Analize3 May 2021

Morali dhe tregu i vaksinës

Pabarazia e dukshme globale përsa i përket qasjes në vaksinat për COVID-19 është një dështim intelektual dhe moral. Pandemia është një thirrje e qartë që të fillojmë të mendojmë përtej kufijve të ngushtë të racionalitetit ekonomik dhe të identifikojmë interesat e të tjerëve si pjesë e interesave tona.

Autor: Kaushik Basu Project Syndicate Itakë
Printo

Foto ilustruese: Andrew Brookes/Getty Images

Ndërsa vala e dytë e pandemisë COVID-19 tejkalon ashpërsinë e së parës, po shfaqet një ndarje e qartë globale. Pandemia po zbehet, gradualisht dhe në mënyrë të pabarabartë, në vendet më të pasura, por po ndizet në disa ekonomi të zhvilluara dhe në zhvillim, më së shumti në Indi, por gjithashtu në shkallë të ndryshme në vende të tilla si Bangladeshi, Pakistani, Turqia, Filipinet, Etiopia dhe Kenia.

Ka shumë arsye për këtë ndarje, por qasja e pabarabartë në kujdesin shëndetësor – veçanërisht pabarazia e dukshme në qasjen ndaj vaksinave kundër COVID-19 – është e pamundur të shpërfillet. Më 18 janar, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Ghebreyesus, vuri në dukje se më shumë se 39 milionë doza vaksinash kundër COVID-19 ishin administruar në të paktën 49 vende me të ardhura më të larta. Në kontrast me këtë, ai tha se “Vetëm 25 doza janë dhënë në një vend me të ardhura më të ulëta. Jo 25 milionë, as 25 mijë, por vetëm 25.”

Më shumë se një miliard doza vaksinash janë administruar tani në të gjithë botën, por ekzistojnë pabarazi të mëdha. Sejshelle kryeson listën, pasi ka vaksinuar plotësisht 59% të qytetarëve të saj, ndërsa Izraeli (56%), Kili (34%) dhe Shtetet e Bashkuara (30%) gjithashtu renditen të lartë. Brazili, megjithatë, është i 43-ti në nivel global, me vetëm 5.9% të popullsisë së tij të vaksinuar plotësisht, ndërsa India dhe Bangladeshi janë shumë më poshtë, përkatësisht me 1.8% dhe 1.7%. Dhe në disa vende, kryesisht në Afrikën Sub-Sahariane, praktikisht nuk është vaksinuar askush.

Duke qenë se një vaksinë kundër COVID-19 është një e mirë thelbësore si ushqimi dhe strehimi, ne duhet të na vijë turp nga një pabarazi kaq e madhe. Duke e përkeqësuar edhe më tej këtë problem, shumë vende të pasura po grumbullojnë vaksina përtej sasisë që u nevojitet, si një mjet mbrojtës paraprak.

Deri disa muaj më parë, aktivistët për qasje në ilaçe dhe shkencë të hapur shpresonin se madhësia e pandemisë do të çonte në një refuzim të shkencës pronësore dhe tregjeve monopole të patentuara. Në maj të vitit 2020, për shembull, OBSH-ja prezantoi COVID-19 Technology Access Pool (C-TAP) me synim të inkurajonte ndarjen vullnetare të gjerë të pronës intelektuale të lidhur me pandeminë.

Në mënyrë të ngjashme, COVAX, e themeluar gjithashtu vitin e kaluar, ishte menduar të siguronte vaksina të subvencionuara për vendet e varfra, me mbështetje financiare nga bota e pasur. Por edhe në atë kohë, siç shkroi Alexander Zaitchik kohët e fundit në The Neë Republic, “optimizmi dhe ndjenja e mundësisë që karakterizonin ditët e hershme ishin zhdukur tashmë”.

Nëse reflektojmë për dështimin e botës për të siguruar qasje të barabartë në vaksinat kundër COVID-19, të paktën do të kemi më pak të ngjarë të lëmë vendet e varfra në baltë në të ardhmen. Dështimi është intelektual dhe moral. Me qëllimet më të mira, planet dhe propozimet e shumë aktivistëve i kushtuan pak vëmendje stimujve individualë. Por ndërsa është e drejtë të bësh fushatë që korporatat të sillen moralisht, është marrëzi të pretendosh se ato janë morale.

Ne mund të konceptojmë një të ardhme ku njerëzit investojnë në krijimin e njohurive dhe më pas i bashkojnë dijet e tyre në një pishinë me qasje të hapur, në vend që të përpiqen të fitojnë para. Por është e qartë që nuk jemi ende në këtë pikë. Tani për tani, duhet t’i lejojmë lojtarët privatë të fitojnë të drejta mbi pronën intelektuale që ata krijojnë për t’u siguruar që ata të investojnë në kërkime të kushtueshme.

Në të njëjtën kohë, ka hapësirë ​​për të ulur në mënyrë të konsiderueshme fitimet e firmave farmaceutike – duke i detyruar ata të shesin produkte më lirë dhe duke u mundësuar prodhuesve të shesin në rajone të caktuara – pa dëmtuar stimujt e industrisë farmaceutike për të shpenzuar në kërkime.

Për ta bërë këtë si duhet, ne duhet të kuptojmë strukturën e tregjeve për produktet e bazuara në njohuri si vaksinat e reja. Aktualisht, ne nuk e bëjmë këtë: “tregu” është rrëmujë e madhe konkurrence dhe marrëveshjesh anësore. Sipas një dokumenti të fundit nga Instituti për Mendimin e Ri Ekonomik, qeveritë dhe kompanitë farmaceutike vitin e kaluar përfunduan 44 marrëveshje bilaterale për vaksinat e COVID-19, shumë prej të cilave kanë detaje të pazbuluara dhe klauzola të pakuptueshme. Në përgjithësi, vendet e varfra u lanë jashtë tyre.

Sot, ne po bëjmë rregulla për tregun e vaksinës ndërkohë që jemi të bllokuar në një mjegull pasigurie. Nga ato pak që dimë, është e qartë se të drejtat e pronës intelektuale duhet të vazhdojnë të luajnë një rol, të paktën tani për tani. Nga ana tjetër, firmat farmaceutike padyshim që po fitojnë shumë më tepër nga sa u duhet për të mbështetur stimulin e tyre për të përtërirë. Në pandemitë e mëdha siç është ajo aktuale, ne duhet t’i kompensojmë kompanitë e ilaçeve me pagesa shumore për të mbuluar kostot, për të revokuar disa nga patentat e tyre dhe për të lejuar firmat të prodhojnë në masë vaksina thelbësore.

Në planin afatgjatë, ne mund të shkojmë më tej, duke theksuar se suksesi i një shoqërie nuk varet vetëm nga fitimi. Slogani popullor “Asnjë prej nesh nuk do të jetë i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt”, do të thotë se duhet t’u bëjmë thirrje të pasurve të jenë më pak egoistë, sepse është në interesin e tyre të ndihmojnë të tjerët. Por pandemia është një thirrje e qartë që të fillojmë të mendojmë përtej kufijve të ngushtë të racionalitetit ekonomik dhe të identifikojmë interesat e të tjerëve si pjesë e interesave tona.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate.  Morals and the Vaccine Market