Analize18 Jun 2020

Mesia i Amerikës

Shtetet e Bashkuara ishin një uror racizmi, pabarazie dhe politikash të prishura që para se Donal Trump të hynte në Shtëpinë e Bardhë, por ishte ai që i vuri flakën dhe i hodhi akoma më shumë benzinë zjarrit. Nëse amerikanët nuk e dënojnë atë duke mos i dhënë votën në nëntor, shuarja e këtyre zjarreve dhe riparimi i dëmit që ai ka shkaktuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, mund të të jetë e pamundur.

Autor: Shlomo Ben-Ami Project Syndicate Tel Aviv
Printo

Presidenti amerikan Donald Trump. Foto: Flickr.

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se ai është “i zgjedhuri” dhe shumë prej mbështetësve të tij pajtohen me këtë. Por duke qëndruar me Biblën në dorë, para Kishës historike episkopale të Shën Gjonit në Uashington,  pasi policia përdori mburoja dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit paqësorë në zonë, Trump kishte më shumë të përbashkëta me gomarin sesa me Jezu Krishtin. Trump po e shtyn civilizimin e rënë në një pikë kulminante, duke krijuar pikërisht atë lloj kaosi që shumë prej përkrahësve të tij ungjillorë besojnë se do t’i paraprijë – dhe duhet të ndodhë – ardhjes së Mesias.

Trump kandidoi për president në vitin 2016 me premtimin “Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”. Fushata e tij për zgjedhjet e nëntorit, ku ai pretendon të rizgjidhet si president, premton, me gjithë arrogancën e pavërtetë që e prisnim, ta “Mbajë Amerikën përsëri të madhe”.

A është kjo e njëjta Amerikë që po përballet me protesta të gjera për shkak të racizmit sistematik dhe brutalitetit të policisë, dhe në të cilën oficerët e zbatimit të ligjit, të cilët supozohet të ruajnë paqen, po shkaktojnë rregullisht dhunë? Amerika ku policia vret burrat me ngjyrë me 2.5 herë më shumë se sa është norma e vrasjeve të burrave të bardhë?

A po i referohet Trump Amerikës që është vendi më i prekur në botë nga COVID-19, në të cilin njerëzit me ngjyrë po vdesin me ritme shumë më të larta se homologët e tyre të bardhë? Amerika ku rreth 44 milionë njerëz nuk kanë sigurim shëndetësor dhe 38 milionë të tjerë kanë mbulim jo adekuat? Ajo Amerikë që nën udhëheqjen e Trump ka humbur respektin e miqve, aleatëve dhe partnerëve të saj dhe është bërë një lolo në nivel ndërkombëtar?

Për të qenë të sigurt, problemet e Amerikës nuk filluan me Trumpin. Sistemi i kujdesit shëndetësor në SHBA ka kohë që është thyer, pabarazia është rritur për dekada, brutaliteti i policisë ka qenë gjithmonë pjesë e jetës amerikane dhe racizmi sistematik është ndërtuar që në themelet e vendit. Pretendimet e SHBA-së për lidership moral janë vënë në dyshim që para se Trump të hynte në Shtëpinë e Bardhë.

Por nëse Shtetet e Bashkuara ishin një uror racizmi, pabarazie dhe politikash të prishura, atëherë Trump i vuri shkrepëse dhe pastaj pretendoi pafajësi për zjarret që erdhën si rezultat i kësaj. “Nuk marr përsipër asnjë lloj përgjegjësie”, deklaroi ai, kur u pyet për përgjigjen e ngadaltë të qeverisë ndaj krizës së COVID-19.

Më keq akoma, Trump vazhdoi t’i hidhte benzinë zjarrit. Ai nuk i dha rëndësi ashpërsisë së pandemisë, nxiti protestuesit kundër izolimit (kryesisht të bardhë, republikanë) dhe u përpoq të pretendonte trajtime të paprovuar dhe ndoshta edhe të rrezikshme.

Kur shpërthyen protesta mbarëkombëtare pas vrasjes së George Floyd nga policia në Mineapolis, ai kërcënoi se do të nxirrte ushtrinë kundër amerikanëve, duke bërë që gjenerali me katër yje John Allen të paralajmëronte se një veprim i tillë mund të sinjalizonte “fillimin e fundit të eksperimentit amerikan”. Dhe me një gjuhë paralajmëruese, ai përsëriti një fjali të atribuar ndaj Walter Headley, shefit të policisë së Majamit gjatë trazirave civile atje në vitin 1967 i cili tha: “kur fillon plaçkitja, fillojnë edhe të shtënat me armë”.

