Pa një kulturë kujtesës së të viktimave që u vranë gjatë luftërave ballkanike apo u kalbën në gulakët komuniste, historia jonë dhe e afërt dhe e dhimbshme është e dënuar të shkaktojë urrejtje edhe në të ardhmen.
Kur Ratko Mlladiç, ish udhëheqësi ushtarak i serbëve të bosnjës u arrestua më 26 maj 2011 në fshatin e vogël Lazarevo pranë Zrenjanin, unë mbaj mend se si presidenti i Serbisë Boris Tadiç u shfaq në televizion në një konferencë për shtyp që u transmetua në të gjithë botën me një mesazh për fqinjët e vet me të cilët Serbia kreu luftëra të përgjakshme në vitet 1990.
“Sot me mbyllim një kapitull nga historia jonë e vonë gjë që do të na sjellë më afër drejt pajtimit të plotë në rajon,” tha Tadiç, pasi njoftoi se Mlladiç qe arrestuar.
“Unë besoj se çdo vend tjetër duhet të jetë përgjegjës për mbylljen e kapitujve përkatës,” shtoi ai.
Arrestimi i një prej të arratisurve më të kërkuar të botës për më shumë se një dekadë, i akuzuar nga gjykata e OKB-së për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, u përshëndet në të gjithë rajonin.
Por fakti që shumë serbë nuk e shohin atë si një kriminel lufte por si një hero thekson faktin që perspektiva e një ripajtimi afatgjatë në Ballkan mbetet e pasigurtë.
Shpërbërja e ish Jugosllavisë u shoqërua me dhunime të mëdha në të drejtat e njeriut. Më shumë se 20 vjet pas fillimit të rrethimit të Sarajevës nga serbët e Bosnjës, trashëgimia e kësaj dhune vijon, duke vënë në rrezik arritjen e respektimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Kthimi në normalitet ka qenë tepër e ngadaltë dhe disa shoqëri të Ballkanit mbeten të polarizuara, të ndara sipas vijave etnike. Larg të qenit një kapitull i mbyllur, siç parapëlqejnë të mendojnë disa politikanë të Ballkanit, nevoja për drejtësi po aq shumë sa për ripajtim vijon të jetë e madhe.
Siç tregon shembulli i Gjermanisë, vonesat në përballjen me të shkuarën e dhunshme totalitare, nuk sjellin asgjë të mirë ndërsa krijimi me kujdes i kujturës së kujtesës mund të japë leksione për gjeneratat e ardhëshme dhe të shërbejë si ilaçi më i mirë për të shmangur konflikte të tjera.
Injorantë mbi të shkuarën e afërt
Një vrojtim i kryer në vitin 2009 nga PSOS, Qendra e Beogradit për të Drejtat e Njeriut dhe OSBE, tregon më së miri se sa shumë pak gjëra dinë të rinjtë e Serbisë nga e shkuara e vonë e vendit të tyre.
Sipas këtij vrojtimi, vetëm gjysma e të rinjve nga 16 në 23 vjeç në Serbi kanë dijeni për faktin që snajperët serbë vranë shumë civilë gjatë rrethimit të Sarajevës. Vetëm 27 për qind e të intervistuarve kishin dijeni mbi përdhunimet e grave nga forcat serbe në Foça, lindje e Bosnjës më 1992.
Pothuajse një e katërta e të njëjtës grupmoshë nuk pati dëgjuar kurrë për masakrimin e rreth 8 mijë bosnjakëve [muslimanë] në Srebrenicë më qershor 1995, masakra më e rëndë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Një sondazh i kryer në prag të arrestimit të Mlldiçit zbuloi se 51 për qind e serbëve kundërshtonin ekstradimin e tij drejt Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ish Jugosllavinë, ICTY, nëse ai arrestohej. Vetë, 7 për qind thanë se do të njoftonin autoritetet në rast se mësonin mbi vendndodhjen e tij për të marrë shpërblimin prej 10 milionë eurosh.
“Historia jonë e vonë është e pakëndshme dhe përplot me pyetje që ne nuk kemi arsye t’i përgjigjemi dhe dukshëm ata [të rinjtë] nuk po marrin shpjegimet e nevojshme,” thotë Olga Pintar, një Profesoreshë Historie në Universitetin e Beogradit.
Sipas Pintar, shumica e informacionit që të rinjtë e Serbisë marrin nga e shkuara e vonë e Serbisë vjen nga shkollat, ku mësojnë vetëm faktet bazike, për shkak se historianët nuk kanë interpretime të reja dhe gjithashtu janë në mosmarrëveshje për atë se çfarë ndodhi.
