Lajm19 Nov 2019

Meta kallëzon Dvoranin pas përplasjes për Gjykatën Kushtetuese

Presidenti Ilir Meta njoftoi se kishte bërë kallëzim penal për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim i titullit” ndaj kreut të KED-it, Ardian Dvorani. Gjyqtari e konsideroi kallëzimin shantazhues dhe aspak institucional.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Presidenti Ilir Meta duke folur në një konferencë për shtyp në Tiranë më 4 mars 2019. Foto: Malton Dibra/LSA

Presidenti i Republikës bëri me dije të martën se kishte nisur kallëzim penal ndaj kreu të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.

Në kallëzimin e publikuar në faqen e Presidencës, Dvorani akuzohet për “shpërdorim të detyrës” dhe “përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” në lidhje me procedurat e ndjekura për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Meta u përplas me Dvoranin pas interpretimeve të ndryshme të Kushtetutës për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti pretendon se kreu i KED-it ka shkelur Kushtetutën duke mos respektuar radhën e emërimeve, ndërsa Dvorani dhe shumica parlamentare mendojnë se Presidenti shkeli Kushtetutën duke dekretuar Marsida Xhaferllarin si gjykatëse edhe pse kishte humbur afatin 30 ditor të përcaktuar në ligj. Presidenti kontestohet gjithashtu për zgjedhjen e kandidates së katërt të listë.

Gjyqtari dhe kryetari i KED-it, Ardian Dvorani iu përgjigj kallëzimit me një komunikim të gjatë për mediat, duke e konsideruar atë “shantazhues”.

“Kallëzimi i deklaruar në mënyrë aspak institucionale dhe shantazhuese prej kaq ditësh,” shkruan Dvorani, ndërsa thotë se për këtë do të vendosë prokuroria dhe gjykata dhe se ai është i gatshëm të japë shpjegime.

Kallëzimi

Presidenti Meta u përplas me kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për kohën e dërgimit të listave për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Meta pretendon në kallëzim se Dvorani ka “shpërdoruar detyrën” si kryetar i KED duke krijuar “një gjendjeje antikushtetutshmërie” dhe se  kishte kryer “një manovër e qëllimshme për t’i imponuar Presidentit të Republikës një veprim në kundërshtim të hapur me ligjin dhe antikushtetues”.

Meta pretendon se kreu i KED duhej të kishte zbatuar një rradhë të dërgimit të listave me kandidatura dhe se shkelja e kësaj rradhe ishte e qëllimtë për të detyruar atë të humbiste afatin 30 ditor të përcaktuar në ligj.  “Janë veprime të ndërgjegjshme kriminale dhe përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e krimit të shpërdorimit të detyrës”, thuhet në kallëzim.

Ai cilëson shkelje publikimin e një vendimi të KED sipas të cilit lihej të kuptohej se presidenti kishte humbur afatin dhe se në Gjykatën Kushtetuese ishte zgjedhur Arta Vorpsi e renditur e para në listën e kandidaturave. “Me dërgimin e aktit për botim në Fletoren zyrtare në kundërshtim me kërkesat e ligjit dhe pa një vendim kolegjial të Këshillit është kryer një shkelje e rëndë e ligjit”, thuhet në kallëzim.

Presidenti po ashtu cilëson shkelje të kreut të KED mospublikimin e procesverbaleve të mbledhjeve, duke iu referuar një raporti monitorues të Avokatit të Popullit. Meta thotë në kallëzim se “Presidenti i Republikës vlerëson ekzistencën e një rreziku real që i akuzuari Ardian Dvorani të kryejë sërish veprime kriminale dhe mafioze në shkelje të ngjashme të Kushtetutës dhe ligjit, që do të ndikonin drejtpërdrejt në mirëfunksionimin e organeve te reja kushtetuese”.

Ndërkohë në njoftim të kallëzimit Meta u duk sikur sfidonte prokurorinë dhe po vinte në provë reformën në drejtësi. “Si President i Republikës, po i jap një mundësi historike Reformës në Drejtësi, për të treguar integritetin dhe vërtetësinë e saj”, shkruante ai. Presidenti lajmëroi edhe publikimin e një video që sqaronte sipas tij se si një “grup me veprime mafioze” kishte synuar të merrte Gjykatën Kushtetuese.

