Miratimi i një ligji për shtrirjen e përdorimit të gjuhës shqipe nga ana e Maqedonisë është lavdëruar nga Shqipëria dhe Kosova fqinje, por ka shaktuar edhe zemërim tek nacionalistët në vend.
Ndërsa Shqipëria dhe Kosova e kanë lavdëruar qeverinë e re të Maqedonisë, të udhëhequr nga Social Demokratët, për përmirësimin e të drejtave të gjuhës shqipe, kritikët nacionalistë në vend e kanë cilësuar ndryshimin si antikushtetues.
Policia maqedonase të enjten konfirmoi se makinës së një deputeteje social demokrate, Slavica Shumanska-Miteva, iu vu zjarri në qytetin e Vinicës të mërkurën në mbrëmje.
Shumanska-Miteva tha se dyshonte se sulmi ishte frymëzuar nga skenat e dhunshme të së mërkurës në parlament.
“Pas kësaj qëndrojnë vandalët, të inkurajuar nga sjellja e djeshme e deputetëve të opozitës VMRO DPMNE, kur u përpoqën të parandalonin votimin,” tha ajo për gazetën e përditshme Fokus.
Policia raportoi gjithashtu arrestimin e një personi të mërkurën në mbrëmje përpara ndërtesës së parlamentit në Shkup, pasi ai u kontrollua dhe u gjet se kishte me vete shkop gome dhe gurë.
Nga ana tjetër, liderët në Kosovë dhe Shqipëri përshëndetën miratimin e së mërkurës të ligjit të shumëpritur që zgjeron përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni.
“Përshëndes vendosmërinë për të miratuar ligjin si një akt të rëndësishëm historik dhe një akt i të rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të ardhmen europiane të Maqedonisë,” shkroi në Facebook presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Ditmir Bushati, Ministri i Shqipërisë për Europën dhe Punët e Jashtme, e quajti këtë një arritje të rëndësishme.
“Miratimi i këtij ligji pas refuzimit të presidentit maqedonas dhe sjelljes obstruksioniste të disa segmenteve specifike të politikës së vjetër, është një arritje e madhe për shqiptarët si një popullsi shtet-formuese,” shkroi Bushati.
Parlamenti maqedonas e miratoi ligjin të mërkurën në një atmosferë të tensionuar.
Minuta para votimit, ish-kryeministri dhe ish-lideri i partisë VMRO DPMNE Nikola Gruevski shkoi pas vendit të kryetarit të parlamentit Talat Xhaferi dhe u përpoqën të fuste duart në pajisjen e tij elektronike.
Tensioni arriti kulmin kur Gruevski pati një përleshje të shkurtër me kryetarin, duke bërë që forca e sigurisë së parlamentit të ndërhynin dhe t’i ndanin.
Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, i cili në janar vuri veton për këtë ligj dhe tani është i detyruar ta nënshkruajë atë, gjithashtu e kundërshtoi vendimin dhe tha se pavarësisht nga detyrat e tij kushtetuese, ai nuk do ta nënshkruante ligjin, gjë e cila mund të komplikojë më tej marrëdhëniet e tij me qeverinë.
Ndërsa qeveria këmbëngul se ligji do ta bëjë më të lehtë jetën për shqiptarët etnikë në vend dhe do të rritë besnikërinë e tyre ndaj tij, opozita këmbëngul se kjo bie ndesh me kushtetutën dhe rrezikon unitetin kombëtar.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ky ishte një lajm i mirë jo vetëm për komunitetin shqiptar, por për të gjithë rajonin.
“Ka vullnet të mirë për bashkëjetesë, duke respektuar diversitetin kulturor dhe dinjitetin e integritetin e çdo qytetari,” citoi të ketë thënë Thaçi Klan Kosova TV.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e quajti atë një hap të madh përpara, për të drejtat e shqiptarëve dhe për respektimin e vlerave qytetare.
“Vendimi i parlamentit maqedonas rrit marrëdhëniet midis komuniteteve që jetojnë në vend, promovon zhvillimin e tij demokratik dhe hap perspektivën e vendit drejt integrimeve euroatlantike,” shkroi Haradinaj në Facebook.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përshëndeti gjithashtu një hap drejt “përmbushjes së një të drejte të ligjshme dhe thelbësore”.
“Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm në përmbushjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjen e standardeve të larta të të drejtave të njeriut të kërkuara në kuadër të integrimit euroatlantik,” shkroi Veseli.
Lexoni më shumë:
Maqedonia miraton ligjin për gjuhën shqipe mes përleshjesh