Lajm8 Aug 2019

Meta kthen pas ligjin për koncesionin e rrugës Milot-Balldren

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi kthimin për rishqyrtim në parlament të ligjit për miratimin e kontratës së partneritetit publik privat për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot-Balldren, dukë nënvijëzuar se është propozuar, hartuar, nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Presidenti Ilir Meta duke folur në një konferencë për shtyp në Tiranë më 4 mars 2019. Foto: Malton Dibra/LSA

Presidenti Ilir Meta ktheu të enjten në parlament për rishqyrtim kontratën koncesionare midis Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe shoqërive ‘A.N.K’ dhe ‘Bardh Konstruksion’ për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe operimin e segmentit rrugor Milot-Balldren.

“Ky ligj miraton një kontratë koncesionare ku vullneti i qeverisë shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me interesin publik dhe në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit,” tha Presidenti Ilir Meta nëpërmjet një njoftomi për shtyp.

“Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi aspak transparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj,” shtoi ai.

Sipas presidentit kontrata koncesionare nuk ka një vlerësim të qartë ekonomik pasi nuk është dhënë miratimi i projektit nga Ministria e Financave, çfarë krijon rrezik për cënimin e financave të shtetit. Sipas Metës kjo kontratë rrezikon buxhetin e shtetit për shkak se nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit.

Presidenti gjithashtu evidenton faktin se institucionet financiare ndërkombëtare kanë kërkuar nga qeveria shqiptare, në mënyrë eksplicite, eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit.

Ndërkohë, ai nënvizon se qeveria në kundërshtim me kërkesat e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe interesat e shtetit dhe qytetarëve shqiptarë ka miratuar këtë kontratë koncesionare, që pretendohet të miratohet me ligj në kushte të rënda paligjshmërie.

“Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit,” përfundoi Meta.