Lajm1 Jun 2015

Mbulimi i njëanshëm, e majta në KQZ shpëton nga gjobat televizionet

Transmetimi i takimeve elektorale në televizionet e lajmeve zbulon se Partia Socialiste po bën shumë më tepër takime se sa Partia Demokratike për zgjedhjet e 21 qershorit.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Mikrofonë të televizioneve të vendosura në mjediset e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 1 qershor 2015. Foto: BIRN

Mikrofonë të televizioneve të vendosura në mjediset e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 1 qershor 2015. Foto: BIRN

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi poshtë propozimin e Bordit të Monitorimit të Medias për të gjobitur shtatë televizione të cilat rezultuan se i kanë dhënë shumë më tepër kohë transmetimi aktiviteteve elektorale të Partisë Socialiste ndërsa vendosi të konvertojë gjobat me detyrimin ndaj televizioneve për të kompensuar kohën e munguar për Partinë Demokratike në pjesën e mbetur të fushatës.

Bordi i Monitorimit të Medias (BMM) ka për detyrë të masë kohën që televizionet i japin partive politike në kohë fushatash elektorale dhe që të propozojë ndëshkime për këto televizione në rast se koha është në favor të njërës palë apo tjetrës.

Bordi aktual i monitorimit të medias kontrollohet në shumicë nga e djathta.

Për javën e parë të fushatës të monitoruar nga bordi, 22-27 maj, u gjet se shtatë televizione kishin transmetuar shumë më tepër aktivitete të Partisë Socialiste në krahasim me Partinë Demokratike. Për rrjedhojë, shumica në BMM propozoi gjobitjen me 1.5 milionë lekë të shtatë televizioneve, Top News, Ora News, ABC News, A1 Report, News 24, Onufri TV dhe Antena Nord si dhe të urdhërojë Televizionin Publik Shqiptar të kompensojë Partinë Socialiste për kohën e tepërt të dhënë në dispozicion për Partinë Demokratike.

“Katër anëtarët e Bordit të Monitorimit të Medias, Basir Çollaku, Andon Andoni, Klarita Bajraktari dhe Rexhep Polisi, mbështetur në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, pjesa e gjashtë “Fushata zgjedhore dhe media”, neni 82, pika 2, germa “a” si dhe neni 81, pika 1 e këtij Kodi i propozojnë KQZ për të gjobitur operatorët radiotelevizivë me 1,5 milionë lekë për shkeljet,” deklaroi Basir Çollaku për BMM.

Pakica e majtë në Bordin e Monitorimit tha se i pranonte shifrat por mendonte se televizioneve duhet t’u jepet një mundësi për kompensim minutash pa pasur nevojë që të gjobiten. Sipas Maklen Mishës, anësia e vërejtur nuk rrjedh nga anësia e medias por nga fakti që Partia Socialiste ka patur shumë më tepër aktivitet elektoral.

“Ne nuk kundërshtojmë shifrat, por kundërshtojmë propozimin për gjobë për shkak se gjoba nuk e rregullon problemin,” tha Florion Serjani, anëtar i BMM.

Nuk ka fushatë, nuk ka mbulim

Anëtarët e majtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe përfaqësuesi i Partisë Socialiste argumentuan kundër gjobitjes së medias duke thënë se disbalanca në mbulim vjen si pasojë e aktivitetit më të dendur elektoral të Partisë Socialiste.

Denar Biba, anëtar i KQZ nga e majta, pyeti bordin e monitorimit se çfarë teorikisht mund të ndodhë në rast se njëra palë në zgjedhje vendos të mos bëjë fushatë. Basir Çollaku iu përgjigj se kodi aktual zgjedhor parashikon detyrimin e televizioneve për të mbuluar në mënyrë të barabartë palët në zgjedhje por nuk parashikon se çfarë do të ndodhë në këtë rast teorik.

Televizionet rezultuan në fakt se kanë dhënë mbulim afërsisht të balancuar të palëve në edicionet e lajmeve, por disbalanca është shkaktuar nga transmetimet e drejtpërdrejta të aktiviteteve elektorale dhe për këtë arsye, problemi është hasur vetëm te televizionet e lajmeve 24 orëshe dhe jo te televizionet e përgjithshme informative dhe dëfryese.

Basir Çollaku nga BMM thotë se televizionet janë informuar për problemin dhe Top News e ABC News kanë shfaqur tendencë korrektimi në mbulim gjatë ditëve të fundit ndërsa televizionet e tjera kanë shfaqur tendencë përkeqësimi. Rasti më domethënës i raportuar është ai i Onufri TV në qytetin e Beratit, i cili raportohet se i ka dhënë 129 minuta mbulim Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, 20 minuta Partisë Socialiste dhe zero minuta Partisë Demokratike. Antena Nord në Shkodër raportohet se i ka dhënë 231 minuta kohë transmetimi gjatë javës 22-27 maj koalicionit të majtë dhe vetëm 47 minuta koalicionit të djathtë.

Interpretim ligjor

Kodi Zgjedhor i miratuar në vitin 2003 me kompromis mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike parashikon detyrimin e televizioneve për të mbuluar fushatën në mënyrë të balancuar. Kodi parashikon detyrimin e Televizionit Publik për të kompensuar partinë e prekur në rast shkeljesh si dhe të drejtën e KQZ për të gjobitur televizionet lokale apo për të ndëshkuar deri me ndërprerje sinjali televizionet që përsërisin shkeljen.

Kryetarja e KQZ Lefterie Lleshi, e cila është zgjedhur nga e djathta por prej kohësh ka votuar në bllokun e majtë në KQZ, sugjeroi që gjobat për televizionet ishin masa të tepërta.

Çollaku iu përgjigj duke thënë se kodi zgjedhor për televizionet private sanksionon vetëm gjobë ose ndërprerje sinjali (neni 84) ndërsa për Televizionin Publik sanksionon vetëm detyrimin për kompensim (neni 81). Lleshi tha se gjithsesi neni 84 duhet të lexohet i lidhur me nenin 81 dhe në fund propozoi që televizionet me shkelje të mos gjobiten por të detyrohen njësoj si TVSH të kompensojnë Partinë Demokratike në minutazh transmetimi në pjesën e mbetur të fushatës.

Në votimin final, tre përfaqësues të së djathtës në KQZ votuan për gjobitjen e televizioneve ndërsa tre të majtët dhe kryetarja Lleshi votuan kundër.

“Ndëshkimi i medias është shumë sensibël,” deklaroi Denar Biba, “unë shoh gazetarët që po na shohin shtrembër se nuk e dinë a do ta marrin rrogën,” shtoi ai duke bërë me shenjë nga media.