Reportazh9 Jul 2019

Mbulimi i krimeve në Srebrenicë: Kërkimi për varre sekrete vazhdon ende

Eshtrat e rreth 1,000 viktimave të masakrave të vitit 1995 në Srebrenicë besohet të ndodhen ende në varre të fshehura pasi trupat e tyre u rivarrosën vazhdimisht në përpjekje për të fshehur vrasjet.

Autor: Albina Sorguc BIRN Sarajevë
Printo

Vajtues në përkujtimoren e Srebrenicës. Foto: Anadolu.

Më 11 korrik, në 24 vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, Nura Begoviç do të varrosë të vetmen pjesë të trupit të vëllait të tij Adil Suljiç që është gjetur deri më tani, 24 vjet pasi u vra.

“Nga trupi i tij është gjetur vetëm njëra dorë,” tha Begoviç.

Soljiç, i cili vdiq në moshën 39 vjeçare, do të varroset në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Potocari, ku prehen viktimat e masakrave të viti 1995 nga forcat serbe të Bosnjës.

Begoviç tha se nëna e saj dhe e Soljiçit vdiq në vitin 2009 pa parë të gjendeshin eshtrat e djalit të saj. Një orë Seiko, rrobat dhe gjysma e një çizmeje u gjetën pranë eshtrave.

Eshtrat e rreth 1,000 viktimave të gjenocidit ende ndodhen në varre në periferi të Srebrenicës, beson Instituti i Personave të Zhdukur të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Trupat e tyre u varrosën, më pas u gërmuan përsëri dhe u transferuan me kamionë dhe ekskavatorë në disa varre masive “sekondare” dhe “terciare” secili prej tyre larg vendit ku u varrosën fillimisht.

Hetuesi i Institutit të Personave të Zhdukur Sadik Selimoviç, një burrë i madh me flokë të thinjura që humbi disa anëtarë të familjes në gjenocid, ka kaluar vite duke kërkuar dhe gjetur eshtrat e këtyre viktimave ndërsa përpjekja për të identifikuar të gjithë ata që vdiqën në masakrat e vitit 1995 vazhdon.

Duke ngarë makinën e tij, Selimoviç kalon nëpër shtigjet e ngushta rreth fshatrave në zonën e Srebrenicës, ku ka gjetur tashmë disa varre sekondare dhe terciare.

Një sërë trupash u sollën në këto vende sekondare ose terciare nga një varr masiv parësor në Glogova, i cili ndodhet në rrugën midis Kravicës dhe Bratunacit. Më shumë se 1,200 njerëz u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në një ekzekutim masiv në një hangar në Kooperativën Bujqësore në Kravicë në korrik 1995.

Selimoviç shpjegoi se Gjykata e Hagës gërmoi varrin në Glogova në 1999, 2000 dhe 2001, por edhe pas kësaj periudhe u gjetën trupa, kështu që ai beson se në atë zonë mund të gjenden eshtra të tjera.

“Gjykata e Hagës na dërgoi informacione për atë që kishin bërë. Ne po kryejmë analiza dhe vlerësime, kështu që mendoj se do të kthehemi në atë lokalitet dhe do të punojmë,” tha ai.

Varri masiv në Glogova u gjet me ndihmën e imazheve satelitore të marra nga SHBA-ja, shpjegoi Selimoviç. Trupat u transportuan nga atje në të paktën 16 vende të tjera rivarrimi që janë zbuluar deri më tani.

Përpjekje sistematike për të fshehur trupat

Sadik Selimoviç. Foto: BIRN.

Gjykata e Hagës, gjykata shtetërore e Bosnjës dhe gjyqësori i Serbisë dhe Kroacisë deri më tani kanë dënuar gjithsej 47 persona në më shumë se 700 vjet burg, plus katër dënime me burgim të përjetshëm, për gjenocid dhe krime të tjera të kryera pas rënies së Srebrenicës.

