Blog23 Nov 2017

Mësime nga historia mbi efektet e ndotjes së ajrit

Rreziqet shëndetësore të ndotjes atmosferike janë shndërruar në një shqetësim të madh në Britani dhe në mbarë botën. Shumë pak dihet për efektet e saj në të kaluarën. Por historianët ekonomikë kanë gjetur mënyra të reja për të hedhur dritë mbi këtë temë të zymtë.

Autor: Tim Hatton Weforum.org
Printo

Ndotja e ajrit. Foto ilustuese: Wikimedia Commons.

Në epokën e hershme industriale, Britania ishte e famshme për fabrikat e saj satanike. Dhe revolucioni industrial, i cili bëri shumë për të rritur të ardhurat dhe pasurinë, varej pothuajse tërësisht nga një burim i karburantit: qymyri. Qymyri furnizonte shtëpitë dhe motorët me avull me qymyr u kthyen në rrotat e industrisë dhe transportit.

Në Britani, emetimet e tymit të zi ishin deri në 50 herë më të larta në dekadat e mëparshme sesa sot. Smogu i madh i Londrës i vitit 1952, që nxiti politikëbërësit të vepronin, vranë 4,000 njerëz brenda hapësirës kohore të një jave. Por edhe kjo nuk ishte aq dramatike sa ç’ishte më parë.

Djegia e parregulluar e qymyrit errësoi qiellin në qytetet industriale të Britanisë dhe ishte e qartë për të gjithë. Por cilësia e ajrit nuk u mat dhe nuk u monitorua deri në shekullin e 20-të. Dhe ndërsa bloza nxinte ndërtesat dhe rrobat, efektet e ajrit toksik për shëndetin nuk u vlerësuan deri vonë.

Në mungesë të të dhënave mbi emisionet, historianët ekonomikë kanë gjetur një mënyrë të re për të matur efektet e tij. Ata kombinuan konsumin e qymyrit nga industria me përbërjen industriale të fuqisë punëtore për të vlerësuar përdorimin vjetor të qymyrit në çdo zonë. Jo çuditërisht, intensiteti i qymyrit ishte më i lartë në Midlands në veri të Anglisë dhe në Uellsin e Jugut, prandaj këtu duhet të presim që të shohim efektet më të këqija në shëndet.

Intensiteti i qymyrit i lidhur me vdekjen e hershme

Që në fillim të viteve 1850, intensiteti më i lartë i qymyrit u shoqërua me shkallë më të lartë të vdekjesh nga sëmundjet e frymëmarrjes, sidomos tek të moshuarit dhe shumë të rinjtë. Një rritje prej vetëm 1% në intensitetin e qymyrit rriti numrin e vdekjeve në një në çdo 100 vdekje. Në fakt, ndikimi i ndotjes në Indi dhe Kinë sot është i krahasueshëm me atë të qyteteve industriale të Britanisë në fund të shekullit të 19-të.

Gjeografia kishte rëndësi. Ata që ndodhen në një zonë intensive qymyri që rrihet shumë nga era vuanin ndotjen e fqinjëve të tyre. Dhe komunitetet në luginat e rrethuara nga kodra vuajtën më shumë vdekje pasi emisionet e tumit u bllokuan dhe u përqendruan aty.

Djegia e qymyrit ndikoi gjithashtu në shëndetin e atyre që mbijetuan. Kjo çoi në sëmundje të përsëritura të frymëmarrjes, zhvillim më të ngadalshme gjatë fëmijërisë dhe fizik më të shkurtër në moshë të rritur. Edhe pse shumica e variacionit në gjatësinë individuale është gjenetike, megjithatë mund të krahasojmë gjatësitë e atyre që janë rritur në zona më shumë ose më pak të ndotura.

Efekti i ndotjes atmosferike mund të matet duke parë njerëzit që kanë lindur në vitet 1890, gjatësitë e të cilëve janë regjistruar kur ata u regjistruan në ushtrinë britanike gjatë Luftës së Parë Botërore. Gjatësia mesatare e tyre ishte 168 cm, por 10% ishin më e shkurtër sesa 160cm.

Ata që u rritën në zonat më të ndotura ishin pothuajse 2.5 cm më të shkurtër sesa ata që jetonin në ajër më të pastër, edhe pas përllogaritjes së një sërë karakteristikash lokale. Kjo është dy herë më shumë sesa ndryshimi në gjatësinë e të rriturve midis fëmijëve të jakave të bardha dhe punëtorëve të krahut.

Gjatësia mesatare e burrave u rrit me rreth 7,6 cm gjatë shekullit të 20-të. Rritjet në gjatësi janë lidhur me fitimet në jetëgjatësi, arsim, aftësi dhe produktivitet. Cilësia e përmirësuar e ajrit mund të ketë ndihmuar pothuajse po aq sa higjiena më e mirë apo dieta e përmirësuar.

Raportet shkencore të kohëve të fundit kanë paralajmëruar se ne përballemi me një rritje të ndotjes nga një sërë burimesh, sidomos emetimet e automjeteve. Dështimi për të mirëmbajtur dhe përmirësuar më tej cilësinë e ajrit rrezikon të vërë në rrezik përmirësimet në shëndet që kemi arritur nga përparimet teknologjike dhe politikat publike gjatë shekullit të kaluar.

Marrë nga Weforum.org