Boshllëku në interpretime mbi të shkuarën mbushet nga media dhe familjet e tyre në një hapësisë publike që mbetet e polarizuar dhe shpesh e ndarë përgjatë vijave etnike.
“Të rinjtë janë gjithmonë pjesa më e suksesshme e shoqërisë për t’u manipuluar për shkak se me një vizion të gabuar të së shkuarësh me siguri do të krijosh një të ardhme gjithashtu të habuar,” paralajmëron Pintar.
Mësimi mbi të shkuarën Naziste në Gjermani
Në Gjermani kjo është shumë ndryshe. Pas gjyqeve të udhëheqësve më të lartë Nazistë në Nuremberg, të cilat u zhvilluan shpejt pas përfundimit të luftës, u deshën disa dekada që Gjermania të fillonte të përndiqte ish anëtarëte tjerë të forcave SS apo të partisë Naziste të akuzuar për krime lufte.
Kur memoriali i Bukenvaldit u hap më 1958, në atë që në atë kohë qe Republika Demokratike e Gjermanisë, (lindja komuniste), ish kampi i përqendrimit u prezantua si një qendër përleshjes mes të burgosurve komunistë dhe nazifashizmit, me mesazhin se imperializmi nuk qe zhdukur ende.
Në kuadrin e ideologjisë së Luftës së Ftohtë nuk kishte hapësira për të kujtuar fatin e Hebrenjve, [ashtu si edhe të homoseksualëve apo Romëve] të cilët përbënin pjesën më të madhe të viktimave të kampit.
Ndërkohë, në Gjermaninë Perëndimore, progresi ekonomik dhe integrimi në Europë konsiderohej më i rëndësishëm se sa përballja me të shkuarën dhe dënimi i kriminelëve të luftës.
Një memorial si Bukenvaldi nuk do të ekzistonte në Gjermaninë Perëndimore edhe për shumë vite pasi Bukenvaldi u hap në anën lindore.
Thomas Isensee, një pedagog historie në një prej shkollave publike të Berlinit thotë se të mësuarit e të rinjve mbi krimet e Nazizmit filloi tepër vonë në Gjermani.
U deshën revoltat e studentëve të vitit 1968 që vlerat tradicionale të viheshin në pikëpyetje dhe pyetjet e vështira të hidheshin në ballë të debatit publik.
“Nuk pati prokurorë për krime lufte deri vonë në vitet 1950, kur gjyqi i parë i madh mbi Aushvicin u zhvillua në Frankfurt,” thotë Insensee.
“Në shumë raste të tjera qe e qartë se prokurorët e shtetit dhe burrokracia bënë gjithçka që mundën për të ngadalësuar gjërat, në mënyrë që njerëzit të vdisnin dhe dokumentet të humbnin,” shtoi ai.
“Ata mund të ishin përndjekur shumë më herët por të rëndësishmit në administratë i mbuluan.”
Insensee mban mend se gjatë kulmit të gjyqeve kundër Nazistëve në Gjermani në vitet 1970, shumë nga studentët e tij vinin në klasë me pyetje mbi variantet e historisë që kishin mësuar në shtëpi.
“Ata shpesh thonin, ‘gjyshi im ka qenë në ushtri dhe nuk qe kriminel lufte por hero… dhe ka luftuar rusët në mbrojtje të mëmëdheut, për qytetërimin kundër Ushtrisë së Kuqe,’” rikjton ai.
Insensee thotë se pyetjet mbi të shkuarën duhet të shtrohen në mënyrën e duhur dhe se debati në shoqëri është me rëndësi thelbësore.
Rasti i fundit i krimeve Naziste të luftës që u dërgua para gjykatës qe ai i John Demjanjuk, një ish roje burgu ukrainas që vdiq më 17 mars.
Më 12 maj 2011, në moshën 91 vjeçare, Demjanjuk u shpall fajtor për ndihmë në vrasjen e 27,900 hebrenjve ndërsa shërbente si roje në kampin nazist të shfarosjes Sobibor.
Gjithsesi, për shkak se dënimi i tij qe në pritje të apelit në kohën kur vdiq, Demjanjuk mbetet “me prezumimin e pafajësisë” sipas ligjit gjerman.
Thomas Steinkraus-Koch, prokurori i çështjes, pranoi se dënimi i Demjanjuk nuk qe i lehtë “për shkak se veprimet për të cilat akuzohet kanë ndodhur shumë kohë më parë.”
Megjithëse Steinkraus-Koch thotë se ata ende po punojnë për çështje të tjera, Margarete Notzel, kreu i zyrës së shtypit në Gjykatën e Mynihut pranon se koha po mbaron.