Vendimet kanë përcaktuar se, duke filluar nga 13 korriku 1995, më shumë se 7,000 boshnjakë u arrestuan dhe ekzekutuan në vende të ndryshme. Masakra e parë e madhe u krye në Kravicë, e cila u pasua nga vrasjet masive në Rocevic, Kozluk, Pilica dhe Branjevo.

Sipas vendimeve, pas vrasjeve, trupat u vendosën në varre masive parësore, një operacion në të cilin mori pjesë Njësia Inxhinierike e Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës.

Operacioni për fshehjen e krimeve vazhdoi midis 1 gushtit dhe 1 nëntorit të vitit 1995. Gjykata e Hagës përcaktoi se “është bërë një përpjekje e organizuar dhe gjithëpërfshirëse për të fshehur ekzekutimet duke zhvarrosur trupat nga varret masive parësore dhe duke i rivarrosur ata në varre sekondare”.

Duke qëndruar në vendin e varrit masiv të Glogovës, ku janë gjetur eshtrat e 403 personave, Selimoviç shpjegoi se trupat gjithashtu u transportuan nga këtu në Zeleni Jadar, Jasenova, Zalazje, Pusmulici dhe Bljeceva në nëntor dhe dhjetor 1995.

Duke marrë trupat nga Glogova, kamionët duhej të kalonin përmes Bratunacit dhe Srebrenicës dhe më pas të ecnin për dhjetëra kilometra drejt Zeleni Jadarit, më shumë se 50 kilometra larg nga Kravica.

“Zeleni Jadar është një varr masiv sekondar, ku u varrosën trupat e zhvarrosur nga varr masiv parësor në Glogova. Në rrugën drejt Jasenovës, drejt Ljeskovikut, ekzistojnë pesë varre masive të tjera që ne i kemi zhvarrosur. Të gjithë e kanë origjinën nga varri primar në Glogova, që tregon se ata e bënë këtë në mënyrë sistematike dhe të organizuar,” tha Selimoviç.

Në varrin masiv në Glogova, i cili tani është mbushur me shkurre, Selimoviç shpjegoi se pranë trupave u gjet një përzierje e bardhë pluhuri guri. Në bazë të kësaj gjetjeje dhe dëshmive të dëshmitarëve, hetuesit përcaktuan se trupat nga varr masiv parësor u vendosën përkohësisht në një fabrikë guri që ekzistonte para luftës përpara se të zhvendoseshin në varr masiv sekondar.

“Kur ata i ngarkuan përsëri nëpër kamionë, ata morën me vete dhe materialin e bardhë dhe ky ishte i dukshëm. Në secilin nga varret që përmbanin trupa të transferuar nga Glogova, u gjet të paktën një pjesë e diçkaje që buronte nga Kravica. Në bazë të kësaj, ne kemi konstatuar se ato janë varre masive sekondare,” tha Selimoviç.

Disa prej trupave u zhvendosën nga Zeleni Jadar pasi përmbytja e një përroi zbuloi një pjesë të varrit dhe trupat u zhvendosën në një ish-gropë mbeturinash në Zalazje. Për të shkuar në Zalazje nga Zeleni Jadar, trupat e dekompozuar duhet të transportoheshin përmes qendrës së Srebrenicës.

“Kur e zhvendosën varrin e parë masiv me ekskavatorë, trupat po dekompozoheshin. Një pjesë e trupit ngarkohej në një kamion dhe një pjesë tjetër në një tjetër kamion. Ata kamionë nuk shkonin në të njëjtin vend, në të njëjtin varr. Më besoni, në 60 ose 70 për qind të rasteve, pjesë të trupave u gjetën në dy ose tre vende në varre të rigërmuara,” tha Selimoviç.

“Kjo s’mund të jetë bërë me dorë. Kjo kërkonte makineri të mëdha gërmuese, varrosjen, sjelljen e kamionëve. Kështu është vepruar. Ky është një nga shpjegimet më logjike,” tha ai.

