Numri i shqiptarëve që kërkuan azil në Gjermani ra ndjeshëm në vitin 2016 krahasuar me një vit më parë, kryesisht prej normës së pranimit të kërkesave dhe politikave të ashpra të kthimit në atdhe.
Gjermania tha se vetëm 17,236 azilkërkues nga Shqipëria mbërritën në vend në vitin 2016, një rënie e ndjeshme me 34,000 persona nga mbi 50,000 azilkërkuesit e një viti më parë.
Viktor Merkuri, nga Universiteti Europian i Tiranës, i tha BIRN të enjten se Gjermania kishte dekurajuar me sukses shqiptarët që kërkonin azil duke zbatuar politika të ashpra riatdhesimi.
“Shqiptarët kërkuan azil mbi bazë ekonomike, por vetëm 0.01 për qind e atyre rasteve u miratuan dhe pjesa tjetër u kthye. Ata u ndjenë të dekurajuar dhe si rezultat, numri i aplikantëve ra dhe do të jetë edhe më i ulët në vitin 2017,” tha ai.
Zyra e Migracionit dhe Refugjatëve në Gjermani të mërkurën tha se 17,236 people shqiptarë kërkuan për azil në 2016, pra 68 për qind më pak se në 2015, kur 54,762 shqiptarë kërkuan këtë status.
Shqiptarët filluan të largohen masivisht nga vendi për në Europën Perëndimore në gjysmën e dytë të 2014, pasi arriti kulmin kriza ndërkombëtare e emigrantëve nga Lindja e Mesme.
Shumë shqiptarë menduan se kjo situatë do t’i sillte atyre favor në azilkërkim.
Shifrat mbetën të larta gjatë 2015, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe autoritetet gjermane e shqiptare, se shanset e suksesit në kërkesat e azilit të shqiptarëve ishin thuajse zero.
Në 2016, më shumë se 1 milionë refugjatë aplikuan për azil në Gjermani, ndërsa autoritetet e kufizuan numrin te ata që i largoheshin zonave të luftës në Siri dhe Irak.
Media Deutsche Ëelle në një reportazh mbi familjet azilkërkuese në Gjermani të martën theksoi se vetëm 10 shqiptarë kishin marrë azil nga 34,000 kërkesa të vlerësuara nga autoritetet gjermane në 2016.
Shumë shqiptarë fajësojnë dështimin e qeverisë për të reformuar ekonominë për eksodin masiv të njerëzve që duan të largohen nga vendi për të filluar një stil të ri jetese.
Në një konferencë për shtyp më 30 dhjetor, në lidhje me fenomenin, kryeministri Edi Rama refuzoi ta lidhë emigracionin e lartë me qeverisjen në vend.
“Shqiptarët kërkojnë azil sepse duan vende pune; ata duan të njëjtin akses në tregun europian të punës si polakët, rumunët dhe bullgarët,” tha ai.
“Nëse numërojmë polakët që u larguan nga vendi i tyre për punë në Gjermani apo Angli, janë më shumë se një milion,” shtoi ai.
Rama theksoi se shqiptarët ishin të parët që u kthyen vullnetarisht në Shqipëri, në çastin kur dëshira e tyre për të qëndruar dhe punuar në Europë nuk u plotësua.