Reportazh26 Jun 2021

‘Me sytë nga çatia’: Sfidat e restaurimit në shtëpitë muze të Beratit

Qindra shtëpi muze në qytetit e Beratit impresionojnë vizitorët e shumtë, por banorët që jetojnë brenda tyre përballen me vështirësi të shumta të mirëmbajtjes dhe me fondet e pakëta për restaurim.

Autor: Erjola Azizolli BIRN Berat
Printo

Lagja muzeale “Goricë” në qytetin e Beratit. Foto: Eriola Azizolli.

Një gomar i ngarkuar me inerte zbret tatëpjetë në lagjen “Mangalem”, ndërsa burri që e drejton thotë se kjo është e disata rrugë që bën brenda ditës. Largimi i mbetjeve ose transporti i materialeve të ndërtimit, është një punë që mund të bëhet ose me kafshë, ose me krahë, në brendësi të lagjeve muzeale të Beratit, pasi mjetet e transportit nuk mund të futen në rrugicat e ngushta.

“Tani është verë dhe ka punë. Kam bërë tre rrugë sot, lavdi Zotit. Në verë bëhen punime më shumë dhe ka nevojë për transport, ndaj punoj më shumë,” thotë i moshuari që jeton në periferi të qytetit dhe me këtë punë i shton të ardhurat familjes.

Monumentet e kulturës, ku hyjnë banesat muze dhe objektet e kultit janë pasuria e gjallë e qytetit të Beratit dhe shpresa për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm. Megjithatë, një pjesë e banesave janë të braktisura dhe të rrënuara, ndërsa kërkesat për restaurime janë gjithmonë më të larta se fondet në dispozicion të tyre.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Berati numëron 481 monumente kulture në total, nga të cilat 122 janë monumente të kategorisë së parë dhe 359 i përkasin kategorisë së dytë.

Në monumentet e kategorisë së parë, pronarët e kanë të ndaluar që të ndërhyjnë si në mjediset e brendshme, ashtu edhe në ato të jashtme, ndërsa në monumentet e kategorisë së dytë, mund të kryejnë riparime të mjediseve të brendshme.

Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se në tre vitet e fundit ishin kryer 60 ndërhyrje restaurimesh, nga të cilat 10 për riparimin e çative dhe pjesa tjetër për mirëmbajtjen e fasadave, dyerve dhe dritareve.

“Janë 20 monumente që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, ndërsa pjesa tjetër kanë nevojë për ndërhyrje të vogla restauruese,” shton në përgjigje Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore.

Nisja e punës për restaurimin e shtëpive muze është mirëpritur nga familjet beratase.

“Po ne sytë tek shtëpia i kemi. Ajo është jeta jonë dhe e fëmijëve, nipërve dhe mbesave tanë, pasi ne ua kemi trashëguar dashurinë për shtëpinë,” thotë Afërdita Goxhomani, banore e lagjes ‘Mangalem”.

Banesa e familjes Goxhomani, monument kulture i kategorisë së parë, ka muaj që ka nisur të restaurohet përmes fondeve publike dhe punët po ecin mirë, ndonëse me ritme të ngadalta.

Familja jeton me qira gjatë kohës që shtëpia po restaurohet, por Afërdita i ndjek punimet me mjaft interes, pasi siç thotë ajo, e di se ku “pikon shtëpia”.

“Po rregullohen trarët, pastaj çatia. Do të rregullohet dyshemeja dhe punëtorët po bëjnë punë shumë të mirë, dhe unë këtë dua, që puna të bëhet e mirë, mos të rrimë me sytë tek çatia sapo vjen dimri,” tha Afërdita.

Në Berat, kërkesat për restaurime janë të shumta dhe të gjithë i kanë sytë nga ‘Monumentet”- siç i referohen banorët Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Sipas Isa Avdylit, një mjeshtër i vjetër ndërtimi në Berat, shtëpitë muze kanë nevoja të përvitshme për restaurime.

Ditët e fundit, Avdyli ndodhet në lagjen “Kala” duke riparuar pjesën e brendshme të një monumenti të kategorisë së dytë.

“Shtëpia private ka nevojë çdo vit për riparime, aq më shumë kur flasim për shtëpi mijëra vjeçare. Sot bëra disa suvatime në një shtëpi, suva të cilat kishin rënë dhe pronari e bëri vetë, se jo gjithmonë mund të pritet  nga shteti dhe për gjëra të voga,” thotë Avdyli për BIRN.

Banorët karakterizohen nga një përkujdesje gati e adhurueshme për shtëpitë e tyre.

 

Hyrja në lagjen”Mangalem” në qytetin e Beratit. Foto: Eriola Azizolli.

“Të qëndrojnë gjithë kohën tek koka për çdo punë që mund ti bësh, sado e vogël të jetë ajo. Duam që t’ua bësh mirë, s’ka rëndësi se sa e vonon, mjaft të dali mirë dhe të falendërojnë pa fund për atë se çfarë bën,” tha Avdyli.

Procedura që ndiqet për restaurimin e banesave muze nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore është e gjatë dhe kushton kohë. Banorët e njohin atë, ndërsa presin me padurim miratimin e fondeve që jepen çdo vit.

“Punonjësit e monumenteve i njohin gjendjet e shtëpive. Ata i bëjnë projektet restauruese dhe ne jemi në pritje, që kujt mund t’i restaurohet këtë vit, kujt vitin tjetër,” thotë Lorenc Pushi, pronar i një banese muze në lagjen “Goricë”.

Këtë vit, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ka marrë miratimin për të ndërhyrë në katër objekte në gjendje rrisku, për të cilat janë akorduar fondet. Lajmi për nisjen e restaurimit në dy banesat në lagjen “Kala” ka shtuar shpresat tek pronarët e shtëpive të tjera, në listën e pritjes.

“Djemtë e monumenteve e dinë që dhe çatia e shtëpisë time ka nevojë për ndërhyrje. Ka nisur puna për projektin, na thanë. Do Zoti e mbyllin brenda vitit që mos na zërë dimri prapë me çati të prishur,” thotë një banor i lagjes Kala.

“Këtë vit presim çatinë, se është më urgjente, pastaj edhe dyshemeja ka nevojë por mund të presi se mbahet. Çatia është më urgjente,” përfundoi ai.