“Nuk do të resht kurrë së kërkuari”

Hajra Catiç. Foto: BIRN.

Ndërsa BIRN po bisedonte me Selimoviçin në varrin masiv terciar në Zalazje, i cili gjithashtu është i mbuluar me shkurre, biseda u ndërpre nga një kalimtar që nuk e kalonte dot makinën në rrugën e ngushtë për shkak të një makine të parkuar.

Selimoviçi iu afrua dhe e pyeti nëse mund ta ndihmonte të gjente varrin tjetër masiv që ai po kërkonte. Më vonë, ai shpjegoi se ky njeri lokal ndoshta mund të kishte dëgjuar se ku ndodhej varri.

Selimoviç, i cili ka kërkuar varret e viktimave për më shumë se 21 vjet, tha se ai ishte i shqetësuar se tani po bëhet gjithnjë e më e vështirë të merrje informacione rreth varreve ende te pazbuluara.

“Nuk mund ta besoj, me atë që kam parë gjatë punës time si hetues, që kaq shumë njerëz morën pjesë në këtë gjë, por shumë pak prej tyre janë të gatshëm të tregojnë se ku janë varret,” tha ai.

“Forca! Tregoni se ku janë varrosur këta njerëz në mënyrë që t’u jepen familjeve të tyre dhe të varrosen,” tha ai.

Ai vazhdoi duke shpjeguar se eshtrat e gjetura në disa varre masive sekondare dhe terciare ishin të ruajtura më mirë sesa ato në varrezat masive parësore.

“Çdo gjë varet nga toka, aciditeti dhe përbërja e dheut. Në Glogova, aciditeti është i tillë që kockat thjesht shkrinë. Në disa raste, kur donin të shkatërronin trupat, ata derdhën sipër tyre gëlqere dhe acid,” tha ai.

“Gjendja më e keqe që kam parë ishte në një varr në digën Jalovista në minierën Sase, të cilin e gjeta dy vjet më parë. Kishte mbeturina plumbi dhe zinku në atë vend… Gjeta trupa të plotë, por ishin tretur me acid. Ato eshtra ishin në gjendjen më të keqe që kam parë ndonjëherë,” shtoi ai.

Ndërkohë të afërmit e viktimave të Srebrenicës, të dashurit e të cilëve nuk janë gjetur ende, shpresojnë se do të gjejnë të paktën një pjesë të eshtrave të tyre që më në fund t’i varrosin.

“Jetoj për ditën kur të paktën të gjendet qoftë edhe një gisht i vogël, që ai të ketë varrin e tij. Nëse ai nuk ka varr, njerëzit do të thonë se ai nuk ka ekzistuar kurrë,” tha Hajra Catiç, e cila ka kërkuar eshtrat e djalit të saj Nihad Catiç për 24 vjet.

Selimoviç tha gjithashtu se do të donte t’i shihte të afërmit e viktimave të mund të varrosin të dashurit e tyre.

“Shpresoj që, për sa kohë të jem në gjendje të mirë mendore dhe fizike, ne do të jemi në gjendje t’i kënaqim të gjitha këto familje, pavarësisht etnisë së tyre. Ne, si Institut, jemi të detyruar t’i kërkojmë të gjithë dhe ne do t’i gjejmë,” tha ai.

Për Selimoviçin ekziston edhe një element thellësisht personal për vazhdimin e kërkimit. Teksa kërkon varret masive të fshehura, ai gjithashtu ka kërkuar edhe eshtrat e të afërmve të tij.

Ai humbi tre vëllezër, babanë, nipin, dy kunetërit dhe vjehrrin e tij në gjenocid.

“Pavarësisht se sa zgjat ky proces dhe disa do të donin ta shikonin të merrte fund tani, unë do të vazhdoj të punoj për këtë gjë edhe pasi të dal në pension,” u zotua ai.