Analize29 Oct 2018

Ministria e Brendshme shkel ligjin duke “ngrirë” dhënien e shtetësisë shqiptare

Prej një viti Ministria e Brendshme ka ndaluar dhënien e shtetësisë shqiptare në pritje të miratimit të një projektligji të ri, duke lënë pezull aplikantët dhe duke shkelur ligjin përmes moszbatimit të kuadrit ligjor aktual.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Pasaporta shqiptare | Bevis Fusha / Safran

Një vendim i muajit shtator i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) zbuloi një praktikë të pazakontë të Ministrisë së Brendshme për ngrirjen e dhënies së shtetësisë shqiptare, në pritje të miratimit të një projektligji të ri që “do të lehtësonte procedurat”.

Praktika u zbulua pas ankesës te Komisioneri të një shtetaseje me origjinë shqiptare, të lindur në Itali, e quajtur Bianca Gjomarkaj (Nakovics), e cila pretendoi diskriminim nga Ministria e Brendshme pas më shumë se një viti pritjeje për miratimin e aplikimit të saj për fitimin e shtetësisë nga babai shqiptar.

Ligji 05.08.1998 “Për Shtetësinë Shqiptare” dhe VKM Nr. 554, datë 3.7.2013 “Për përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës” parashikon dhënien e shtetësisë shqiptare personave të lindur nga të paktën një prind, që zotëronte shtetësinë ose origjinën shqiptare në momentin e lindjes së kërkuesit, pavarësisht nga vendi i lindjes.

Ligji gjithashtu parashikon një afat total jo më shumë se dy-tre mujor për marrjen dhe shqyrtimin e kërkesës për fitim të shtetësisë.

Që një shtetas të pajiset me pasaportë shqiptare, atij i duhet të paraqesë një sërë dokumentesh te autoritetet e përcaktuara si pritëse të aplikimeve, të cilat ia dërgojnë ato Ministrisë së Brendshme. Kjo e fundit, në bashkëpunim me qeliza të tjera shtetërore kryejnë verifikime të dokumenteve dhe personit dhe më pas i kalojnë gjetjet e tyre Ministrit. Legjislacioni i lë ministrit 30 ditë të tjera kohë për të vendosur për dhënien e shtetësisë dhe kalimin e aplikimit për dekretim nga presidenti.

Megjithatë, korrespondenca e aplikueses Gjomarkaj me institucionet, si dhe komunikimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi me Ministrinë e Brendshme zbuloi se Ministria e Brendshme i ka shkelur afatet për shqyrtimin e aplikimit, duke e mbajtur atë pezull prej 14 muajsh.

E kontaktuar nga BIRN përmes telefonit znj. Bianca Gjomarkaj e cila jeton prej gjashtë vitesh në Shqipëri nën pasaportën e saj amerikane u shpreh e shqetësuar për vonesat në aplikim e saj për shtetësi.

“Është e drejta ime dhe e dua,” tha ajo e vendosur, ndërsa akuzoi qeverinë se po e zvarrit procedurën për shkak të historisë familjare të saj në opozitë me regjimin komunist të ish diktatorit Enver Hoxha.

“Historia e familjes sime është e ditur dhe shpjegimi im i vetëm për vonesën është se ata nuk më duan në Shqipëri ngaqë familja ime ka qenë anti-komuniste,” sqaroi Gjomarkaj.

Në dokumentet e vëna në dispozicion për KMD dhe BIRN, familja e Gjomarkaj paraqitet të ketë pasur ndikim në zonën e Mirditës, spikatur nga aktivitetet antikomuniste të gjyshit Gjon dhe babait të saj Kapidan Ndue Gjon Markagjoni (Gjomarkaj) dhe angazhimin me Blloku Kombëtar Indipendent.

Kontributet e fisit Gjomarkaj çmohen edhe në motivacionin e akordimit të dekoratës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga presidenti i asaj kohe Bujar Nishani i cili arsyeton: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në shërbim të mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe në mënyrë të veçantë, të trevës së Mirditës, për luftën shumëshekullore kundër pushtuesve të atdheut dhe për rezistencën e tyre deri në sakrifica sublime, kundër vendosjes së diktaturës komuniste në trojet shqiptare”.

