Partia Demokratike e Kosovës e opozitës bëri thirrje për shkarkimin e ministres së jashtme Donika Gërvalla për shkak të komenteve që ajo bëri pesë vjet më parë, kur tha se do t'i siguronte prova gjykatës me bazë në Hagë që po gjykon ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Abelard Tahiri, kreu grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, bëri thirrje të enjten për shkarkimin e zv/kryeministres dhe ministres së punëve të jashtme Donika Gërvalla sepse në vitin 2016 ajo tha se ishte e gatshme të siguronte material provë për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Mes debateve të ashpra në Kuvendin e Kosovës, Tahiri i tha Gërvallës se ajo e kishte “turpëruar” diplomacinë e Kosovës dhe i bëri thirrje kryeministrin Albin Kurti ta shkarkonte atë.
Tahiri pretendoi se Dhomat e Specializuara u krijuan për shkak të “fakteve të rreme nga Beogradi” dhe se Gërvalla po bashkohej me qëndrimit serb përsa i përket gjykatës.
“Ne si PDK nuk mund të lejojmë që ministrja të flet në narracionin e ndërtuar në Beograd. Kërkojmë nga kryeministri Kurti që sa më parë të shkarkojë këtë ministre të papërgjegjshme që në vazhdimësi fyen vlerat më të larta të popullit tonë. PDK e merr me shqetësim qëndrimin e ministres sepse ajo përfaqëson Kosovën”, tha Tahiri në një konferencë për shtyp më pas.
Gërvalla mohoi të ketë qenë ndonjëherë dëshmitare në Dhomat e Specializuara dhe akuzoi PDK-në se ishte ajo përgjegjëse për krijimin e Gjykatës Speciale me bazë në Hagë e cila po gjykon ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, për krime lufte.
“Ju jo vetëm që nuk e keni luftu dhe nuk keni ndërmarr asgjë për dënimin dhe gjykimin e krimeve të pas luftës, por jeni mundu ta evitoni gjykimin e krimeve në Kosovë dhe ju jeni ata që në këtë formë e keni bërë të mundur Gjykatën Speciale. Gjykata Speciale nuk ka piku nga qielli. Ky koalicion qeveritar nuk e ka kriju Gjykatën Speciale atë e keni krijuar ju”, tha ajo.
Në të kaluarën, Gërvalla gjithashtu ka akuzuar ish-kreun e PDK-së Kadri Veseli si “kreun e një organizate që kreu krime”.
Veseli dhe tre ish-liderë të tjerë të UÇK-së që u bënë politikanë të lartë pas luftës, përfshirë ish-presidentin dhe kreun e PDK-së Hashim Thaçi, aktualisht po presin gjyqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ata të gjithë janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Dhomat e Specializuara u krijuan për të gjykuar ish-guerilasit e UÇK-së për krime të pretenduara të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës nga viti 1998 deri në 2000.
Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe përbëen nga staf ndërkombëtar për shkak të frikës se gjyqësori i Kosovës nuk mund të gjykonte raste kaq të ndjeshme dhe nuk mund të mbronte dëshmitarët nga kanosja.
E ashtuquajtura Gjykatë Speciale nuk shihet me sy të mirë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e shohin atë si një përpjekje për të njollosur luftën e UÇK-së për çlirim nga sundimi serb.