Policia bllokoi një zonë të gjerë në qendër të Tiranës të martën ndërsa mijëra mbështetës të opozitës protestuan duke kërkuar rrëzimin e kryeministrit Rama ndërsa ky i fundit deklaroi se “mandati i tij është i panegociueshëm”.
Forca të shumta policore krijuan kordonë të shumëfishtë duke ndaluar qarkullimin në një zonë të gjerë të Tiranës përreth ndërtesës se seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë ndërkohë që mijëra mbështetës të opozitës protestuan jashtë saj duke kërkuar rrëzimin e qeverisë.
Brenda Kuvendit të Shqipërisë, disa deputetë të rinj bënë betimin pasi pranuan të zëvendësojnë deputetët e dorëhequr të partive opozitare, kryesisht ato të LSI-së.
Protesta e opozitës kaloi në përgjithësi pa incidente ndërsa disa prej tyre dogjën goma dhe pankarta para kordonit të policisë në hyrjen kryesore të kuvendit në rrugën George Bush ndërsa hodhën bomba tymyese dhe fishekzjarre të zhurmshme. Policia duket se sprucoi gaz lotsjellës për pak minuta në një zonë të kufizuar pranë gardhit të policisë ndërsa në podiumin e improvizuar nga opozita, udhëheqësi i PD Lulzim Basha fliste para mbështetësve të tij.
“Edi Rama ka mbaruar, regjimi i tij ka marrë fund,” tha Basha ndërsa protestuesit bërtisnin “Rama Ik! Rama Ik!”.
” Zgjidhja e vetme politike është largimi një orë e më parë, i autorit kryesor, i zullumqarit Edi Rama. Ikja e tij është fundi i pjesës së parë të kësaj beteje, e cila do të vazhdojmë me bashkimin më të madh të shpresës së shqiptarëve që ka ndodhur në dy dekada,” deklaroi Basha.
Brenda kuvendit të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama iu përgjigj në distancë kërkesave të opozitës për dorëheqje: ” Ne jemi në të drejtën tonë. Jemi gjithmonë të gatshëm të flasim, në çdo moment, dora jonë e shtrirë, jemi gati të dialogojmë për gjithçka por ne nuk jemi gati dhe s'do jemi asnjëherë të negociojmë rregullat themelore që bëjnë ndryshimin mes këtij sistemi ku njerëzit zgjedhin dhe respektojnë mandatin dhe çdo sistemi tjetër,” tha ai.
“Demokracinë, parlamentarizmin dhe mbi të gjitha mandatin e marrë nga shumica dërrmuese e qytetarëve ne nuk e negociojmë me askënd”, shtoi Rama.
Në Kuvendin e Shqipërisë të martën u betuan katër deputetë të rinj, të cilët në vitin 2017 gjendeshin në listat e kandidatëve të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.