“Pika e vdekjes është fjala e duhur sepse me të vërtetë ata po vdesin,” tha ajo, duke iu referuar të dyshuarve.
Jetët e të tjerëve
Shqipëria shpëtoi nga konfliktet etnike që përfshinë ish Jugosllavinë në vitet 1990.
Por pavarësisht se shpëtoi nga shkatërrimet e luftës etnike, vendi i vogël i Ballkanit me 3 milionë banorë ka vështirësitë e veta në përballjen me trashëgiminë e regjimit më të ashpër komunist në Bllokun Lindor.
Nën diktatorin Stalinist Enver Hoxha – i cili sundoi nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij më 1985 – mijëra shqiptarë u zhdukën apo u ekzekutuan dhe dhjetëramijëra të tjerë u burgosën nëpër kampe përqendrimi.
Hoxha e sundoi Shqipërinë me grusht të hekur me ndihmën e policisë së tij sekrete, të frikshmes “Sigurimi.”
Pasi regjimi u rrëzua më 1991, mijëra ish të burgosur politikë mbeten të painformuar në lidhje me njerëzit dhe forcat që orkestruan burgosjen e tyre.
Shqipëria është një nga pak vendet përtej Perdes së Hekurt që nuk i ka hapur ende arkivat shërbimeve sekrete të kohës së Komunizmit. Pavarësisht shumë përpjekjeve përgjatë dy dekadave të fundit, masat për të hedhur dritë në një nga kapitujt më të errët të historisë së vendit janë penguar nga luftërat e brendshme politike.
Njësoj si në Gjermaninë Lindore komuniste, ku 250 mijë njerëz nga një popullatë prej 17 milionë banorësh bashkëpunuan me “Stasi”-n, policia sekrete, një numër i madh shqiptarësh për arsye nga më të ndryshmet bashkëpunuan me Sigurimin, dosjet e të cilit u shkatërruan me shpejtësi kur regjimi u rrëzua më 1991.
Pjesa tjetër e letrave vijon të zërë pluhur, ndryshe nga ajo që ndodhi në Gjermaninë e bashkuar, ku dosjet u hapën për publikun në mënyrë që çdokush të mund të shohë dosjet e veta personale dhe të gjejë se kush po spiunonte mbi ta në të shkuarën.
Njësoj si fati i dosjeve sekrete të policisë, ish kampet e punës të Shqipërisë apo gulagët ose janë rrënuar, ose janë transformuar në burgje më moderne duke fshirë kujtimet e mijëra të burgosurve të cilët qenë dënuar gjatë regjimit të Hoxhës.
Gjithsesi, në Gjermani disa objekte, si ish qendra e arrestimeve të Stasit në Hohenschönhausen, Berlin, ndërtesë që u bë i famshëm në filmin e vitit 2006 Jetët e të Tjerëve (The Lives of Others), janë transformuar në memoriale.
Lutz Hildebrandt, i cili tashmë ofron shëtitje me udhërrëfyes në këtë burg, i cili më herët qe përdorur edhe nga Nazistët dhe Ushtria e Kuqe Sovjetike para se të merrej nga Stasi, është gjithashtu një ish i burgosur i arrestuar në vitin 1967.
I rrëmbyer menjëherë nga rruga nga oficerët e Stasit për shkak se grisi një poster dhe pas kësaj kaloi katërmbëdhjetë muaj në burg pa ia patur idenë se ku gjendej dhe me shumë pak komunikim me botën jashtë.
“Hetuesit qenë zakonisht të vetmit njerëz me të cilët takoheshe gjatë kohës që ishe në burg,” thotë Hildebrand.
Hildebrandt rikujton se të burgosurit thirreshin me numrin e qelisë së tyre dhe se rojet nuk i drejtoheshin në emër, ndërsa i vetmi komunikim me të burgosurit e tjerë ishte në formën e përgjimit të mureve të qelive. Librat, më së shumti propagandë komuniste, qenë mënyra e vetme për të kaluar kohën e burgut.
“Një herë u mërzita me një nga librat që më kishin dhënë për të lexuar dhe gërvishta me thonj mbi kopertinë ‘bajga,” rikujton Hildebrandt. “Kur ra Muri i Berlinit dhe unë u lejova të shoh dosjen që Stasi kishte për mua, gjeta aty një foto të librit ku dallohej shënimi im,” shton ai.
