Interviste3 Nov 2020

Misteri i zhdukjes së Remzi Hoxhës, përmes rrëfimit të djalit të tij

Njëzet e pesë vjet pasi aktivisti dhe biznesmeni shqiptar Remzi Hoxha u kap nga shërbimi shqiptar i inteligjencës dhe u vra, djali i tij kujton kërkimet e gjata të familjes për trupin e tij dhe arsyen pse iu desh të ndalonin.

Autor: Amire Qamili, Xhorxhina Bami BIRN Prishtinë
Printo

Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës. Foto: BIRN.

Ardian Hoxha ishte 14 vjeç në vitin 1995 kur nëna e tij e transferoi atë dhe katër vëllezërit e motrat e tij në Tiranë, Shqipëri, për t’u ribashkuar me babanë e tyre.

Babai i tij, Remzi Hoxha, kishte qenë një biznesmen dhe një aktivist për çështjen etnike shqiptare në Kosovë, por ishte laruar për në Shqipëri për t’i shpëtuar persekutimit nga regjimi jugosllav.

Por pastaj, më 21 tetor 1995, ndodhi tragjedia. “Pak ditë pasi filloi mësimi as një muaj e gjysmë ndodhi kjo më e keqja që ne si fëmijë as që e kishim menduar se mund të ndodhte një gjë e tillë”, kujton Hoxha.

Babai i tij, i cili në atë kohë ishte 39 vjeç, u zhduk në Tiranë dhe kështu filloi një kërkim 25-vjeçar për gjetjen e tij.

Hoxha tha se nëna e tij thirri kunetërit e saj në Kosovë të cilët “erdhën në Tiranë dhe filluan menjëherë kërkimet në institucione të ndryshme, por ai nuk gjendej askund”.

Fëmijët nuk i linin të hynin në dhomë që të dëgjonin bisedat e të rriturve, por ata e kuptuan se kishte diçka që nuk shkonte.

“Ato ditë u tha se e kishte marrë policia, e kishte marrë ushtria, ishte shumë kaotike situata”, tha Hoxha.

Familjes fillimisht iu tha se ai ishte “marrë verifikim” dhe se ai do të mbahej për 24 ose 48 orë.

Kaluan 48 orë dhe pastaj “një javë, një muaj, një vit dhe ai nuk gjendej askund”.

Lajmi se Remzi Hoxha nuk ishte më gjallë iu dha përfundimisht atyre nga politikani dhe shkrimtari shqiptar i Kosovës Adem Demaçi.

Por ishte vetëm në 25-vjetorin e vdekjes së tij javën e kaluar që familja njoftoi se do t’i jepte fund kërkimit për gjetjen e eshtrave të tij.

“Ne si familje do e bëjmë një varr, një memorial që të paktën të kemi një vend ku mund të shkojmë ta vizitojmë”, tha Ardian Hoxha në një konferencë për shtyp.

Të dyshuarit për vrasjen s’u burgosën kurrë

Familja e Remzi Hoxhës mbajti një konferencë në Prishtinë më 21 tetor të këtij viti me rastin e 25-vjetorit të rrëmbimit të tij nga autoritetet shqiptare. Foto: BIRN.

Familja pretendon se Remzi Hoxha u rrëmbye me urdhër të presidentit të atëhershëm shqiptar Sali Berisha nga anëtarët e Shërbimit Informativ Kombëtar të vendit, SHIK.

Një raport nga organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International tha se ai ishte “larguar me makinë nga vendi i tij i punë në Tiranë nga burra që, sipas dëshmitarëve, ishin të veshur me rroba civile dhe ishin me një makinë e cila më vonë u raportua se u identifikua se i përkiste SHIK-ut”.

Ardian Hoxha tha se nuk kishte asnjë qëllim për të vrarë babanë e tij, por se ai ishte torturuar aq keq, saqë nuk mund të mbijetonte. Pastaj, tha ai, autoritetet shqiptare “e fshehën trupin”, duke e lënë familjen të kërkonte eshtrat e tij për 25 vjet me radhë.

