Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian Federica Mogherini përshëndeti të mërkurën në Bruksel dënimin nga Gjykata për Krime të Rënda të Emiljano Shullazit si dhe procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Gjatë një konference për shtyp nën sfondin e Këshillit të Stabilzim Asocimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Eruopian, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Federica Mogherini, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në konsolidimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit.
Mogherini përgëzoi qeverinë dhe shoqërinë shqiptare për punën e bërë gjatë vitit të shkuar në kuadrin e reformës në drejtësi.
“Kjo punë po sjell rezultate dhe po konsolidon sundimin e ligjit në Shqipëri. Ka pritshmëri të larta për këtë proces, në mënyrë te veçantë nga vetingu, dhe ne si Bashkim Europian, do të vazhdojmë t’iu mbështesim në këtë proces të rëndësishëm,” tha Mogherini gjatë një konference për shtyp me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.
“Ne kemi parë gjithashtu disa rezultate të mira dhe shumë konkrete, Për shembull, masa e dënimit domethënëse e dhënë dje për anëtarët e një organizate të rëndësishme kriminale nga Gjykata për Krime të Rënda, janë shenja të vendosmërisë për të vendosur një rekord solid ndaj krimit të organizuar,” shtoi ajo.
Mogherini iu referua vendimit të Gjykatës për Krime të Rënda për të dënuar me 55 vjet burgim Emiljano Shullazi dhe katër anëtar të bandës së tij. Emiljano Shullazi u dënua të martën nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda sëbashku me katër të akuzuar të tjerë për gjobvënie dhe grup të strukturuar kriminal. Në total Gjykata dha 55 vjet burg, 14 vjet për Shullazin, 12 vjet për krahun e tij të djathtë Gilmando Danin, nga 10 vjet për Endrit Qyqjen dhe Endrit Zelën dhe 9 vjet për Blerim Shullazin. Prokuroria kishte kërkuar 64 vite burg. Ndërkohë avokatët mbrojtës pretenduan pafajësi dhe thanë pas vendimit se do ta apelonin.
Shqipëri është vend kandidat në Bashkim Europian dhe shpreson të marri dritën jeshile për hapjen e negociatave për anëtarësim në qershor 2019.
“Viti 2019, përbën një mundësi për rajonin dhe mënyrë të veccantë për Shqipërinë për të bërë përpara në procesin e integrimit europian,” përfundoi Mogherini.