Opinion7 Apr 2020

Mbështetja për rrëzimin e Kurtit, SHBA po vë në provë besnikërinë e Kosovës

Uashingtoni duhet të qetësojë ndjenjën anti-perëndimore në rritje në Kosovë të shkaktuar nga mbështetja e tij e vazhdueshme për një grup liderësh politikanë të vjetër dhe të korruptuar, si dhe mbështetja për rrëzimin e një lideri popullor.

Autor: Fron Nahzi BIRN Uashington
Printo

Albin Kurti. Foto: Atdhe Mulla.

Shumë kohë para se Albin Kurti të bëhej kryeministër i Kosovës, ai kishte krijuar një reputacion si një nacionalist i krahut të majtë i cili ishte i gatshëm të përballej me Perëndimin.

Ai kishte themeluar Lëvizjen Vetëvendosje, për ta çliruar Kosovën nga Kombet e Bashkuara dhe organet administrative të Bashkimit Europian, për të cilat ai mendonte se neglizhonin interesat më të mira të Kosovës.

Organizatat vendore dhe ndërkombëtare shpesh i kritikonin Kombet e Bashkuara dhe BE-në se nuk po arrinin ta ndalonin dot shndërrimin e Kosovës në një shtet mafioz. Ndërsa zhgënjimi rritej për shkak të pamundësisë së tyre për të frenuar korrupsionin, shumë kosovarë, veçanërisht të rinjtë, iu bashkuan lëvizjes së Kurtit.

Për vite me radhë, Kurti drejtoi protesta masive kundër Kombeve të Bashkuara dhe BE-së, të cilat ndonjëherë u shoqëruan edhe me sulme të dhunshme, duke i fajësuar ata se kishin lejuar Partinë Demokratike të Kosovës në pushtet, PDK, dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, të plaçkitnin burimet e vendit – dhe për ndërmjetësimin e marrëveshjeve që shpesh favorizonin Serbinë.

Në vitin 2013, Vetëvendosja protestoi kundër “ndarjes së butë” të Kosovës sipas të cilës Kombet e Bashkuara i dhanë komunave me shumicë serbe autonomi të konsiderueshme nga qeveria në Prishtinë.

Kurti dhe ndjekësit e tij u përplasën edhe me SHBA-në. Në vitin 2012, ambasadorja amerikane akuzoi Kurtin dhe pasuesit e tij se i kishin dërguar një letre kërcënuese ish-sekretares amerikane të shtetit Madeleine Albright, në lidhje me një përpjekje për të marrë përsipër kompaninë shtetërore të telekomunikacionit të Kosovës, PTK. Në vitin 2013, një protestë e Vetëvendosjes përpara Asamblesë së Kosovës doli nga duart dhe ambasadorja amerikane lëndoi krahun ndërsa përpiqej të kalonte përmes protestuesve, të cilën ajo fajësoi për demonstruesit. Në të dyja rastet, Vetëvendosja i mohoi akuzat.

Më 23 mars të këtij viti, qeveria e sapozgjedhur e Kurtit u bë viktima e parë politike e pandemisë COVID-19. Rënia e qeverisë nxjerr në dritë faktin se si politika partiake mund të marrë përparësi mbi mirëqenien e qytetarëve dhe se si politika amerikane po merr formë në rajon.

Kurti, 45 vjeç, fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar bazuar në një platformë të majtë nacionaliste. Platforma bëri thirrje për rimarrjen e shtetit nga duart e liderëve të korruptuar, si edhe për përfundimin e marrëveshjeve të fshehta që ajo tha se presidenti Thaçi po i bënte me Uashingtonin për t’i dhënë fund ngërçit Serbi-Kosovë.

Si një lider kyç i PDK-së, Thaçi ka qenë gjithmonë i pranishëm në qeveritë e Kosovës për më shumë se 20 vjet, pasi ka shërbyer më parë si kryeministër. Para kësaj ai ishte kreu politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK. Ai pritet të dalë para Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte gjatë kohës së tij si udhëheqës i UÇK-së.

Pas vetëm 50 ditësh në detyrë, qeverisjes së Kurtit i erdhi fundi për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi mënyrën më të mirë për të kufizuar përhapjen e koronavirusit. Ministri i tij i brendshëm, nga partneri i tij i ri i koalicionit, LDK, e kishte shpallur koronavirusin një gjendje të jashtëzakonshme, duke i dhënë kështu presidentit Thaçi autoritet për të mbikëqyrur krizën.

Kjo habiti shumë njerëz, jo vetëm sepse posti i presidentit është kryesisht ceremonial, por edhe sepse PDK-ja dhe LDK-ja janë armiq politikë prej kohësh. Kurti e shkarkoi ministrin pa u këshilluar me Isa Mustafën, kreun e LDK-së. Mustafa u përgjigj duke thirrur një votim mosbesimi, duke ndezur kështu një stuhi politike që bashkoi ish-armiqtë politikë.

Për të mbledhur mbështetjen e publikut për votimin e mosbesimit gjatë pandemisë, liderët e LDK-së dhe PDK-së e akuzuan Kurtin si antiamerikan – një pretendim në një vend ku SHBA-ja konsiderohet gjerësisht si shpëtimtare, për udhëheqjen e fushatës së NATO-s në vitin 1999 kundër fushatës spastruese etnike të Serbisë në Kosovë.