“Kjo është ajo pjesa që neve sado që ishte dhimbje e madhe na ka zmadhuar për shumëfish sepse thoshim së paku trupin na jepnin”, tha ai.

Ai pretendon se dy incidente bën që SHIK-u të merrte babanë e tij. I pari ishte që Remzi Hoxha mori informacione se Sali Berisha do të takohej me presidentin serb Sllobodan Millosheviç, gjë që do të shihej si një tradhti ndaj çështjes shqiptare.

Incidenti i dytë ishte që Hoxha pa Bashkim Gazideden, drejtorin e SHIK-ut në atë kohë, duke drekuar me shefin paraushtarak serb Zeljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si Arkani, në qytetin shqiptar të Shkodrës – gjë që gjithashtu do të shihej si tradhti.

Me sa duket, Hoxha ia përmendi të dyja këto incidente Pjetër Arbnorit, kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, dhe Ibrahim Rugovës, udhëheqësi i lëvizjes për pavarësi të Kosovës në anë kohë.

Ardian Hoxha dyshon se Arbnori dhe Rugova i telefonuan Berishës për ato që u ishin thënë dhe se Berisha urdhëroi ndalimin e babait të tij nga frika e ekspozimit.

“Ja shtojnë dhunën, torturën dhe prej torturave shumë të mëdha në bazë të rrëfimeve të njerëzve që kanë qenë aty, roja e kështu me radhë në baza sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës thuhet se prej torturave të mëdha ka vdekur. Dhe kjo është si ka rrjedh”, shtoi ai.

Në nëntor 2012, një gjykatë e gjeti Ilir Kumbaron, një nga katër oficerët e SHIK-ut të akuzuar për rrëmbimin e Hoxhës dhe dy burrave të tjerë, fajtor për rrëmbimet dhe e dënoi atë në mungesë me 15 vjet burg.

Por Kumbaro kishte kërkuar azil në Britani në vitin 1996 duke u hequr si refugjat nga Kosova dhe po jetonte atje me një identitet të rremë. Pasi identiteti i tij i vërtetë u zbulua dhe Shqipëria kërkoi ekstradimin e tij, Kumbaro u zhduk.

Prokurorët shqiptarë akuzuan gjithashtu Arben Sefgjinin, ish-shefin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave, i cili më parë ka shërbyer si shef i zyrës së SHIK-ut në Tiranë, për torturimin dhe vrasje n e dyshuar të Hoxhës. Dy agjentë të tjerë të SHIK-ut, Budion Mece, Avni Kolladashi, u akuzuan gjithashtu në lidhje me çështjen.

Megjithatë, të tre burrat u liruan sipas ligjit të amnistisë.

“Asnjëri prej këtyre që ishin të implikuar nuk e vuan dënimin dhe si rrjedhojë as nuk tregojnë se ku janë eshtrat”, tha Ardian Hoxha.

Në këto 25 vjet që kur babai i tij u zhduk, familja gradualisht e humbi shpresën se do t’i gjejë ndonjëherë eshtrat e tij.

“Ne asnjëherë nuk jemi frikësu, kemi pasë takime të ndryshme  e lloj lloj njerëz. Kemi pasë takime edhe me matrapazë të ndryshëm që kanë kërku para për me na dhënë eshtrat edhe kemi dhënë pare dhe na kanë dhënë eshtra të qenit”, tha Ardian Hoxha.

Pasi vendosi të heqë dorë nga kërkimi, familja ka vendosur të bëjë një varr për Remzi Hoxhën.

“Me qenë se i kemi shterrë gjitha mundësitë dhe u bënë 25 vite që nuk po e gjejmë të vërtetën, ne do e bëjmë një varr, një memorial që të paktën të kemi një vend ku mund të shkojmë ta vizitojmë”, tha djali i tij Ardiani.

“Në rast se eshtrat gjenden…”