Turqit e zakonshëm po ndiejnë efektet e një krize ekonomike në formën e çmimeve të rritura për frutat dhe perimet, gjë që e ka detyruar qeverinë të ndërhyjë para zgjedhjeve lokale.
Ndërsa kriza ekonomike e Turqisë fillon të dëmtojë jetën e përditshme të turqve të zakonshëm, qeveria e presidentit Rexhep Tajip Erdogan ka ndërmarrë hapin e pazakontë të krijimit të tregjeve ushqimore që shesin fruta dhe perime me çmim të ulët për të luftuar efektet e inflacionit në rritje.
Masa vjen me zgjedhjet vendore që po afrohen më 31 mars, kur çmimet e larta mund t’i kushtojnë vende në parlament Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit.
Radhët e gjata të turqve kryesisht të moshuar mund të shihen në tezgat e ngritura nga komunat e kontrolluara nga partia e Erdoganit, ku ofrohen patate, qepë, mollë dhe oriz me çmim të ulët.
“Nëse çmimet e larta nuk korrigjohen nga zgjedhjet lokale, ne do të organizojmë vende shitjesh në çdo qytet,” tha Erdogan në një tubim në Stamboll më 4 mars. “Ne do të shesim produktet më të lira për qytetarët tanë.”
Sipas të dhënave nga agjencia turke e statistikave, çmimet e ushqimeve u rritën 6.43 për qind në janar gjatë muajit të kaluar, ndërkohë që çmimet në krahasim me një vit më parë u rritën me 30.7 për qind.
Çmimet e frutave dhe perimeve të freskëta u rritën me 64 për qind gjatë vitit të kaluar, një periudhë trazirash në tregjet financiare të shkaktuara nga një mosmarrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe administrimin e ekonomisë së Erdoganit. Vlera e lirës, monedhës kombëtare turke, ka rënë në mënyrë dramatike.
Qeveria ka fajësuar fuqitë e huaja, prodhuesit e babëzitur dhe ata në tregun e zi për ngritjen e çmimeve.
Analistët thonë se tregjet e vogla të frutave dhe perimeve nga qeveria do të ofrojë vetëm një lehtësim afatshkurtër.
“Ekonomia turke tani është në krizë,” tha Baris Soydan, një ekonomist dhe gazetar në gazetën online T24.
“Unë besoj se nuk ka planifikim strategjik ekonomik dhe masat e qeverisë janë kryesisht të menjëhershme dhe afatshkurtra.”
Rritet edhe çmimi i energjisë elektrike dhe ai i gazit
Mediat pro-qeveritare në vend i kanë vlerësuar tezgat e tregut si një “revolucion”.
“Ne nuk do të lejojmë asnjë të fusë duart në xhepat e popullit tonë,” tha më 7 shkurt ministri turk i financës, Berat Albajrak, dhëndri i Erdoganit.
“Ne do të ndërmarrim masat më të ashpra të mundshme kundër atyre që përpiqen të shfrytëzojnë situatën për të vendosur çmime të larta të tepruara.”
Megjithatë, mediat e tjera thonë se shumë turq, edhe pse blejnë sasi të kufizuara në tezgat me çmime të ulëta, nuk janë të impresionuar nga kjo politikë.
Disa të tjerëve radhët u kujtojnë kohët e vështira pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë embargos së SHBA-së ndaj Turqisë në vitet 1970 lidhur me ndërhyrjen e saj ushtarake në Qipro, kur turqit duhet të prisnin në radhë për sheqer, vaj dhe kripë.
Sipas një raporti nga Grupi i Punës i Dhomës Turke të Energjisë së Inxhinierëve Mekanikë, faturat e shërbimeve gjithashtu janë rritur gjatë vitit të kaluar. Çmimet e energjisë elektrike u rritën me 50 për qind për familjet dhe 250 për qind për grupet e tjera të konsumatorëve, ndërsa gazi u rrit mes 25 dhe 37 për qind për familjet dhe midis 29.5 dhe 100 për qind për të tjerët, thuhet në raport.
Soydan tha se çmimet e rritura të ushqimeve, taksat më të larta dhe shkalla e lartë të mbylljeve të kompanive kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në grupet me të ardhura të ulëta tek të cilat partia e Erdoganit tradicionalisht mbështetet për vota.
Sipas burimeve qeveritare, vetëm në tetë muajt e fundit të vitit 2018, 1,401 firma deklaruan falimentin.
“Firmat e mbyllura do të rrisin papunësinë dhe inflacioni i lartë do të rrisë varfërinë,” tha ai për BIRN.
“Të dhënat zyrtare thonë se papunësia është në 13 për qind, por shifrat reale janë shumë më të larta. Një e katërta e të rinjve nuk janë të punësuar ose në shkolla. Kjo është e tmerrshme.”
Tezgat e ushqimeve nga qeveria janë për të treguar se qeveria “po kujdeset për problemin”, tha ai.
Kriza nuk duket në rënie
Pak ekonomistë shohin ndonjë ulje të krizës së afërmi, sidomos pa një ndryshim të stilit gjithnjë e më autoritar të Erdoganit gjatë 16 viteve në pushtet.
Sipas agjencisë Moody’s, ekonomia turke do të tkurret dy për qind në vitin 2019.
“Turqia përballet me një krizë të vërtetë sektoriale për herë të parë dhe është shumë vështirë të dalësh nga ky labirint,” tha Soydan. “Fillimisht, kapaciteti i bankave turke për të dhënë kredi është bërë shumë i kufizuar. Zhvillimet globale dhe çështjet e imazhit të Turqisë po pakësonin investimet,” shtoi ai.
“Qeveria duhet ta sigurojë botën për rivendosjen e sundimit të ligjit dhe politikave shtrënguese,” tha Soydan. “Investitorët e huaj dhe ata turq që transferuan kapitalin e tyre jashtë vendit mund të kthehen vetëm nën këtë kusht.”
Disa ekonomistë e shohin Turqinë në mënyrë të pashmangshme duke aplikuar për mbështetje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Turqia do të duhet t’i drejtohet FMN-së,” tha ekonomisti turk Atilla Yesilada në fund të muajit të kaluar në kanalin e tij në YouTube.
Yesilada tha se Turqia kishte nevojë për 60-70 miliard dollarë në fonde të jashtme. “Dhe vetëm FMN-ja e ka këtë shumë.”
Soydan, megjithatë, paralajmëroi se shpëtimi nga FMN-ja “nuk është një shkop magjik” dhe do të shkaktonte politika të dhimbshme që do të ndikonin te grupet me të ardhura më të ulëta.
“Siç kemi vërejtur në Greqi,” tha ai, “jo të gjitha marrëveshjet e FMN-së sjellin një largim të shpejtë nga kriza.”