Në javët që çuan në votimin e mosbesimit, iu dha shumë rëndësi një kërkese nga Uashingtoni për Kurtin për të hequr tarifat 100 për qind që Kosova i ka vendosur importeve serbe, si pjesë e përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve.

E udhëhequr nga anëtarët republikanë të Kongresit, dhe me mbështetjen e Donald Trump Jr, SHBA-ja kërcënoi se do t’i jepte fund fondit të saj prej 49 milionë dollarësh të Millennium Challenge Corporation, MCC, në Kosovë dje se madje do të tërhiqte edhe paqeruajtësit amerikanë nga vendi.

Pavarësisht presionit, Kurti nuk luajti nga vendi. Para votimit për mocionin e mosbesimit, Franca, Gjermania dhe segmente të mëdha të publikut kosovar iu lutën partive që të mbanin një front të përbashkët kundër koronavirusit. Megjithatë, LDK-ja dhe PDK-ja vazhduan dhe bashkëpunuan për të rrëzuar qeverinë e Kurtit.

SHBA-ja i duartrokiti këta liderë politikë dhe përsëri i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të hiqte tarifat për mallrat serbe, duke thënë se ato “po dëmtonin popullin e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – si dhe duke vonuar hyrjen në Kosovë të furnizimeve të nevojshme dhe duke penguar rritjen ekonomike. ” Në të njëjtën deklaratë, Uashingtoni mohoi të ketë marrë pjesë në ndonjë marrëveshje sekrete për shkëmbim territorial midis Serbisë dhe Kosovës.

Vendet perëndimore, dhe veçanërisht SHBA-ja, e gjejnë veten në një rebus politik ku duhet të zgjedhin të punojnë me një grup të vjetër liderësh miqësorë, por të korruptuar, mbështetja publike e të cilëve po bie, apo me partinë kokëfortë nacionaliste të Kurtit, mbështetja e së cilës po rritet.

Ndërkohë që Kurti ka më pak gjasa sesa ata të përkulet ndaj presionit amerikan dhe perëndimor – dhe ka të ngjarë të paguajë një çmim për këtë – ai mbetet deri më tani lideri më popullor në Kosovë.

Kurti erdhi në pushtet duke fajësuar liderët e vjetër të Kosovës dhe Perëndimin që i mbështeste ata për dështimet politike dhe ekonomike të Kosovës.

Ai i bëri thirrje një brezi të ri nacionalistësh të ngrihej dhe grupi i tij nacionalist i krahut të majtë mblodhi një grup të madh mbështetësish. Ata variojnë nga një fraksion anti-perëndimor në rritje që promovon lidhje më të ngushta me Turqinë deri te një shumicë e publikut që kërkon që kleptokracia e PDK-së dhe LDK-së të marrë fund.

Rrëzimi i qeverisë së Kurtit, kur publiku kërkonte një front të përbashkët kundër koronavirusit,  shihet përsëri si një provë që garda e vjetër do të bashkohet për të mbrojtur përfitimet e tyre. Fatkeqësisht, SHBA-ja shihet se po mban anën e kleptokratëve, të cilët kanë më pak gjasa se Kurti për të vënë në dyshim politikat e Uashingtonit për zgjidhjen e ngërçit Serbi-Kosovë.

SHBA-ja duhet të frenojë ndjenjën në rritje anti-perëndimore në Kosovë të shkaktuar nga mbështetja e saj e vazhdueshme për elitën e korruptuar të Kosovës. Kjo prirje është veçanërisht e përhapur te të rinjtë, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së Kosovës. SHBA-ja duhet të marrë një qëndrim të ashpër kundër liderëve të korruptuar të Kosovës dhe të shmangë mesazhet e përziera. Një rast klasik i mesazheve të përziera ishte kur MCC-ja uli në mënyrë drastike fondet në vitin 2018, për dështimin e administratës Thaçi për të luftuar korrupsionin, dhe të nesërmen ia dha drejtimin e MCC-së ish-zv/ministrit të jashtëm të Thaçit, Petrit Selimi, për të cilin shumë kosovarë thonë se menaxhon gjithashtu rrjetet sociale të Thaçit.

SHBA-ja duhet t’ia kushtëzojë ndihmën e saj Kosovës me luftën kundër korrupsionit, ndjekjen penale të liderëve politikë të korruptuar dhe garantimin e pavarësisë së gjyqësorit. Nëse kërcënimi i Amerikës për heqjen e ndihmës ndihmoi në rrëzimin e Kurtit, ka gjasa që ai të funksionojë gjithashtu edhe për të larguar nga pushteti liderët e korruptuar.

Për të garantuar një zgjidhje të qëndrueshme midis Serbisë dhe Kosovës, SHBA-ja duhet të bëhet e barabartë në fushën e lojës. Një hap i parë i mirë do të ishte t’i bëjë presion Beogradit që t’i japë fund fushatës së tij ndërkombëtare kundër njohjes së Kosovës në këmbim të heqjes së tarifave për mallrat serbe nga ana e Prishtinës. Në këtë kohë shumë kritike, SHBA-ja duhet të ngrihet mbi politikën e Ballkanit dhe të mbështesë nevojat e menjëhershme të publikut – duke ndalur përhapjen e koronavirusit vdekjeprurës.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.