Opinion21 Aug 2020

Moska shpreson që të mos i duhet të shpëtojë regjimin e Lukashenkos –dhe veçanërisht Lukashenkon

Mundësitë për ndërhyrjen e Rusisë duken të papranueshme, por ka sinjale shqetësuese se disa njerëz në rrethin e Putinit mendojnë se mund të jetë për fat të keq një domosdoshmëri.

Autor: Mark Galeotti BIRN Londër
Printo

Vladimir Putin dhe presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko inspektojnë fushën e stërvitjes ushtarake Zapad në vitin 2013. Foto: Kremlin.ru.

Nga këndvështrimi i Moskës, e vetmja mundësi më e keqe se ndërhyrja në Bjellorusi është humbja e saj te Perëndimi. Nga këndvështrimi i diktatorit të rrethuar, Aleksandër Lukashenko, kjo mund të jetë e vetmja gjë që mund ta shpëtojë atë nga njerëzit e vet –por ai mund të gjejë një Kremlin qejfprishur, që ndërhyn për të mbrojtur regjimin, por jo liderin e tij.

Në fund të fundit, Vladimir Putin nuk është një tifoz. Për vite me radhë, Lukashenko luajti kartën ruse kundër Perëndimit, duke e detyruar Moskën të subvenciononte energjinë e importuar nga e cila varet Bjellorusia, si dhe lundroi në perspektivën e një kthese drejt Europës për ta shtyrë BE-në që të lehtësonte sanksionet e vendosura pas një sulmi të mëparshëm ndaj zgjedhjeve.

Përpara zgjedhjeve të fundit presidenciale të 9 Gushtit, Lukashenko e akuzoi Moskën se po përpiqej të fuste hundët në politikën bjelloruse, madje arrestoi 33 mercenarë rusë në rrugëtimin e tyre drejt një zone lufte në Afrikë, duke pretenduar se ata ishin fillesa e një fushate destabilizimi.

Tani, Lukashenko po pretendon se forcat e NATO-s po dynden në kufijtë e tij dhe se opozita po drejtohet nga Polonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Republika Çeke. Makineria e tij e propagandës po pretendon –kundër të gjitha provave –se turmat po brohorasin parrulla antiruse dhe po valëvisin flamujt e BE-së.

Ai po bën haptazi ofertën e tij për mbështetjen e Moskës.

S’ka entuziazëm për ndërhyrje

Ndonëse Putin siguroi formalisht se Rusia do të përmbushë detyrimet për të mbështetur Bjellorusinë ndaj një agresioni të jashtëm, linja zyrtare vazhdon të jetë se gjithçka që po ndodh në Bjellorusi është një çështje e brendshme. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se aktualisht nuk kishte nevojë për ndërhyrje.

Mbi të gjitha, deri më tani opozita bjelloruse ka qenë skrupuloze për të mos e bërë këtë më shumë sesa rrëzimi i Lukashenkos dhe hapja e rrugës për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe jo vetëm sepse Bjellorusia është e lidhur me Rusinë në një “Union Shtetesh”, i cili pranohet se është më tepër sesa një  bashkim doganor me iluzione madhështie. Por edhe sepse rusët dhe bjellorusët ndajnë një pjesë të trashëgimisë së përbashkët dhe vlerësimit të ndërsjelltë.

Për më tepër, ekonomia e Bjellorusisë është tej mase e orientuar nga Rusia, e cila merr më shumë se 1/3 e eksporteve të saj dhe siguron më shumë se gjysmën e të ardhurave. Në këto rrethana, një drejtim i qetë dhe i sigurtë i Rusisë mund ta shihte largimin e të vetë-rëndësishmit Lukashenko me një shkallë barazie. Shumë nga liderët e opozitës kanë ndërkohë lidhje ruse, të tilla si ato të Viktor Babarikos me korporatën e gazit Gazprom, ndërsa të tjerët duken të etur për të mos e sfiduar Moskën.

Modeli më i mirë nuk duket të jetë Ukraina –ku armiqësia ndaj Rusisë dhe dëshira për të lëvizur drejt BE-së ishin në zemrën e revolucionit të viteve 2013-2014 –por Armenia. Në vitin 2018, ngjitja e liderit populist Nikol Pashinyan ngjalli hidhërimin e Kremlinit. Por sapo u bë e qartë se ai kishte për synim demokratizimin në shtëpi, pa ndryshuar varësinë tradicionale të vendit ndaj Rusisë, marrëdhëniet u ngrohën shpejt.

Sigurisht që Bjellorusia nuk është Armenia, por gjithashtu provat tregojnë se Moska është pak e interesuar për formën e qeverisjes që adoptojnë vendet që ajo i konsideron brenda sferës së saj të influencës , sesa politikat e tyre.

