishin të barrikaduar brenda.
Nëpërmjet një deklaratë për shtyp Policia e Shtetit njoftoi së ndërhyrja e saj kishte ardhur pas një kërkesë të bërë nga një grup deputetësh të PD-së, të cilëve ‘ju rrezikohej jeta nga protestuesit'.
Forcat e rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë përdorën gaz lotësjellës dhe autobotë me ujë për të larguar mbështetësit e Berishës, të cilët më pas marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit', përpara se të shpërndaheshin.
Protestuesit e udhëhequr nga Sali Berisha përdorën shkallë, vare dhe shufra hekuri, në përpjekje për të shpërthyer dyert e selisë së PD-së, ndërsa mbështetësit e Bashës brenda selisë u kundërpërgjigjën me gaz lakrimogjen, përpara se të ndërhynte policia.
Në një deklaratë për gazetarët në përmbyllje të protestës, Sali Berisha deklaroi se protesta e së shtunës ishte vetëm fillimi i një luftë plot sakrifica për ta rikthyer PD-në në pushtet.
“Prej kohësh ju kam deklaruar se ky është një revolucion i pandalshëm,” tha Berisha. “Ky ndalet vetëm me përmbysjen e narkoshtetit,” shtoi ai, ndërsa theksoi se “ky revolucion synon rikthimin në pushtet përmes votës së lirë të PD.”
Përplasja e dhunshme midis mbështetësve të Partisë Demokratike ka lënë të paktën një person të plagosur. Ndërkohë Prokuroria e Rrethit Gjyësor Tiranë, ka nisur një hetim duke mbledhur provat nga vendi i ngjarjes.
“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve procedurale, në selinë e Partisë Demokratike, për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës,” njoftoi Policia e Shtetit.
Dhuna që shpërtheu të shtunën në selinë e PD-së është kulminimi i përplasjes midis liderit aktual Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për lidershipin e partisë, konflikt i cili shpërtheu pas shpalljes së Berishës ‘non-grata' nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe largimit të tij nga grupi parlamentar i PD-së me urdhër të Bashës.
Përfaqësitë diplomatike në Tiranë e dënuan dhunën në selinë e PD-së dhe i bënë thirrje palëve për qetësi.
“Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë,” tha Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë. “Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm.”
Deklarata të ngjashme për qetësi pas përplasjes së dhunshme mes mbështetësve të PD-së u bënë edhe nga ambasadorja e SHBA-së, ambasadori Gjerman dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar.