Lajm14 Sep 2020

Ministria e Arsimit, ikën Besa Shahini, vjen Evis Kushi

Besa Shahini, e cila mori postin e Ministres së Arsimit në janar 2019, dha dorëheqjen për t’u larguar nga Shqipëria në shtator 2020, pas rreth 20 muajsh në këtë detyrë. Ajo zëvendësohet nga deputetja e Elbasanit Evis Kushi.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini, duke folur në një konference shtypi ku njoftoi se mësimi do të pezullohet për 2 javë në të gjitha shkollat dhe universitetet e vendit, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit COVID-19 | Foto : LSA

Kryeministri Edi Rama njoftoi ndryshimin e radhës në kabinetin e tij qeverisës, pasi ministrja e Arsimit Besa Shahini, e sjellë në skenën politike të Tiranës në vitin 2017, vendosi të largohet pa dhënë shpjegime për arsyet e largimit. Rama publikoi një video të xhiruar nga stafi i tij në Facebook, ku ai shfaqet duke pirë kafe me Shahinin dhe zëvendësuesen e saj, deputeten e Elbasanit Elvis Kushi.

Shahini, e lindur në Prishtinë në vitin 1982, është bashkëshorte e një politikani të Kosovës. Ajo u soll në politikën shqiptare fillimisht si zëvendësministre e Arsimit dhe më pas, pas largimit të Lindita Nikollës si pasojë e protestave studentore të dhjetorit 2018, si ministre Arsimi.

Elvis Kushi është lindur në vitin 1975 në Elbasan dhe është emëruar deputete e Partisë Socialiste në vitin 2013. Sipas CV-së së saj, ajo është anëtarësuar në Partinë Socialiste në mars 2013, afro tre muaj para se të vendosej në listat e kandidatëve të Partisë Socialiste.