Megjithatë, Bjellorusia nuk është as Krimea. Kur “burrat e vegjël jeshilë” aneksuan Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, ata po merrnin tokë për të cilën pothuajse çdo rus mendonte se ishte me të drejtë e tyrja, me popullsinë lokale gjerësisht të lumtur për ankeksimin dhe përballë mbrojtësve të demoralizuar dhe nënshtruar.

Populli rus nuk ka ndonjë interes të veçantë për një pushtim të Bjellorusisë. Aq më tepër në një kohë kur rajonet kanë pakënaqësi në rritje, duke ndjerë se Moska u kushton vëmendje vetëm kur është koha për t’i taksuar, marrja nën përgjegjësi e 9.5 milionë banorëve me Prodhim të Brendshëm Bruto për banor sa gjysma e Rusisë nuk është aspak një ide tërheqëse.

Për më tepër, forcat e sigurisë në Bjellorusi nuk janë as në përçarje dhe as në përplasje me agjentët dhe simpatizantët rusë. KGB-ja e Lukashenkos –për të cilën thuhet se ruajti emrin shërbimit të vjetër sekret Sovjetik –është brutalisht kompetente. Ndërsa ushtria e tyre është mësuar të trajnohet së bashku me homologët rusë, nuk ka arsye për të besuar se ata nuk do të mbrojnë atdheun e tyre.

Për fat të keq një domosdoshmëri?

Mundësitë për ndërhyrje kësisoj duken të papranueshme. Dërgimi i forcave policore për të forcuar mbrojtësit e Lukashenkos nuk do të bënte ndonjë ndryshim në terren dhe do të helmonte qëndrimet e publikut ndaj Rusisë edhe për brezat që do vijnë.

Një pushtim i plotë është i mundshëm –Bjellorusia ka vetëm 45 mijë ushtarë, më pak sesa vetëm Distrikti Ushtarak Perëndimor fqinj –por do të ishte i përgjakshëm, i kushtueshëm, i dënueshëm jashtë vendit dhe jopopullor brenda tij.

Për të gjitha këto, ka shenja shqetësuese se disa njerëz në rrethin e Putinit mund të ndjejnë se kjo është për fat të keq një domosdoshmëri. Në fillim, kishte mungesë konsensusi mes mediave dhe komentuesve që synojnë të lajmërojnë linjën e Kremlinit: ata, si kushdo tjetër u kap në befasi nga shpejtësia dhe shkalla e protestave.

Gjithnjë e më shumë, neveria për Lukashenkon dhe taktikat e tij filluan të shfaqen në mbulimet mediatike.

Ajo mbetet, por ka gjithashtu një shqetësim të nënkuptuar domethënës për Perëndimin –kryesisht për BE- se mund të përfitojë nga situata për të rritur ndikimin mbi Bjellorusinë. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ndërsa vuri në dukje se zgjedhjet e manipuluara të Bjellorusisë “nuk ishin ideale”, kritikoi atë që e quajti përpjekje të huaja për të ndërhyrë në vend, ndërsa shtoi se e gjitha kishte lidhje me “gjeopolitikën, një luftë për hapësirën post-Sovjetike”.

Deri tani, Moska duket se është ende e gatshme të presë dhe të shohë. Nëse Lukashenko do të qëndrojë varur, ai do të dobësohet –një i refuzuar nga Perëndimi dhe si i tillë, më shumë i varur nga Rusia. Nëse ai rrëzohet, shpresa është se pragmatizmi politik dhe realiteti ekonomik do të sigurojë që edhe një qeveri e re reformatore do të pranojë vendin e saj në orbitën e Rusisë.

Megjithatë, nëse vendimi do të jetë ndërhyrja, rezultati mundet që të mos i shkojë për shtat Lukashenkos. Modeli mund të jetë pushtimi i pafat sovjetik i Afganistanit në vitin 1979; heqja me forcë e një lideri të çrregullt dhe jopopullor dhe instalimi i një të riu në preferencën e Moskës, e ndjekur nga shfaqja e forcës që synon të parandalojë çdo rezistencë të mëtejshme.

Në një mënyrë ose në tjetrën, ditët e Lukashenkos mund të jenë të numëruara. Sigurisht, operacioni afgan nuk shkoi ekzaktësisht ashtu siç ishte parashikuar. Sovjetikët prisnin që të mos qëndronin atje më shumë se 6 muaj, duke lënë pas një vend të nënshtruar dhe të qëndrueshëm, por përfunduan duke harxhuar 10 vjet në një luftë brutale guerrilase që ata nuk ishin kurrë në gjendje ta fitonin.

Bjellorusia nuk është as Afganistani, por rreziku ekziston sërish se planet ruse nuk e mbajnë gjatë kontaktin me realitetin.