Lajm14 Oct 2021

Mbledhje të mbyllura, KLGJ thotë se të dhënat e kandidatëve janë ‘sekret shtetëror’

Këshilli i Lartë Gjyqësor deklaron se do të zhvillojë mbledhje plenare me dyer të mbyllura për rekrutimin e kancelarëve dhe këshilltarëve ligjorë, me argumentin se duhet të mbrojë të dhënat personale dhe ‘sekretin shtetëror’ për kandidatët që garojnë për poste publike.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami dhe anëtarët e tjerë të Këshillit gjatë një mbledhjeje. Foto: LSA

Në mbledhjen plenare të zhvilluar të mërkurën, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të zhvillojë me dyer të mbyllura diskutimin për procesin e verifikimit të kancelarëve të katër gjykatave. Njoftimi për mbylljen e mbledhjes për mediat dhe publikun nuk u shoqërua me bazë ligjore nga kryetarja e Këshillit, Naureda Llagami.

Në një reagim publik të enjten, Këshilli i Lartë Gjyqësor shprehu keqardhje për një shkrim të BIRN, ku raportohej mbyllja e mbledhjes plenare për publikun dhe mungea e transparencës për rekrutimin e funksionarëve publikë.

Përtej keqardhjes, KLGJ la gjithashtu të kuptohej se mbledhjet plenare për rekrutimin e kandidatëve për kancelarë, këshilltarë dhe ndihmës ligjorë mund të zhvillohen vazhdimisht me dyer të mbyllura, me qëllim mbrojtjen e të dhënave personale, konfidenciale apo të klasifikuara të kandidatëve.

Sipas përgjigjes së KLGJ-së, procedurat e verifikimit të kandidatëve përfshijnë të dhënat nga Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, prokuroria, Byroja Kombëtare e Hetimit apo shërbimet shtetërore informative.

“Në procedurat e verifikimit të kandidatëve në përgjithësi, në kuadër të rekrutimit dhe ngritjes në detyrë, verifikimi përmban edhe të dhëna të klasifikuara “sekret shtetëror”, sikurse edhe të dhëna personale të kandidatëve,” thuhet në reagim.

“Në kushtet kur dokumentacioni apo raportet që përcjellin këto institucione, kanë përmbajtje të të dhënave personale, konfidenciale, apo në raste të veçanta të dhëna të klasifikuara, KLGJ ka vendosur që mbledhjet plenare në të cilat shqyrtohen këto materiale të zhvillohen me dyer të mbyllura”, thuhet në përgjigje.

E pyetur nga BIRN për bazën ligjore mbi të cilën mbështeteshin mbledhjet me dyer të mbyllura,  KLGJ iu referua në tërësi ligjit për sekretin shtetëror, atij të mbrojtjes së të dhënave personale dhe Kodit të Procedurave Administrative mbi këto raste.

Por Këshilli, sipas ligjit që citon, nuk mund të vendosë vetë klasifikimin e informacionit dhe nuk mund të trajtojë në tërësi të gjithë mbledhjen plenare si “sekret”, kur vetëm një pjesë e informacionit mund të jetë e tillë.

Njëlloj, trajtimi i të dhënave të personave që garojnë me vullnet të lirë për pozicione publike të rëndësishme, përfshi kancelarë gjykate dhe këshilltarë ligjorë, nuk mund të trajtohet nën ombrellë mbrojtjeje, sa kohë legjislacioni kërkon që të dhënat e tyre të pasurisë dhe figurës duhet të jenë publike, për të garantuar integritetin në zgjedhjen e tyre.

Sipas ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, mbledhjet plenare të Këshillit të Lartë Gjyqësor janë të hapura, me përjashtim të procedurave të rishikimit. Sipas ligjit, bëhet fjalë për rastet kur një akt administrativ individual është nxjerrë nga komisioni dhe  subjektet e kërkojnë anulimin apo ndryshimin e tij nga mbledhja plenare e Këshillit.

E përballur me një padi nga BIRN mbi procesverbalet dhe audiot e mbledhjeve për shqyrtimin e kandidaturës së Komisionerit Publik, Dariel Sina, për një nga vendet në Gjykatën e Lartë, KLGJ pasi kishte refuzuar mbi të njëjtat argumente të përmendura edhe më lart dhënien e informacionit, pranoi para gjykatës se kishte qenë gabim.

Pas verifikimit të procesverbaleve të mbledhje, që KLGJ pretendoi për 8 muaj se përmbanin “sekret shtetëror” dhe të dhëna kofidenciale, BIRN nuk gjeti në to diçka të tillë. Të dhënat e anonimizuara nga KLGJ në këto procesverbale janë emri i kandidatit dhe informacione si vendet e shkollimit dhe punësimit, të publikuara në CV e tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *