Rreziqet e vërteta të familjes rumune nuk janë martesat e të njëjtit seks, por shkalla tronditëse e varfërisë, një kulturë dhune në familje dhe mungesa kronike e mbështetjes për gratë e dhunuara.
Askush nuk e vë në dyshim se familja është në rrezik në Rumani. Vendi ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë së foshnjave në të gjithë BE-në, me 7.6 vdekje për çdo 1,000 fëmijë të sapolindur – dyfishin e mesatares europiane. Pavarësisht kësaj, Rumania shpenzon më pak për shëndetin dhe arsimimin nga të gjithë vendet e BE-së.
Prindërit e pothuajse 95,000 fëmijëve rumunë po punojnë jashtë vendit. Disa nga këta të mitur janë nën kujdesin e të afërmve dhe miqve të familjes, nuk mbikëqyren nga asnjë autoritet shtetëror për të siguruar mirëqenien e tyre. Të tjerët janë në kujdesin institucional ose me kujdestarë.
Një e katërta e popullsisë rumune jeton në varfëri. Sipas një studimi të vitit 2017 nga Instituti Kombëtar i Statistikave, kjo do të thotë 5,006,000 rumunë.
Ka akoma më shumë. Nga 4 milion fëmijë rumunë, 300,000 nuk shkojnë në shkollë dhe gjysma e të gjithë fëmijëve në Rumani janë në rrezik varfërie. Shteti nuk ka programe kundër varfërisë apo programe për qëndrim në shkollë.
Rumania ka gjithashtu përqindjen më të lartë të nënave të mitura në BE.
Për vite me radhë, organizatat si Save the Children dhe World Vision janë përpjekur të ndihmojnë vajzat që nuk kanë qasje në shërbimet mjekësore, edhe pse adoleshentet shtatzëna kanë rrezikun më të lartë të vdekjes gjatë sjelljes në jetë të fëmijës. Në prill të këtij viti, Senati rumun miratoi një ligj që ndalon edukimin seksual në shkolla.
Në 2017, policia rumune regjistroi mbi 20,000 raste dhune në familje, 84 prej të cilave rezultuan me vdekje. Gjithashtu vitin e kaluar, 65 prindër u dënuan për përdhunimin e fëmijëve të tyre.
Disa qarqe në Rumani nuk kanë qendra strehimi për viktimat e dhunës në familje. Atje ku ato ekzistojnë, numri i shtretërve është i pamjaftueshëm. Shumica nuk financohen dhe as mbështeten nga shteti, por nga shoqata të ndryshme.
Një lëvizje cinike nga politikanët në pushtet
Duke filluar nga viti 2015, një shoqatë qytetare, Koalicioni për Familjen (Coaliţia pentru Familie) – me ndihmën e Kishës Ortodokse Rumune – mblodhi 3 milion firma për të ndryshuar një përkufizim në kushtetutë.
Ai tani lexon se “familja bazohet në një martesë të dakorduar lirisht midis bashkëshortëve”. Koalicioni dëshiron të ndryshojë “bashkëshortët” në “një burrë dhe një grua”.
Kjo nuk do të shkaktonte asnjë ndryshim në ligjin aktual, pasi një ligj në Kodin Civil parashikon që “bashkëshortë” do të thotë “një burrë dhe një grua e bashkuar në martesë”.
Ky referendum, i cili do të kushtojë 35 milionë euro, është një ftesë për urrejtje dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Nëpër qytete janë vendosur postera me mesazhe si: “Nëse nuk vini të votoni, dy burra mund të birësojnë fëmijën tuaj.”
Kohët e fundit, Facebooku është mbushur me komente të urryera kundër komunitetit LGBT, të diskriminuar tashmë në Rumani.
Vendi është i ndarë në dy pjesë – njëri është pro-perëndimor dhe ka një standard më të lartë të jetesës, tjetri është i varfër, i paarsimuar dhe është i lehtë për t’u manipuluar. Armiqësia e ndërsjellë po thellohet gjithnjë e më shumë, me ndihmën e klasës politike.
Por për koalicionin qeverisës Social Demokrate-ALDE, referendumi është një shans për një rilindje politike.
Të dyja palët kanë dëmtuar imazhet e tyre në mandatin e tyre aktual, gjatë të cilit interesi i tyre i vetëm duket se ka qenë ndryshimi i ligjit për të ndihmuar individët e korruptuar, jo për të qeverisur një vend që përballet me gripin e derrit, infeksione të marra nëpër spitale, shkolla pa tualete dhe një krizë financiare.
Liviu Dragnea, kryetari i Social Demokratëve, PSD, dhe kryetari i Dhomës së Deputetëve, ka marrë një dënim me burg të shkallës së parë prej tre vjet e gjashtë muajsh. Duke qenë se ky dënim nuk është pezulluar, shansi i tij i vetëm për të shmangur burgun është të miratojë Ligji për Amnisti dhe Falje.
