Shqipëria dhe Greqia duket se ranë dakord të zgjidhin mosmarrëveshjen e krijuar një dekadë më parë për ndarjen e kufirit detar mes të dy vendeve përmes arbitrimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës ndërsa policia referoi për procedim dhe gjobiti disa dhjetëra protestues që kërkuan të rikujtojnë çështjen Çame.
Greqia dhe Shqipëria sinjalizuan nisjen e një epoke të re marrëdhëniesh më të mira mes të dy vendeve pas një dekade tensionesh, pasi ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias ra dakord me kryeministrin shqiptar Edi Rama që mosmarrëveshja kryesore, ajo e ndarjes së shelfit konfinental në kufirin detar mes të dy vendeve, të zgjidhet përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Gjithsesi, jashtë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ndërsa Dendias po takohej me homologun e tij shqiptar Gent Cakaj, disa dhjetëra protestues nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë u përleshën me policinë duke protestuar për të rikujtuar çështjen çame, përzënien e dhjetëramijëra shqiptarëve nga Greqia e veriut në fund të Luftës së Dytë Botërore. Pas disa shtyrjesh me policinë, përfshirë edhe një shishe uji të hedhur nga kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi ndaj eskortës së Dendias, policia njoftoi se ka referuar për hetime për shkeljen e rregullave anti-COVID 18 persona, përshirë Idrizin. Policia shqiptare refuzon çfarëdolloj njoftimi për protestë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit të ri pavarësisht nëse protestuesit i ruajnë apo jo distancat e imponuara nga këshillat mjekësore për distancim social.
Duke e quajtur takimin “një kapitull të ri” në marrëdhëniet dypalëshe, kryeministri Rama tha në konferencën e përbashkët për shtyp: “E falenderoj ministrin, pavarësisht se në momente të caktuara kemi pasur tension, por Greqia asnjëherë s’ka qenë pengesë për rrugën tonë drejt BE.”
Dendias u përgjigj: “Kemi vullnet t’i çojmë akoma më lart, t’i zgjidhim në një klimë të një besimi reciprok çdo gjë që ka mbetur pezull.”
Dendias vizitoi Tiranën si pjesë e një fushate më të gjerë nga Athina për të balancuar ndikimin e Turqisë mes fqinjëve të vet veriorë ndërsa Turqia dhe Greqia kanë marrëdhënie më të këqija se sa zakonisht këto kohë pas pretendimeve konfliktuale për të drejtat për eksplorim për hidrokarbure në detin e Mesdheut Lindor.
Më herët këtë muaj Dendias vizitoi Kosovën, një vizitë e pazakontë për shkak se Greqia është një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njeh shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë u tensionuan në vitin 2010, pasi dy qeveritë kishin arritur një vit më parë marrëveshje për kufirin detar mes dy vendeve. Pas denoncimeve në media se marrëveshja ishte e disfavorshme për Shqipërinë, Gjykata Kushtetuese e jona e shfuqizoi atë me argumentin se cënon integritetin territorial të Shqipërisë. Greqia refuzoi për më shumë se një dekadë që të tërhiqej nga marrëveshja që kishte arritur ndërsa problemi pengoi integrimin Europian të Shqipërisë.
Kabllogramet diplomatike amerikane që rrodhën te organizata Ëikileaks në vitin 2011, vunë në dukje se si Greqia kishte shantazhuar Shqipërinë në fund të vitit 2008 me kërcënimin se nuk do të ratifikonte Marrëveshjen e Anëtarësimit dhe Stabilizimit mes Shqipërisë dhe BE-së, në rast se Shqipëria nuk pranonte përdorimin e metodave të ndryshme në ndarjen e kufirit detar, të cilat i jepnin Greqisë një sipërfaqe më të madhe deti.
Të martën në Tiranë, ministri Dendias bëri të ditur se qeveria e tij do të pranojë gjykimin e çështjes nga Gjykata e Hagës ku ndarja e detit do të bëhet në bazë të konventave ndërkombëtare.