Shumë njerëz dhurojnë nga mirënjohja, jo vetëm universiteteve që kanë frekuentuar, por edhe për shkollave të tyre fillore dhe të mesme, si edhe spitaleve ku janë kuruar kur kanë qenë sëmurë. Por të dhurosh nga mirënjohja s’do të thotë që po bën domosdoshmërish më të mirën e mundshme.
Nëntorin e kaluar, Michael Bloomberg bëri atë që mund të jetë donacioni më i madh privat në arsimin e lartë në kohët moderne: 1.8 miliard dollarë amerikanë për të mundësuar alma mater-in e tij, Johns Hopkins University, të ofrojë bursa për studentët e kualifikuar që nuk mund të përballojnë dot tarifat e shkollimit. Bloomberg është mirënjohës ndaj Johns Hopkins, shpjegon ai, sepse mundësia për të studiuar atje, me një bursë, “hapi dyer që ndryshe do të ishin mbyllur dhe më lejoi të jetoj ëndrrën amerikane”. Një vit pasi u diplomua, ai dhuroi 5 dollarë për shkollën, aq sa kishte të mundur. Falë suksesit të Bloomberg L.P., kompania ndërkombëtare e informacionit financiar që ai themeloi në vitin 1981, ai tani ka dhënë gjithsej një total prej 3.3 miliard dollarësh.
Shumë njerëz japin nga mirënjohja, jo vetëm për universitetet ku ata kanë studiuar, por edhe për shkollat e tyre fillore dhe të mesme dhe për spitalet ku ata janë kuruar kur kanë qenë sëmurë. Këto arsye në dukje të lavdërueshme për të dhuruar janë në tension me idenë, të popullarizuar nga lëvizja “altruizmi efikas”, që ne duhet të bëjmë sa më shumë mirë që mundemi. Bloomberg duket i vetëdijshëm për këtë mënyrë të menduari, sepse ai ofron një tjetër arsye për dhuratën e tij të fundit: “asnjë studenti të kualifikuar nuk duhet t’i ndalohet kurrë regjistrimi në universitet, në bazë të llogarisë bankare të familjes së tij ose të tij”.
Në Shtetet e Bashkuara, në ndryshim me vendet e tjera të pasura, studentët shpesh nuk janë në gjendje të shkojnë në universitetet që duan sepse nuk përballojnë dot tarifat e larta. Mund të jenë në dispozicion kreditë për studentët, por ato duhet të paguhen pas diplomimit. Dhurata e Bloomberg shton edhe një universitet të vogël (përfshirë Princeton University, punëdhënësi im) në grupin e atyre ku studentët që nuk kanë mundësi të paguajnë, do të kenë të mbuluara plotësisht shpenzimet e tyre të shkollimit dhe të jetesës.
Bloomberg ka një rekord të admirueshëm bamirësish. Tre herë kryebashkiaku i zgjedhur i Nju Jorkut, administrata e tij shpëtoi shumë jetë duke ndaluar pirjen e duhanit nëpër restorante dhe vende pune në ambiente të brendshme si edhe reduktoi ndotjen e ajrit, duke përfshirë një reduktim prej 19% në emetimet e gazrave serrë në mbarë qytetin. Ai bëri fushatë kundër armëve të paligjshme dhe më vonë themeloi dhe mbështet financiarisht organizatën jofitimprurëse “Everytown for Gun Safety”.
Sipas Forbes, e cila këtë vit filloi të rendisë njerëzit më të pasur në botë për filantropinë e tyre, Bloomberg ka dhuruar më shumë se 5.5 miliardë dollarë. Kjo e rendit atë të tretin, duke u pozicionuar pas Warren Buffett dhe Bill dhe Melinda Gates në listën Forbes, e cila merr parasysh si shumën absolute të dhuruar ashtu edhe përqindjen e pasurisë së një personi të përfaqësuar nga kjo shumë. Bloomberg ka marrë “Giving Pledge”, duke u zotuar që të dhurojë për bamirësi të paktën gjysmën e pasurisë së tij. Në fakt, ai ka shkruar se “pothuajse e gjithë pasuria ime neto do të dhurohet në vitet që do të vijnë pse do t’ia lë fondacionit tim”.
