Grupimi i artistëve dhe aktivistëve kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar protestoi pasditen e së premtes në qytetin e Durrësit, duke ftuar qytetarët të firmosin peticionin me kërkesë rindërtimin e godinës në truallin që ishte më të njëjtin volum dhe formë.
Sheshi përpara Teatrit Aleksandër Moisiu në Durrës ishte ndalesa e parë e aktivistëve jashtë Tiranës, për të plotësuar peticionin që sipas regjisorit Robert Budina, në Tiranë për 1 orë mori 2000 firma dhe online ka marrë mbi 20.000 nënshkrime elektronike.
“Ne kishim ndërmend të shkonim në të gjitha qytetet, por ndërkohë që ne flasim kanë filluar punimet në truallin e Teatrit Kombëtar për të hapur themelet”, tha Budina. “Nesër do të ikim në Shkodër dhe më pas do e shohim se si do ja bëjmë për të shkuar në qytetet e tjera”, shtoi ai.
Qytetarë të shumtë dhe përfaqësues të opozitës iu bashkuan artistëve kryeqytetas dhe durrsakë që protestojnë pas prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, duke bërë edhe thirrje për largimin e qeverisë, përmes motos “Rama ik”.
Fuat Beqiri prej 20 vitesh jeton në qytetin e Durrësit. Burri nga Korça tregon se prishja e godinës së Teatrit Kombëtar ishte një akt i pabesë.
“Nuk më vjen mirë sepse në Korçë është restauruar disa herë dhe kontribuojnë për teatrin e qytetit të Korçës, investon bashkia dhe nuk ka shans me ndodh si në Tiranë”, rrëfen 42 vjeçari.
“Në kemi 30 vjet që jetojmë në demokraci, por kjo nuk mund të quhet demokraci sepse po cënohet liria jonë, liria e fjalës më saktë”, shtoi Beqiri, pak pasi firmosi peticionin.
Veprimi i qeverisë ka polarizuar opinionin publik dhe ka nxitur një valë reagimi që e sheh aktin si cënim i demokracisë në vend.
Artistët e ardhur nga Tirana dhe kolegët në Durrës dënuan dhunën e ushtruar nga policia dhe kërkuan me ngulm ndërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar siç ishte.
“Qëllimi ynë është të ndalojmë punimet, të nxisim faktorin ndërkombëtar të reagoj sepse u tentua të na vrisnin”, shpjegoi regjisori Budina për objektivin aktual të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Protesta e së premtes pati në fokus edhe situatën social-ekonomike ku gjendet vendi.
“Ekonomia pas tërmetit dhe pandemisë është përkeqësuar edhe më shumë dhe ka shqetësim më të mëdha se sa të merreshin me prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar”, u ankua Fatmir Aliaj, njëri prej protestuesve.
“Teatri ishte një simbol kombëtar dhe u shemb me dorë të hekurt edhe Vladimir Putin sikur të ishte nuk kishte për t’i kapur motrat shqiptare e t’i nxirrte barkun e shpinën jashtë duke i nxjerrë nga teatri”, përfundoi ai.