Një nga krerët e bandës kriminale të trafikut të drogës, i famshëm për lidhjet me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg, ndërsa anëtarët e tjerë të bandës morën dënime prej dy deri në katërmbëdhjetë vjet burg.
Moisi Habilaj, drejtues i një organizate kriminale me bazë në Vlorë, hetimi i së cilës nga autoritetet italiane shkaktoi tronditje politike në Shqipëri një vit e gjysmë më parë, u dënua me 15 vjet heqje lirie në Itali, bën të ditur media italiane. Drejtuesi tjetër i bandës, italiani Antonino Riela u dënua me 14 vjet burg ndërsa Meridian Sulaj mori tetë vjet e katër muaj e Nezar Seitaj mori shtatë vjet e pesë muaj burg.
Vëllai i Moisiut, Florian Habilaj, vijon të jetë i shpallur në kërkim që nga tetori i vitit 2017, ndërsa të paarrestuar nga policia janë edhe tre ish-drejtues të policisë së Vlorës të akuzuar nga prokuroria shqiptare për trafik ndërkombëtar droge.
Habilajt bënë bujë në arenën politike shqiptare në tetor 2017, pasi policia italiane mbylli një operacion katërvjeccar përgjimi me arrestimin e një dyzine personash të dyshuar, shqiptarë dhe italianë dhe i akuzoi ata për trafikimin e tonelatave marijuanë nga Shqipëria për në Itali.
Dokumentet gjyqësore italiane, të cilat u publikuan fillimisht nga Partia Demokratike në opozitë në Shqipëri, shkaktuan tronditje të madhe politike për shkak të diskutimeve të trafikantëve mbi jetën politike në Shqipëri, përfshirë lidhjet që kishin me ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ky i fundit gjendet aktualisht nën akuzë në Shqipëri për trafik ndërkombëtar droge ndërsa deklarohet i pafajshëm.
Rasti i Habilajve rëndoi mbi qeverinë shqiptare, e cila është akuzuar në mënyrë të përsëritur se ka lejuar dhe ndihmuar kultivimin e kanabisit në vitet 2015 e më pas duke e kthyer Shqipërinë në një narkoshtet. Qeveria e kryeministrit Edi Rama i mohon akuzat duke pretenduar të kundërtën, se ajo e ka luftuar kultivimin e drogës si kurrë më parë.
Lexo më shumë:
Lexo më shumë:
Brenda bandës së Moisi Habilajt: shkëlqimi dhe rënia e kushërinjve të Saimir Tahirit
Mazhoranca hedh poshtë kërkesën për arrestimin e Saimir Tahirit
Nën rrethim nga të gjitha anët, Saimir Tahiri jep dorëheqjen
Habilajt gati për gjyq, por ish-ministri Tahiri mbetet ende në Prokurori