E megjithatë, unë nuk mund ta duartrokas donacionin e Bloomberg për një universitet që tashmë kishte një zotërim 3.8 miliardë dollarë dhe i takson studentët 53,740 dollarë në vit që të studiojnë në të. I preferuari im është Hank Roëan, i cili në vitin 1992 dhuroi 100 milionë dollarë për Glassboro State College, një universitet publik në Nju Xhersi, i cili në atë kohë zotëronte 787,000 dollarë dhe pagesa vjetore për studentët ishte rreth 9,000 dollarë. Vetë Rowan ishte diplomuar në MIT, një nga universitetet më të mirë në botë, por mirënjohja nuk ishte motivi i donacionit të tij. Ai donte të bënte dallimin më të madh që mundej dhe besonte se dikush se njeriu mund të bëjë një ndryshim më të madh duke forcuar lidhjet e dobëta në sistemin e arsimit të lartë dhe jo duke i dhuruar akoma më shumë atyre që tashmë kanë shumë. (Nëse doni të dini më shumë për Rowan – dhe pse ai ka gjasa të ketë të drejtë – dëgjoni Malcolm Gladwell të flasë rreth tij.)
Por ndërkohë që të bërit mirë duhet të ketë përparësi në krahasim me ndjenjat personale si mirënjohja, ne nuk duhet të heqim dorë tërësisht nga ndjenjat personale. Për shembull, mirënjohja mund ta kishte shtyrë Bloombergun t’i dhuronte, për shembull 1 milionë dollarë Johns Hopkins University bazuar në këto ndjenja. Kjo do të kishte kënaqur çdo borxh moral që ai mund të ketë ndjerë ndaj alma materit të tij dhe i mbeteshin 1,799 milionë dollarë që të bënte akoma më shumë mirësi.
Fatmirësisht, nuk është tepër vonë. Vetëm që nga viti 2014, pasuria e Bloombergut është rritur me 50%, në 48 miliardë dollarë. Nëse ai mendon se rritja e barazisë së mundësive në arsim sjellë shumë gjëra të mira, ai mund të ndjekë shembullin e Rowan dhe të kërkojë institucione në nevojë. Lidhjet vërtet të dobëta në arsim, megjithatë, nuk janë në Shtetet e Bashkuara. George Soros, një tjetër filantrop mbresëlënës, themeloi Universitetin e Europës Qendrore në mënyrë që të ofrojë mundësi të reja arsimore për studentë nga e gjithë bota, por sidomos nga ish-vendet komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore.
Sot nevoja më e madhe për arsimim është në vendet në zhvillim, ku shumë fëmijë nuk përfundojnë as shkollën fillore. Në Kenia, pagat e mësuesve të shkollave fillore fillojnë nga 17,000 shilinga në muaj, ose 2,000 dollarë në vit. Me këtë ritëm, me 1,8 miliardë dollarë do të siguronit 18,000 mësues të tillë për 50 vitet e ardhshme.
Por edhe arsimi nuk është konkurrenti i vetëm për të bërë mirë. Dylan Matthews, i cili shkruan për altruizmin efektiv për Vox, nxori vlerësime nga vlerësuesi i bamirësisë GiveWell, për të sugjeruar se nëse Bloomberg do t’ia dhuronte 1,8 miliardë dollarët e tij Fondacionit Kundër Malaries për të mundësuar blerjen dhe shpërndarjen e rrjetave të krevateve, ai do të kishte shpëtuar më shumë se 400,000 jetë. Ka gjithashtu shumë bamirësi të tjera me teknika të provuara për të ndihmuar njerëzit në varfëri të skajshme (për shembull, shiko Life You Can Save, një organizatë jo fitimprurëse e themeluar nga unë). Dhe nuk është e nevojshme të jeni miliarder për të bërë një ndryshim.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Too Much Gratitude?