Lajm10 Feb 2021

Mjedisorët kundër Klosit: Aeroporti në Nartë rrezik për zonën e mbrojtur

Organizatat mjedisore kanë reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Mjedist dhe Turizmit, Blendi Klosi i cili e ka cilisësuar debatin rreth ndërtirmin të aeroportit të ri të Vlorës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë si të pavarëtetë.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Deputeti Damian Gjiknuri, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli duke u përgatitur për të mbjellë fidanë në kuadër të lançimit të iniciativës për mbjelljen e 10 800 pemëve në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë. | Foto : LSA

Nëpërmjet një njoftimi për median, 15 organizata mjedisore kanë kundërshtuar deklaratën e ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi se zona ku do të ndërtohet aeroporti i ri i Vlorës ka qenë edhe më parë aeroport dhe debati rreth kësaj teme është i stisur.

“Debati mbi aeroportin e propozuar të Vlorës nuk është i pavërtetë,” u shprehën mjedisorët.

“Përkundrazi, ai është një nga debatet më të forta për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri që prej vitit 1990,” shtuan ato.

Në fund të nëntorit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli rihapjen e garës për tenderin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, projekt i cili sipas drejtuesve të qeverisë do t’i jepte Jugut të Shqipërisë nje aset kombëtar tejet të vlefshëm.

Ky projekt kundërshtohet me forcë nga organizatat mjedisore të cilat theksojnë se ndërtimi i këtij aeroporti do të dëmtonte në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë – Nartë.

Nëpërmjet një deklarate të dhënë të enjten gjatë një aktiviteti pyllëzimi në Nartë, ministri Blendi Klosi tha se aeroporti i ri nuk do të cënojë zonën e mbrojtur.

“Të qënit zonë e mbrojtur në mbi 18% e sipërfaqes nuk do të thotë se nuk do të ketë zhvillime, por zhvillimet do të jenë të kontrolluara, siç është rasti i aeroportit të Vlorës,” tha Klosi.

“Kompania që do të zhvillojë projektin do të paraqesë një projekt mjedisor dhe një studim të plotë si do zhvillohet dhe do mbrohet biodiversiteti,” theksoi ai, ndërsa shtoi se “kjo sipërfaqe ka qenë dhe vazhdon të mbetet një aeroport.”

Por sipas organizatave mjedisore ky krahasim i ministrit nuk qëndron, për faktin se aeroporti i vjetër i Akërnisë ka qenë jo-funksional që prej viteve 1990 dhe ndikimi në mjedis i aeroportit të propozuar të Vlorës është krejtësisht i ndryshëm dhe shumë më i fortë se ndikimi i një pistë jo-funksionale e avionëve luftarakë.

“Edhe përpara kësaj përiudhe, aeroporti në fjalë ka qenë vetëm një pistë fluturimesh me përdorim sporadik për një numër shumë të vogël fluturimesh jo civile,” deklaruan organizatat mjedisore, ndërsa theksuan se aeroporti i propozuar i Vlorës është i nivelit ndërkombëtar, mjaft më i madh se aeroporti i Rinasit.

“Për pasojë ndikimi i këtij aeroporti të ri është kryekëput i ndryshëm nga një pistë avionësh jo-funksionale”, përfunduan ato.