Përgjigja e Dvoranit

Në njoftimin e fundit për mediat Dvorani i cilësoi akuzat nga presidenti si  të pavërteta “por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur”. Ai tha se gjuha e Metës ishte jo etike dhe jo normale për një institucion, ndërsa tha se nuk kishte asnjë shkelje penale. “Për rrjedhojë, jo vetëm që nuk ka shkelje të Kushtetutës e të ligjit, por edhe duke u nisur nga një interpretim dhe pretendim haptazi jokushtetues nuk ka vend as për të pretenduar se kanë ardhur pasoja të tilla në dëm të interesit publik që passjellin përgjegjësinë penale”, shkruan Dvorani.

Ai vuri në dukje se veç tij po sulmohej edhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe puna e bërë prej këtij të fundit, ndërsa ironizoi se kallëzimi po shitej si “heroizëm përpara kamerave dhe mikrofonave mediatikë”, kur “në fakt është detyrim ligjor dhe jo zgjedhje e tyre” kur ata pretendojnë se janë në dijeni të shkeljes së ligjit.

Dvorani po ashtu pretendoi se nuk kishte bërë asnjë shkelje. “Nga ana tjetër, për momentin, parashtroj publikisht se, edhe vetë sjelljet dhe veprimet e mia, qoftë edhe ato të pavërteta por të dëshiruara si të tilla nga kallëzuesi, janë të tilla në natyrë që jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit”, u shpreh ai.

Ai shprehet se kallëzimi penal dhe deklaratat e presidentit “bazohen në një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional të Kushtetutës dhe të ligjit”. Po ashtu si në qëndrimet e mëparshme pretendon se Meta nuk ka ushtruar detyrën dhe se për rrjedhojë “Kandidati i renditur i pari nga KED është, ex legge, anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese”.

Ai thotë se edhe nisur nga interpretimi i gabuar i ligjit prej Metës nuk ka vend për të pretenduar se ka pasur pasoja të “në dëm të interesit publik që passjellin përgjegjësinë penale”.

Ai i quajti deklaratat mediatike dhe kallëzimin një përpjekje për “për të cenuar e deligjitimuar, me një qasje dukshëm diversive fillimisht veprimtarinë time si kryetar i KED, por tashmë edhe në tërësi veprimtarinë e jashtëzakonshme që ka zhvilluar dhe po zhvillon intensivisht KED”.

Ngërçi kushtetues

Gjykata Kushtetuese mbetet ndërkohë ende në ngërç dhe ka vetëm katër anëtarë që pranohen nga të gjitha palët. Vitore Tusha, e vetmja anëtare e gjykatës që kaloi vetingun, është me mandat të përfunduar. Besnik Muçi u zgjodh sëfundmi nga Presidenti i Republikës, por është në pritje të vendimit nga KPA për vetingun. Ndërkohë Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska u zgjodhën nga parlamenti.

Gjykatës i duhen edhe të paktën dy anëtarë që të mund të marrë vendim mbi interpretimet e ndryshme të Kushtetutës dhe për të vendosur se cila prej anëtarëve është legjitime Arta Vorpsi apo Marsida Xhaferllari.

KED dhe shumica në Kuvend e konsideruan, për shkak të afateve kohore, të djegur mundësinë që presidenti të zgjidhte një nga tre kandidaturat e listuara dhe shpallën se njihnin të zgjedhur automatikisht magjistraten Arta Vorpsi, e cila ishte renditur e para në listë.

Meta nga ana tjetër duke konsideruar shkeljet e pretenduara sipas tij dekretoi në vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese Marsida Xhaferllarin, po ashtu ai refuzoi të ftojë për betim Arta Vorpsin. Xhaferllari nga ana tjetër renditej e katërta në listën e KED, edhe për shkak të vlerësimit me zero pikë nga Dvorani dhe kryeprokurorja në detyrë Arta Marku në kriterin e vlerësimit të figurës, u ftua të betohej në presidencë.

Shumica në kuvend dhe KED pretendojnë se kjo u bë në shkelje të kushtetutës që përcakton se organi i emërtesës zgjedh mes të renditurve në tre vendet e para prej KED. Nga ana e saj presidenca duket se bëri një renditje të sajën, duke spostuar Xhaferllarin në vendin e dytë pas emërimit në parlament të dy kandidateve të tjera.

Në një njoftim për shtyp Gjykata Kushtetuese, pas një rezolute të kuvendit që e cilësonte nul dekretin e Metës, bëri me dije se nuk kishte kuorum për të gjykuar përplasjen e kompetencave mes institucioneve. Ndërkohë në një njoftim të dytë, duke iu referuar leximit të drejtpërdrejtë të kushtetutës, njoftoi se Xhaferllari ishte kandidate e saj për të qenë anëtare në KED, bashkë me katër kandidatë të tjerë.