Opinion1 Feb 2021

Mbështetja për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE s’do t’i prishë punë Marcron-it

Një studim i ri tregon se nuk ka asnjë kuptim politik që Franca të bllokojë vendet kandidate në Ballkanin Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Autor: Srdjan Cvijic BIRN Vjenë
Printo

Presidenti francez Emmanuel Macron. Foto: Facebook/Emmanuel Macron.

Në 2004, pas zgjerimit të madh dhe kur shumë vende në BE kundërshtonin pranimin e shpejtë të Rumanisë dhe Bullgarisë, Franca ishte përkrahësja e tyre. Pushteti i Francës parandaloi vonesat e mëtejshme.

Sot Parisi po kryeson paketën e skeptikëve të zgjerimit. Para se Bullgaria të vinte veton në hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Maqedoninë e Veriut në dhjetor të vitit të kaluar, Franca po frenonte në rrugën e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sondazhet e kaluara tregojnë se Franca është ndër vendet europiane që e kundështojnë më ashpër zgjerimin e BE-së.

Në Eurobarometrin e vitit 2019, vetëm një e treta e të anketuarve francezë – 32 për qind – e miratonin zgjerimin, ndërsa 58 për qind ishin kundër. Kjo ishte e krahasueshme me opinionin në Gjermani ose Austri, ku 57 për qind ishin gjithashtu kundër – por pavarësisht kësaj, qeveritë e këtyre vendeve favorizojnë fuqimisht anëtarësimin në BE për Ballkanin Perëndimor.

Sot, shumë më tepër sesa në vitin 2004, perceptimet e opinionit publik diktojnë politikat e Francës drejt anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Në debatet televizive përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj 2019, shumica dërrmuese e partive franceze konkurronin në zellin e tyre kundër zgjerimit.

Elita politike franceze nuk është në të vërtetë kundër anëtarësimit në BE të këtyre vendeve. Por, nga frika e ndëshkimit elektoral, presidenti Emmanuel Macron dhe qeveria e tij hezitojnë të paraqiten si mbështetës të zgjerimit. Ata ranë dakord vetëm për hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian dhe pas emërimit të Komisionit të ri Europian – dhe në mes të pandemisë, kur menduan se askush nuk po i shikonte.

Por, a u intereson vërtet kjo gjë votuesve francezë? Politikanët francezë, të gatshëm për të kryer hulumtime të thelluara mbi një temë të tillë, janë mbështetur në sondazhe sipërfaqësore – dhe tek intuita e tyre. Por thjesht të pyesësh njerëzit nëse janë pro apo kundër një çështjeje të panjohur, siç është zgjerimi i BE-së, nuk është njësoj si të vlerësosh se sa shumë rëndësi ka kjo çështje për ta dhe se sa mund të ndikojë kjo në votën e tyre.

Një raport i botuar të hënën nga Instituti i Politikave Europiane i Shoqërisë së Hapur dhe grupi i pavarur “d|part” ofrojnë një analizë më të thellë. Nëpërmjet sondazheve të opinioneve dhe grupeve të fokusit, studimi zbulon se çështja e pranimit të Ballkanit Perëndimor nuk është shumë e rëndësishme për shumicën e popullsisë franceze.

Dallimi në qëndrimet ndaj anëtarësimit të Turqisë është i habitshëm. Të pyetur në lidhje me pranimin e mundshëm të Turqisë në BE, 53 për qind e të anketuarve francezë thanë se ishin të shqetësuar për ndikimin e kësaj gjëje- kryesisht negative – në jetën e tyre. Ndryshe nga kjo, pak më shumë se një e katërta – 26 për qind – prisnin një ndikim të rëndësishëm nga anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Duke pasur parasysh rëndësinë e ulët të kësaj çështjeje për votuesit francezë,  zgjerimi i vazhdueshëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk ka gjasa të ketë një ndikim në zgjedhjet franceze. Frika se votuesit mund ta penalizojnë qeverinë franceze lidhur me këtë çështje duket e pabazuar. Të përballur me një video të politikanëve që argumentojnë rreth zgjerimit në debatin elektoral të majit 2019, pothuajse të gjithë pjesëmarrësit e grupeve të fokusit e shoqëruan këtë gjë me hutim dhe nënqeshje përbuzëse.

Qëndrimet publike pasqyrojnë pikëpamjet e përgjithshme të BE-së më shumë sesa stereotipe ose shqetësime specifike për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të thotë që praktikisht asnjë pjesë e elektoratit francez nuk është pro-BE-së, por kundër zgjerimit të saj në Ballkanin Perëndimor. Vetëm një pakicë e vogël, afërsisht 22 për qind e popullsisë, njerëz që ndoshta nuk do të votonin për partitë kryesore në radhë të parë, mund ta përkthejnë pakënaqësinë e tyre për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një votë kundër qeverisë.

Në të gjithë grupet e fokusit, pjesëmarrësit, përfshirë disa kundërshtarë të ashpër të zgjerimit, pranuan që anëtarësimi në BE i Ballkanit Perëndimor do të sillte përparësi gjeopolitike. Ata thanë se anëtarësimi në BE mund ta mbrojë rajonin nga ndikimi malinj rus, kinez apo edhe amerikan. Kur iu tregua një hartë e Europës me vendet anëtare aktuale të theksuara, një numër pjesëmarrësish në grupet kundër u befasuan që këto vende nuk ishin ende anëtare të BE-së. Në mënyrë thelbësore, ky argument gjeopolitik veçon qartë vendet në Ballkanin Perëndimor nga Turqia, perspektivat e të cilave të anëtarësimit në BE tërheqin kundërshtime në të gjithë bordin.

Për shumë njerëz në Francë, zgjerimi në Ballkanin Perëndimor shoqërohet me shqetësime mbi kohezionin europian, ndjenja mosbesimi në BE dhe mungesë kontrolli.

Por ajo që tregon ky hulumtim, megjithatë, është se nuk ka asnjë kuptim politik që Franca të bllokojë vendet kandidate në rrugën e tyre të anëtarësimit në BE. Mbështetja për pranimin e Ballkanit Perëndimor nuk do të dëmtonte shanset që presidenti Macron të rizgjidhej në vitin 2022. Për më tepër, kjo do të forconte prestigjin e tij në Berlin dhe në shumicën e kryeqyteteve të BE-së, të cilat e shohin zgjerimin e Ballkanit Perëndimor si përfundimin e unifikimit të Europës.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.