Turistë në vuajtjet e të tjerëve
Me qindra muzeume dhe galeri arti, një histori të pasur dhe jetë nate, qyteti i Berlinit tërheq miliona turistë çdo vit. Shumë prej këtyre turistëve tërhiqen nga vendet e përkujtimoreve të lidhura me Gjermaninë Naziste, Holokaustin apo Republikën Demokratike Gjermane (GDR).
Rainer Klemke, folës për muzeumet me kontribute shtetërore, memorialet dhe historinë bashkëkohore në Senatin e Berlinit, thotë se historia shet, qoftë ajo tragjike apo e gëzueshme.
“Vendet historike janë shumë të rëndësishme për ne për shkak se ato tërheqin gati 5 milionë turistë çdo vit,” thotë Klemke. “Berlini është Roma e shekullit të njëzetë dhe kudo që të gërmosh do të gjesh vende autentike mbi diktaturën e parë dhe të dytë,” shton Klemke duke iu referuar Rajhut të Tretë dhe GDR-së.
Berlini nuk është qyteti i vetëm në botë që përfiton nga e shkuara e përgjakur. Një bum në ‘turizmin e luftës’ në ish-Jugosllavi po shikohet nga agjencitë e udhëtimeve në rajon si një mundësi e mirë për të përfituar nga interesi mbi konfliktet e përgjakshme të viteve 1990.
Qindra udhëtime programohen çdo vit në Sarajevë për turistë perëndimorë që dëshirojnë të shohin se si banorët e Sarajevës i mbijetuan rrethimit të kryeqytetit të Bosnjës – një nga rrethimet më të gjata në historinë moderne. Srebrenica dhe qyteti kroat i Vukovarit shfaqen shpesh në itineraret turistike.
Regjisori gjerman i filmave Robert Thalheim, eksploroi këtë paradoks mes të përkujtuarit të krimeve të së shkuarës dhe industrisë së turizmit në dramën e tij autobiografike, Dhe Erdhi një Turist, (Along Came a Tourist), i cili ndjek fatin e një ish të burgosuri në kampin e shfarosjes së Aushvicit në Poloni.
“Është një dilemë që ka të dyja anët dhe ne duhet të përballemi me dilemën,” tha Thalheim duke folur për ish kampin e shfarosjes. “Është e rëndësishme që ne të mos sillemi sikur ky nuk është një vend turistik, është një i tillë dhe kjo është në rregull. Bëhet problem vetëm kur ti nuk e pranon,” thotë ai.
Filmi i Thalheim, i cili bazohet në kohën që ai kaloi në qytetin Osviecim si vullnetar në qendrën e takimeve rinore, ndjek nga afër një ish të burgosur politik polak, i cili tashmë është në të 80-at dhe vijon të jetojë në Aushvic.
Personazhi i luajtur në film nga Ryszard Ronczeëski, bazohet në vija të përgjithshme te jeta e Kazimirz Smolin, ish drejtorin e muzeut të Aushvicit, i cili qe një nga të burgosurit që e themeloi atë dhe vijon të jetojë sot në ish barrakat e gjermanëve SS.
“Zoti Smolin dhe të burgosur të tjerë me të vërtetë ndihmuan për ndërtimin e këtij muzeu dhe në fillim ata me të vërtetë duhej të shikonin me vëmendje dhe të siguroheshin që askush të mos merrte gjë nga fusha e kampit,” tha Thalheim.
“Ata thjeshtë qëndruan atje përgjatë të gjithë jetës së vet dhe rritën fëmijët e ndërtuan muzeun në themelet e kampit,” shtoi ai.
Thalheim thotë se duke shpenzuar kohë me Smolin ndërsa punonte te qendra rinore mori një kuptim më të thellë se sa turistët që e vizitonin kampin dhe dëgjonin njërën nga turet me udhërrëfyes që ofroheshin zakonisht nga ish të burgosur.
“Duhet t’i shohësh ata si njerëz dhe jo si dëshmitarë dhe kjo është mënyra e vetme për t’u afruar sadopak me ata dhe historitë e tyre, dhe jo thjeshtë duke parë se çfarë i ndodhi atyre në kamp por edhe duke parë jetën e tyre,” thotë Thalheim, duke theksuar se filmat mund të luajnë një rol të rëndësishëm për të na ndihmuar ne të kuptojmë të shkuarën.
“Ne mund të ngremë pyetje në art dhe kjo është arsyeja se pse arti është një pjesë kaq e rëndësishme e trajtimit të historisë,” shton ai.
Raportimi për këtë blog u bë gjatë një “Turneu të Kulturës Përkujtimore në Gjermani” në qershor 2011, organizuar nga Fondacioni Robert Bosch.