Gjyqtari i Apelit të Gjirokastrës, Enton Dhimitri u akuzua se nuk kishte deklaruar arrestimin e të kunatit me kokainë në Greqi, ndërkohë që ai u mbrojt me argumentin se nuk kishte kontakte me të prej vitesh dhe se fakti i dënimit iu mbajt i fshehtë nga njerëzit e bashkëshortes.
Gjyqtari i Apelit të Gjirokastrës, Enton Dhimitri kaloi pa vështirësi dy prej kritereve të vetingut në seancën dëgjimore që u zhvillua të mërkurën, por mosdeklarimi i dënimit të kunatit të tij në Greqi rrezikon t'i djegë atij karrierën 15 vjeçare në sistemin gjyqësor.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u sinjalizua nga denoncimi i një qytetari për arrestimin me kokainë të kunatit të gjyqtarit në Greqi në vitin 2016, ndërsa për verifikimin e këtij rasti u përfshinë vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Shtetit.
Sipas relatores së çështjes, Pamela Qirko, DSIK konstatoi fillimisht përshtatshmërinë e gjyqtarit Enton Dhimitri me detyrën, por raporti i pastërtisë së figurës ndryshoi dy herë të tjera në raport me gjetjet e depozituara pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Vetë KPK arriti të konfirmonte se kunati i Dhimitrit me inicialet L.G kishte dalë për herë të fundit nga Shqipëria në qershor të vitit 2016 nga pika kufitare e Kakavijës. Në proces, sipas relatimit u përfshinë edhe vëzhguesit e ONM-së, të cilët verifikuan përmes dy burimeve të pavarura se L.G ishte arrestuar në Greqi dhe se ky person ishte i përfshirë në krim të organizuar.
Konfirmimi i tretë u sigurua nga SHÇBA në Policinë e Shtetit, duke e përmbysur raportin e parë të DSIK-së për gjyqtarin Enton Dhimitri.
“DSIK konstatoi në fund papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës. Shtetasi L.G është kontakt i papërshtatshëm dhe subjekti i rivlerësimit nuk e ka deklaruar këtë fakt në formularin e pastërtisë së figurës,” tha në seancë relatorja Pamela Qirko, duke lexuar edhe njërën prej pyetjeve të formularit që përkon me rastin e gjyqtarit Dhimitri.
I vënë nën akuzë për mosdeklarimin e kontaktit të papërshtatshëm me kunatin e tij, gjyqtari Enton Dhimitri u mbrojt para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit me befasinë dhe padijeninë e tij rreth arrestimit në Greqi të kunatit.
Gjyqtari renditi një sërë rrethanash-të cilat i vlerësoi si lehtësuese në raport me akuzën, ndërsa shpjegoi se me kunatin kishte pasur marrëdhënie të acaruara dhe se njerëzit e bashkëshortes së tij nuk e kishin vënë në dijeni mbi problemet e tij ligjore në Greqi.
“Kam përjetuar një tonditje të madhe shpirtërore dhe psikologjike kur m'u bë e ditur nga Komisioni një fakt i tillë. Gjithashtu jam përfshirë në konflikt me njerëzit e bashkëshortes, që s'ma kanë bërë me dije një fakt të tillë,” tha para Komisionit Dhimitri.
Gjyqtari shprehu gatishmërinë për të vënë në dispozicion tabulatet e tij telefonike, që vërtetojnë sipas tij humbjen e komunikimit me kunatin prej vitesh, ndërsa shtoi se në kohën e ngjarjes atij i duhej të përballej fillimisht me sëmundjen e të atit dhe më pas me sëmundjen e rëndë të bashkëshortes- shkaqe që sipas tij kanë ndikuar në vendimin e vjehrrës dhe kunatit të vogël që të mos i informonin mbi arrestimin e kunatit tjetër në Greqi.
Gjithashtu, Dhimitri këmbënguli se ka qenë në pamundësi objektive për t'u informuar mbi kunatin për shkak se ngjarja ka ndodhur në Greqi, në regjistrat penalë shqiptarë ai rezulton i padënuar dhe se arrestimi i tij nuk është pasqyruar në mjetet e komunikimit publik dhe në media.
Pasuria dhe aftësitë profesionale
Enton Dhimitri e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Përgjatë 14 viteve, ai ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër dhe më pas në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës.
Dhimitri iu nënshtrua procesit të rivlerësimit me përparësi në të tre kriteret, për shkak të zgjedhjes së tij si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Trupa gjykuese përbëhej nga Xhensila Pine, Pamela Qirko dhe Genta Tafa Bungo.
Sipas relatores Qirko, gjyqtari Enton Dhimitri zotëron familjarisht një automjet të llojit “Skoda” të blerë për 13 900 euro, një apartament në Gjirokastër në vlerën e 4 milionë lekëve, një apartament në Sarandë të blerë për 38 500 euro, rreth 12.7 milionë lekë likujditete në bankë dhe shpenzime për mobilimin e apartamenteve në vlerat 1.9 milionë lekë dhe 360 mijë lekë.
Lidhur me pasuritë e mësipërme, Komisioni ngriti pikëpyetje mbi blerjen në çmime relativisht të ulëta të makinës “Skoda” dhe apartamentit në Gjirokastër, ndërkohë që arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshortja e tij kanë pasur burime të ligjshme dhe të mjaftueshme për blerjen e këtyre pasurive.
Komisioni konstatoi gjithashtu se gjyqtari Dhimitri, sipas raportit të administruar nga Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i plotësonte kriteret minimale si dhe kishte treguar aftësi dhe disiplinë në kryerjen e detyrës. Në emër të subjektit ishin depozituar 8 denoncime nga publiku, por KPK arriti në përfundimin se asnjëra prej tyre nuk përmbante prova dhe se çështjet mund të zgjidheshin përmes rrugës gjyqësore.
Gjyqtari Enton Dhimitri e shpenzoi kohën e tij të mbrojtjes për të shpjeguar marrëdhënien e tij të acaruar me kunatin dhe padijeninë e tij mbi problemet ligjore në Greqi, ndërkohë që u ndal shkarazi edhe te çështja e pasurisë.
Ai këmbënguli që kishte deklaruar vlerën e saktë të blerjes së makinës dhe të apartamentit në Gjirokastër, ndërsa shpjegoi se makina u ishte shitur në çmimin minimal të lejuar për shkak se bashkëshortja e tij dhe ortaku i kompanisë ishin kushërinj të parë. Ndërsa lidhur me apartamentin, Dhimitri renditi disa arsye, të cilat lidheshin me punimet e papërfunduara, pozicionin e apartamentit të tij në katin e fundit të pallatit si dhe nevojën e ngutshme për para që kishte ndërtuesi.
Gjyqtari i Apelit të Gjirokastrës vlerësoi procesin e vetingut, konstatoi se të drejtat e tij ishin respektuar dhe e cilësoi hetimin objektiv dhe korrekt. Ai kërkoi që rrethanat e shpjeguara prej tij mbi çështjen e kunatit të merreshin parasysh dhe kërkoi nga Komisioni konfirmimin e tij në detyrë.
Në fund të seancës, trupa gjykuese i la vetes më pak se 24 orë kohë për të marrë vendimin për gjyqtarin Enton Dhimitri.