Nga ana e saj, Ministria e Brendshme nuk trajtoi pyetjet e BIRN lidhur me pretendimin  e znj. Gjomarkaj për diskriminim, por u përgjigj shkurtimisht se “miratimi është në vlerësimin e titullarit”.

Në vendimin e Komisionierit Kundër Diskriminimit, të cilin BIRN e disponon, arsyetohet se znj. Gjomarkaj është përballur me një trajtim të padrejtë dhe joligjor nga ministria, por jo me diskriminim, pasi të paktën edhe 14 persona të tjerë janë lënë pezull në aplikimin e tyre për shqiptare nga dhjetori 2016 deri në shkurt 2018.

Megjithatë, dekretet e presidentit për dhënien e shtetësisë shqiptare, të publikuara në faqen zyrtare President.al tregojnë se përgjatë vitit 2017 deri në janar 2018, presidenti Bujar Nishani (deri në korrik 2017) dhe Ilir Meta (betuar më 24 korrik 2017 dhe në vazhdim) ka dekretuar duzina aplikimesh për shtetësi.

Ministria e mbrojti praktikën e saj të ngrirjes si një masë pozitive që do të lehtësojë procedurat për aplikantët në të ardhmen pas miratimit të ligjit të ri, por nuk saktësoi se cilat ishin disa nga ndryshimet që do të sillnin këto lehtësime.

“Ju bëjmë me dije se pasi është vlerësuar dhe dakortuar në nivel eksperti se nevojitet unifikim i praktikave për fitimin, rifitimin, lënien dhe njohjen e shtetësisë shqiptare, duke u parashtruar të gjitha në aktin ligjor, i cili është në proces draftimi, procedura e njohjes ka vijuar,” u shpreh ministria për BIRN.

“Por siç jemi shprehur, duke orientuar të interesuarit që aplikimet të vijojnë në momentin e miratimit të ligjit të ri, i cili është me procedurë të lehtësuar për këtë kategori dhe nuk lë vend për vlerësime,” shtoi ajo.

Pavarësisht se pretendimit të ministrisë se ka orientuar aplikimet pas miratimit të ligjit të ri, ajo nuk ka ndaluar qindra të tjerë ta lënë shtetësinë shqiptare, edhe pse shprehet se unifikimi i praktikave do të prekë edhe lënien e shtetësisë.

Ndonëse nuk rezulton asnjë akt administrativ, i brendshëm nga Ministri i Brendshëm nëpërmjet të cilit të zyrtarizojë pezullimin apo ngrirjen e procedurave, pretendimi i ministrisë se procedura ka vazhduar bie poshtë nga fakti se gjatë vitit 2018 presidenti ka dekretuar vetëm një dhënie të shtetësisë shqiptare për George Anthony Frendo, Arqipeshkëv i Metropolit Tiranë-Durrës, lëshuar gjatë meshës së përkujtimit të 25-vjetorit të vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri.

“Ngrirjen” e konfirmon edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi pas informacionit të administruar gjatë hetimit administrativ të tij pranë Ministrisë së Brendshme.

“Rezultoi se procedurat për njohje shtetësie janë ‘ngrirë’ edhe për 14 praktika të tjera, disa prej të cilave edhe më të hershme (se znj. Gjomarkaj),” shprehet KMD.

Moszbatimi i një ligji aktual me justifikimin e pritjes që një ligj i ri të hyjë në fuqi është konsideruar nga Komisioneri si veprim i paligjshëm.

“Komisioneri gjykoi se ankuesja i është ekspozuar një trajtimi të padrejtë dhe të paligjshëm, për sa kohë që e ka depozituar kërkesën e saj për njohje të shtetësisë, ndërkohë që ligji nr 8389 Për “Shtetësinë Shqiptare” dhe aktet nënligjore të dala prej tij, ka qenë dhe janë ende në fuqi,” përfundon KMD.

Ai e nxiti Ministrinë e Brendshme të përfundojë procedurat e lëna pezull të njohjes së shtetësisë.

“Dua ta marr shtetësinë që të mund të ushtroj të drejtën time të votës dhe të mund të gëzoj të drejtat e kujdesit shëndetësor si çdo shtetas tjetër shqiptar,” tha znj. Gjomarkaj për BIRN.

“Gjyshi dhe babai im kanë qenë shqiptarë dhe unë jam shqiptare gjithashtu me Kushtetutë, por mesa duket jo në letrat e Ministrisë,” përfundoi ajo.