Referendumi mund ta shpëtojë atë, duke zhvendosur vëmendjen nga ky ligj polemik në situatën e komunitetit lokal LGBT.
Që referendumi të jetë i vlefshëm, duhet të marrin pjesë 30 për qind e votuesve të regjistruar, ose 5.6 milionë njerëz. Koalicioni PSD-ALDE, i cili ka një shumicë në parlament dhe mbështet këtë nismë, ka vendosur që referendumi të mbahet gjatë dy ditëve, më 6 dhe 7 tetor, për të siguruar numrin e votave që i nevojiten.
Asnjë mbrojtje për gratë viktima të dhunës në familje
Protestuesit #rezisto, komuniteti LGBT dhe shtetas të ndryshëm pro-europian kanë lajmëruar se s’do të marrin pjesë në referendum.
Facebooku është mbushur me hashtage që bëjnë thirrje për bojkot: #bojkot, #numerglareferendum (“Unë s’do të shkoj në referendum), #iubireanusevoteaza (“dashuria s’është çështje për t’u votuar”), #stauacasa (“Unë do të rri në shtëpi”).
Argumentet kundër bojkotit variojnë nga ideja se të drejtat e njeriut nuk mund të nënshtrohen votimit deri te dyshime për 3 milion firmat (nuk ka prova të shkruara ose të fotografuara për mbledhjen e firmave) dhe se vendi ka probleme të tjera për të zgjidhur.
Një nga këto probleme është dhuna në familje.
Në vitin 2015, kur fillova të hulumtoja një projekt për dhunën në familje, policia e Bukureshtit më tha se numri i viktimave të dhunës në familje tejkalon numrin e viktimave të aksidenteve të trafikut rrugor.
Gjërat nuk kanë ndryshuar shumë që nga ajo kohë. Në dy vitet gjatë të cilave kam dokumentuar histori mbi dhunën në familje, kam mësuar se në komunitetet tradicionale rumune, burri ka të drejtë të rrahë gruan dhe fëmijët e tij.
Nuk kemi protokolle ndërinstitucionale për të mbrojtur gratë dhe fëmijët. Nëse mësuesit vërejnë se një fëmijë rrihet në shtëpi, ata nuk e dinë se me kë duhet të flasin. Punonjësit social lokal shpesh janë në dijeni të rasteve të dhunës, por nuk përfshihen.
Gratë nuk janë në dijeni të ligjeve që i mbrojnë ato, që ato mund të kërkojnë një urdhër kufizues dhe mund të shkojnë në një qendër strehimi për viktimat e dhunës në familje – nëse ka një të tillë në zonën ku ato jetojnë.
Në vitin 2014, takova një grua me nëntë fëmijë që ishte abuzuar dhunshëm nga i shoqi para të gjithë komunitetit.
Maria Ionita jetonte në një fshat të vogël në Rumaninë verilindore – një nga rajonet më të varfra të vendit – dhe, pasi kishte shkuar në shkollë vetëm disa vjet, ajo varej financiarisht nga burri i saj.
Burri i saj e dogji atë me cigare, e rrahu derisa ajo humbi ndjenjat dhe madje e lidhi edhe pas krevatit para të nëntë fëmijëve të tyre.
Pasi i çau shpretkën, Maria përfundoi në spital dhe u çua në një strehë për viktima të dhunës në familje në qytetin më të afërt.
Por atë e pranuan vetëm me fëmijën e saj më të vogël, i cili ushqehej ende me gji. Nuk kishte mjaftueshëm shtretër për nëntë fëmijët e saj, të cilët qëndruan në shtëpi me babanë e tyre. Disa muaj më vonë, Maria u rikthye tek ata.
Unë publikova historinë e saj, por, përveç se bëra që disa njerëz t’i dërgonin rroba, ushqim dhe mjete shkollore për fëmijët, nuk arrita ta ndihmoja dot atë. Policia nuk bëri asgjë, punonjësit social në fshat u zhytën nëpër burokraci, Mbrojtja e Fëmijëve e harroi çështjen. Shteti rumun nuk dinte si ta ndihmonte këtë grua.
Më 30 qershor 2017, bashkëshorti i Marias, Dumitru, e vrau atë dhe më pas vari veten. Trupat e tyre u gjetën nga tre nga fëmijët e tyre të mitur.
Këtë tetor shteti rumun po organizon një referendum mbi familjen, i cili po kushton 35 milionë euro.
Për disa shtetas të Rumanisë, “familja” ka gjëra të tjera për të cilat të shqetësohet.
Burimi i statistikave: Instituti Kombëtar i Statistikave, Autoriteti Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës dhe Birësimit, UNICEF Rumania.
Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.