Sjellja e Trump ka qenë shokuese, por aspak e habitshme. Ai ka shfrytëzuar të metat më të thella të Amerikës që kur erdhi në skenën politike, duke shkaktuar polarizimin politik dhe kulturor për të qetësuar bazën e tij. Ndërkohë, ai e ka mbajtur kontrollin e tij ndaj Partisë Republikane me një kombinim konvencional të uljes së taksave dhe çrregullimeve nga të cilat përfitojnë më shumë amerikanët e pasur dhe korporatat e mëdha. Dhe, për katër vjet me radhë, administrata e tij ka zhvendosur paratë publike nga rrjeti i sigurimeve shoqërore dhe arsimi dhe i ka vënë në përdorim në ushtri. Buxheti i mbrojtjes i SHBA-së është tani më i madhi që vendi ka pasur ndonjëherë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Një njeri i arsyeshëm mund të pyesë se përse Trump po e armatos Amerikën deri në dhëmbë? Mbi të gjitha, ai ka hequr dorë nga lidershipi global i SHBA-së duke i hapur rrigë Kinës që të mbushë vakumin pa u munduar fare. Ai jo vetëm që ka braktisur normat diplomatike, ka larguar dhe tradhtuar aleatët dhe ka kanosur vendet me sanksione dhe kërcënime, por është tërhequr gjithashtu nga marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen bërthamore me Iranin (zyrtarisht, Plani i Përbashkët i Veprimit) si edhe nga marrëveshja e Parisit për klimën.

Për europianët – të cilët nuk janë dakord me Trumpin për shumicën e këtyre vendimeve – SHBA-ja nuk është më një burim i lidershipi strategjik ose moral. Ajo mund të mos jetë më edhe anëtare e komunitetit transatlantik. Refuzimi i fundit i kancelares së Gjermanisë Angela Merkel ndaj ftesës së Trump për të marrë pjesë në një samit të G7 tregon se sa larg kanë shkuar marrëdhëniet. Vetëm cinikë të dëshpëruar si Binyamin Netanyahu i Izraelit, gënjeshtarë si Jair Bolsonaro i Brazilit, mendjemëdhenj si Boris Johnson i Britanisë dhe shtypës si Rodrigo Duterte i Filipineve e pëlqejnë ende miqësinë e Trump.

Ka vetëm një mënyrë për të ndrequr reputacionin e Amerikës, për të rifituar besimin e aleatëve dhe për të garantuar që SHBA-ja mund të veprojë ende si një kundërpeshë efektive ndaj Kinës. Kjo mënyrë është duke adresuar shkaqet thelbësore të çarjeve që ka shkaktuar dhe zgjeruar presidenca katastrofike e Trump. Kjo është në përputhje me vizionin e përkrahur në vitin 2011 nga dy strategë ushtarakë, Kapiteni Wayne Porter dhe koloneli Mark Mykleby, duke përdorur pseudonimin “Zoti Y”.

Porter dhe Mykleby argumentuan se siguria kombëtare varet jo vetëm nga aftësia për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga fuqitë e huaja, por gjithashtu – dhe ndoshta më e rëndësishme – nga “zbatimi i ndikimit dhe forcës së besueshme”. Ky ndikim, nga ana tjetër, varet nga suksesi i Amerikës në sigurimin e një “shtegu të premtimit” për qytetarët amerikanë – dhe një modeli për botën.

Një fuqi e tillë e butë kërkon që qeveria amerikane të promovojë vlera civile, të nxisë konkurrencën dhe inovacionin, të mbrojë mjedisin, të investojë në shërbime sociale, kujdesin shëndetësor, kulturë dhe arsim dhe të ofrojë mundësi për brezat të rinj. Me fjalë të tjera, kjo është krejtësisht e kundërta e axhendës së Trump tani.

Trump është antiteza e llojit të liderit që Max Weber besonte se “duhej të lejohej të vinte dorë në rrotën e historisë”. Shumë amerikanë duket se po e pranojnë këtë. Vlerësimi për të ka javë që po bie. Por një fitore e Trumpit në zgjedhjet e nëntorit mbetet një mundësi e vërtetë.

Askush nuk duhet të ketë iluzione për rreziqet që paraqet një skenar i tillë. Një tjetër mandat katër vjeçar mund ta nxisë Trumpin të veprojë në mënyrë akoma më të papërgjegjshme, madje edhe kriminale, dhe ta bëjë trashëgiminë re tij toksike të pakthyeshme.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Messiah of Mar-a-Lago