Mijëra njerëz dolën nëpër rrugët e Bullgarisë mbrëmjen e kaluar kundër vendimit të qeverisë për lejimin e zgjerimit të një resorti skish në Parkun Kombëtar Pirin të mbrojtur nga UNESCO.
Disa mijëra njerëz morën rrugët e kryeqytetit të Bullgarisë, Sofie, me qindra të tjerë që protestuan në nëntë qytete të tjera nëpër të gjithë vendin, pas vendimit të qeverisë për të lejuar ndërtimet në Parkun Kombëtar Pirin.
Duke bërtitur “Mafia” dhe “Dorëheqje”, protestuesit bllokuan Urën e Shqiponjave në qendër të Sofies.
Ndërkohë, mbështetësit e planeve për investime në Bansko organizuan një kundërprotestë, duke bllokuar autostradën ndërkombëtare E-79 që lidh qytetet juglindore të Blagooevrgadit dhe Simitlit dhe, sipas medias vendore, duke mbajtur pankarta ku shkruheshin slogane kundër “parazitëve mjedisorë”.
Qeveria miratoi një plan të ri menaxhimi për parkun natyror në 28 dhjetor duke lejuar ndërtimin e një teleferiku të dytë në Bankso, resorti më i madh i skive në Bullgari, nga kompania që menaxhon resortin, Yulen.
Si qytetarët ashtu edhe grupet mjedisore kundërshtuan aktivisht planin e qeverisë duke ngritur shqetësimin se projekti do të sjellë ndërtime të tjera në dëm të pyjeve.
Në dhjetor, disa personalitete të famshme nga SHBA iu bashkuan fushatës ndërkombëtare për shpëtimin e Parkut Kombëtar Pirin nga ndërtimet, fushatë e organizuar na WWF-Bullgari.
Qeveria më herët shtyu vendimin mbi planin e debatueshëm, i cili duhej të merrej më 13 dhjetor, për shkak të protestave në rrugët e Sofies.