Jo të gjithë janë të impresionuar nga kryeministri shqiptar që bën fushatën për një mandat të tretë duke kërkuar merita për rindërtimin e pas tërmetit, i cili është financuar nga taksapaguesit dhe donacionet.
Duke kërkuar një mandat të tretë radhazi si kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama u ndal në qytetin veriperëndimor të Laçit në fund të marsit për të inspektuar përpjekjen e rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019.
Me shtëpi të reja, shkolla të reja dhe infrastrukturë të re ujore, Laçi do të ishte një “vend shumë më i mirë për të jetuar sesa para tërmetit”, tha Rama.
Por Laçi nuk është e vetmja zonë e goditur nga tërmeti që Rama ka vizituar në prag të zgjedhjeve që do të mbahen më 25 prill.
Ndalesat e rregullta për fushatë në vendet e rindërtimit janë kritikuar nga disa që thonë se kryeministri po përpiqet të fitojë pikë politike bazuar në një përpjekje rindërtimi të financuar nga taksapaguesit dhe donacionet.
Ai gjithashtu shpërfill faktin se disa shqiptarë që kanë humbur shtëpitë e tyre vazhdojnë të jetojnë ende nëpër çadra edhe gati pas një viti e gjysmë që nga tërmeti, në të cilin 51 njerëz humbën jetën.
“Legjislacioni zgjedhor ndalon përdorimin e burimeve shtetërore, duke përfshirë aktet e dhurimit të apartamenteve ose shpërndarjen e çelësave, lejeve etj. në periudhën dhjetor-prill”, tha Afrim Krasniqi i Institutit të Studimeve Politike
“Megjithatë, ne jemi dëshmitarë që këto akte vazhdojnë, madje edhe ditët e fundit, duke treguar që përdorimi i burimeve të tilla shtetërore në fushatë është një nga ofertat e pakta që qeveria po bën në zgjedhje.”
Kabineti i Ramës nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
“Merita të tepruara”
Mijëra shqiptarë mbetën të pastrehë nga tërmeti me magnitudë 6.4 që goditi Shqipërinë në orët e para të 26 nëntorit 2019.
Në shkurt të vitit pasues, një konferencë donatorësh e organizuar nga Bashkimi Evropian mblodhi 1.15 miliardë euro në formë grantesh, projektesh dhe huash për të ndihmuar në përpjekjen e rimëkëmbjes, më shumë sesa dëmi i vlerësuar prej rreth 980 milion eurosh.
Megjithatë sot, disa shqiptarë në zonat rurale qëndrojnë në çadra, duke nguruar të shpërngulen në strehim të përkohshëm në qytete dhe fshatra përreth nga frika e humbjes së bagëtive të tyre. BIRN nuk qe në gjendje të përcaktonte saktësisht se sa.
Ilir Fili, në fshatin Ishëm afër portit bregdetar të Durrësit, tha se ai kishte marrë në mënyrë të pashpjegueshme një faturë energjie elektrike prej 70 eurosh pavarësisht nga fakti se familja e tij me pesë vetë po jeton në një çadër, ndërsa shtëpia e tyre është rindërtuar nga një organizatë e diasporës shqiptare në SHBA e quajtur “Bijtë e Shqipes”.
“Është shumë e vështirë”, tha Fili për BIRN.
Në Mallkuç, një fshat tjetër aty afër, një familje me tetë veta ende jeton në dy çadra. Rindërtimi i shtëpisë së familjes ende nuk kishte filluar, por familja, e cila kërkoi të mos identifikohej, tha se nuk ishin në gjendje të lëviznin në strehim të subvencionuar për shkak të bagëtive të tyre dhe vështirësisë për të gjetur një shtëpi me qira për tetë vetë.
Ndërkohë, Rama ka përdorur rindërtimin si pjesë e fushatës elektorale për rizgjedhjen e Partisë së tij Socialiste, duke shpërndarë kontrata për shtëpi të reja dhe duke premtuar se shtëpi të tjera do të ndërtohen së shpejti.
Krasniqi tha se Rama kishte krijuar “imazhin që vetëm kjo qeveri dhe ky kryeministër mund të përballen me situatën dhe se sigurimi i shtëpive është dhurata e tyre”, pavarësisht rregullave që thonë se partitë politike nuk mund të përdorin burimet publike për qëllime elektorale.
Edlira Gjoni, një eksperte komunikimi në Tiranë, tha se përdorimi i përpjekjes për rindërtim ishte “çorientuese, e paqartë dhe një shkelje e etikës”.
“Shumë herë Ramës i është vënë në dukje të mos marrë merita të tepruara për këtë punë, pasi ajo po bëhet me paratë e taksapaguesve ose me donacione dhe kredi që u dhanë për njerëzit, jo individualisht Edi Ramës”, tha Gjoni për BIRN.
Jo etike
Pas konferencës së donatorëve, Rama premtoi transparencë në procesin e rindërtimit, diçka që Krasniqi tha se ende po mungonte.
“Nuk ka një bazë të dhënash; nuk është e qartë nëse disa prej ndërtimeve janë produkt i donacioneve private dhe ndërkombëtare të drejtpërdrejta apo nga buxheti i shtetit dhe qeverisë; ende nuk ka një plan të qartë rindërtimi”, tha ai.
Gjoni tha se ishte jo etike të shfrytëzohej procesi i rindërtimit për përfitime politike.
“Nuk është etike të kërkosh merita për atë që nuk është e jotja, as të hiqesh si shpëtimtar, njeri me fuqi të mbinatyrshme apo shërues që vjen gjithmonë me duart plotë”.
“Kjo është propagandë”, tha ajo, në kurriz të familjeve “që sapo kanë kaluar një dimër të dytë jashtë shtëpive të tyre të shkatërruara”.